Rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë krijojnë paqartësi për përbërjen e re në Kuvend, por edhe të qeverisë së re.
Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota. Kjo parti ka fituar 40.84 për qind të votave.
Ndërsa, me 22.05 për qind të votave, e dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.67 për qind të votave. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë fitoi 7.45 për qind të votave.
E kjo përqindje e votave ka pamundësuar që një parti politike të qeverisë e vetme, ku kësisoj duhet të bëhet ndonjë koalicion.
E në lidhje me zgjedhjet e reja dhe situatën politike në vend, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Së pari, ai u shpreh kritik me skenën politike, ku tha se LVV nuk ka shumë hapësirë për zgjedhjen e një partneri bashkëqeverisës.
“Thonë se skena politike në Kosovë është e kontaminuar. Realisht, konstatimi më i saktë do të ishte e kriminalizuar. Ka fare pak hapësirë për të zgjedhur partner të përshtatshëm për bashkëqeverisje. Subjekti i parë fitues i bindshëm i zgjedhjeve, LVV, është shumë afër numrave, për ta kompozuar Qeverinë Kurti - 3. Edhe nëse e arrinë kuotën e duhur, do të jetë një qeveri e brishtë, pa fije sigurie për të mbijetuar deri në fund të mandatit katër vjeçar. Veç kësaj, ndërkombëtarët kanë sugjeruar një qeverisje në koalicion, ngaqë ka procese politike të pa mbyllura me Serbinë dhe ka nevojë për një qeveri solide”.
Krahas kësaj, Zeqiraj foli për koalicionet e mundshme, ku nuk kurseu kritikat e partive të PAN-it, derisa përmendi të kalurën e tyre.
“Kur bëhet fjalë për koalicionet, krejt lehtësisht lakohen edhe subjektet politike, kriminalizimi i të cilave është faktik. Për një çerek-shekulli riciklohen eksponentë të SHIK-ut, me derivatet e tij "Shqiponjat e Zeza", BIA dhe të tjera simotra të zeza. Dhe, askush nuk merakoset pse ata, me të bëmat e tyre kriminale, të paktën, nuk duhet të jenë fytyra publike. Disa eksponentë të krimit, në listat për deputetë të partive të PAN-it, e ndotin Parlamentin e Kosovës. Dhe, megjithatë, mburrën krerët e partive të tyre, se, gjoja, listat e tyre janë të pastra, pa cene, deri në shenjtëri!
Ish-partitë e koalicionuara në torishtën e PAN-it, vazhdojnë të jenë të dyzuara: Të krijojnë qeveri me harna, duke bashkuar subjektet e opozitës, apo të garojnë mes tyre, cila ia fiton zemrën më parë LVV, për ta pranuar në bashkëqeverisje? Partitë e koalicionuara, dikur, në PAN, siç janë: PDK-AAK-NISMA, bartin barrën e rëndë të ekzekutimeve të kundërshtarëve politikë, paraprakisht, të listuar emërorë, pastaj, ngeshëm e me sadizëm të vrarë, duke ia shtuar mijëra jetimër Kosovës tonë halle-madhe”, nënvizoi ai.
Tutje, veprimtari nga Gjermania u shpreh se po ndodh diçka e veçantë në Kosovë, e ku e nënvizoi faktin se qeveria nuk po e dërgon në Kushtetutese draftin e Asociaiconit.
“Kosovës po i ndodh diçka unike, që nuk i ka ngjarë asnjë populli, asnjë shteti në botë. Qeveria e sotme nuk merr guximin, për ta dërguar një draft-statut të Asociacionit, për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, sepse, duke qenë e kapur nga njerëzit e shantazhuar, të cilët mund të vendosin në favor të Serbisë, si herë të tjera, për raste kontestuese të ngjashme”.
Ndër të tjer, ai foli edhe për një koalicion të mundshëm mes LVV dhe LDK-së, ku vlerëson se është zgjidhja më e mirë.
Publicisti u kthy pas në kohë dhe kujtoi se si erdhi deri te prishja e koalicionit të mëparshëm mes këtyre dy partive politike.
“Tashmë, dominon mendimi dhe aprovimi i opinionit se rikthimi i një koalicioni në mes të LVV dhe LDK-së, është zgjidhja më e mirë. Prishja e koalicionit, në nismë të qeverisjes Kurti -1, ka qenë e përgaditur nga argatët e Serbisë, Hashim Thaçi, në cilësinë e presidentit të Kosovës dhe Richard Grenell, emisar amerikan për Kosovën si dhe disa të tjerë. Fillimisht, Hashimi i kërkoi kryeministrit Albin Kurtit ta shpallë -gjendjen e jashtëzakonshme-, me pretekstin e COVID-19. Qëllimi i presidentit ishte skajshëm i poshtër, marrjen e kompetencave të qeverisë dinakërisht, për t`i hapur rrugë nënshkrimit të marrëveshjes, për ndarjen e Kosovës, për çka kishin punuar dhe lobuar, mjftueshëm, ministra dhe ambasadorë të emëruar nga Hashimi.
Kurti e refuzoi prerazi propozimi qëllim-keq të Hashim dallaverës. Por ai nuk u tërhoq nga intriga e tij e rrezikshme dhe kërkoi ndihmë nga ministri i Brendshëm i LDK-së, Agim Veliu, i cili e mbështeti idenë e Hashim presidentit, për shpalljen e gjendjes të jashtëzakonshme. Mendoj se Veliu u mashtrua, nuk e kuptoi intrigën ogurzezë të Hashimit. Përndryshe, familjen Veliu, respektivisht, Gashi, e njoh që nga vitet ´60-a, kur shërbeja mësues në zonën e Llapit, si qendresëtare ndaj pushtetit pushtues serbo-sllav”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.