Deklaratë nga Dhomat e Specializuara

Kur kanë mbetur vetëm edhe një orë deri në kohën e varrimit të babait të ish-presidentit Thaçi, ende mbetet e paqartë nëse ky i fundit do të marr pjesë në ceremoni apo jo.
Zyra e Dhomave të Specializuara, pas interesimit të gazetës "Bota sot" kanë dërguar një deklaratë duke thënë se kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjykatësi i cili merret me çështjen vlerëson të gjitha rrethanat në kohën kur është bërë kërkesa, me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata si kjo.
Ata vendosin bazuar në kornizën ligjore të DHSK-së dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Sipas DHSK-së, për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi.
Deklaratë
DHSK-ja ka pranuar disa pyetje nga gazetarë dhe nga publiku pas vdekjes së babait të Hashim Thaçit lidhur me atë se a do t'i lejohet zotit Thaçi të vizitojë Kosovën, siç iu lejua javën e kaluar kur e vizitoi babain e tij në spital, si dhe në dy raste të mëparshme.
Të vetëdijshëm për rëndësinë e të qenit me familjen në situata si kjo, korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek gjykatësit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Gjykatësit e miratuan këtë rregull bazuar në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve.
Deri më tani, gjykatësit e Dhomave të Specializuara kanë urdhëruar trembëdhjetë vizita të tilla në Kosovë për të paraburgosurit, të cilat janë menaxhuar nga gjykata, për shembull që një i paraburgosur të vizitojë një të afërm të sëmurë ose të bëjnë nderime dhe të kalojnë kohë me anëtarët e ngushtë të familjes pas vdekjes së një të afërmi.
Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjykatësi i cili merret me çështjen vlerëson të gjitha rrethanat në kohën kur është bërë kërkesa, me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata si kjo. Ata vendosin bazuar në kornizën ligjore të DHSK-së dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë.
----------------
Kërkesa për leje të ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij ishte një temë mjaft e diskutuar pas paralajmërimit të ceremonisë që do të zhvillohet sot.
Edhe pse aktualisht flitet për mundësinë që Thaçi të mos lejohet të kthehet në Kosovë për këtë ngjarje, Gjykata Speciale ende nuk ka dhënë një vendim përkatës.
Sipas një përgjigjeje të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhënë gazetës “Bota sot”, të gjitha dokumentet publike që lidhen me këtë çështje, përfshirë kërkesat dhe vendimet e gjykatësve, do të publikohen në faqen zyrtare të gjykatës, dhe çdo informacion i ri që bëhet i disponueshëm do të publikohet po ashtu në këtë platformë.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek gjykatësit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Gjykatësit do të vendosin për kërkesa të tilla.
Të gjitha dokumentet publike, përfshirë parashtrimet nga Mbrojtja dhe vendimet e gjykatësve publikohen në faqen tonë të internetit. Nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit të DHSK-së”, thuhet në përgjigjen e DHSK-së për gazetën “Bota sot”.
Megjithëkëtë, në faqen zyrtare të DHSK-së ende nuk ka ndonjë vendim apo njoftim të publikuar në lidhje me lejimin apo mos-lejimin e ish-presidentit Thaçi që të marr pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.
Njoftimi i fundit i Speciales ka të bëjë me vizitën e Thaçit javën e kaluar më 13 mars në Kosovë, i cili pati rastin ta takonte babain për herë të fundit.
Nga ana tjetër, mbrëmë është raportuar se Gjykata Speciale, ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në ceremoni.
Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur indinjatën dhe revoltën ndaj këtij vendimi.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh indinjatën dhe revoltën e saj të thellë ndaj vendimit të padrejtë, jo human dhe të papranueshëm të Gjykatës Speciale, e cila ka refuzuar lirimin e bashkëluftëtarit tonë, ish presidentit Hashim Thaçi qe të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe të japë lamtumirën e fundit babait të tij.
Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t'i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së”, thuhet mes tjerash në reagimin e OVL-UÇK-së.