Të martën që kaloi, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia bashkuan forcat.
Tre vendet nënshkruan Deklaratën trelaterale për aleancë ushtarake. Kjo ujdi u tha që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rris bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.
Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë në Shqipëri.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se bashkëpunimi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë nuk është kërcënim për askënd, por një mesazh i qartë për ata që tentojnë të destabilizojnë rajonin.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, mirëpo është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor por edhe sigurinë e vendeve tona. Tri vendet tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta janë të bashkuara për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e regjionit. Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshe të tjera që u theksuan më herët nga dy ministrat, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, shkëmbimit të personelit, trajnimit dhe edukimit. Një ndër pikat kyçe të këtij dokumenti është që Kroacia dhe Shqipëria do të angazhohen në vazhdimësi për mbështetjen e Kosovës në proceset e saj të integrimit euro-atlantik. Ky dokument hap rrugë për bashkëpunim në veçanti për t’u përballur për rreziqet moderne që kërcënojnë sigurinë rajonale që janë kërcënimet hibride dhe të tjera. Hap rrugë që edhe vende të tjera t’i bashkëngjiten kësaj përpjekje tonë të përbashkët për paqe stabilitet dhe më shumë siguri”, tha ai.
Dashevci: Ka karakter të mbrujtjes dhe sigurisë dhe ka rëndësinë e saj të veçantë
Njohësi i sigurisë Arben Dashevci, thotë se kjo marrëveshje, në aspektin e sigurisë është shumë lajm i mirë, në këto kohë sfidash, veçanërisht në Ballkan.

“Nënshkrimi i deklaratës Tripalëshe mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, ku këto dy të fundit janë edhe anëtare të NATO-s është një lajm shumë i mirë në aspektin e sigurisë në këto kohëra sfidash në mbarë botën, posaqërisht në Ballkanin e trazuar.
Normalisht që nuk është kërcënim për askënd, por sipas mendimit tim ka synim mbrojtjen e përbashkët kundrejt atyre që tentojnë ta cenojnë sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Ka karakter të mbrojtjes dhe sigurisë dhe ka rëndësinë e saj të veçantë”, thotë ai.
Dashevci, thotë se bashkëpunimi ndikon direkt në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe u dërgon sinjale të qarta se nuk lejohet pasiguria në Ballkan.
“Ky bashkëpunim ndikon direkt në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor sepse ata që kanë interesa të pasigurisë në Ballkan u dërgon sinjal të qartë se nuk lejohet pasiguria në Ballkan pa marr parasysh kush janë ata.
Pra, ata që mendojnë ta cenojnë sigurinë në Ballkanin Perëndimor do të hasin në një barrierë të pakalueshme që quhet siguri e përbashkët me marrëveshje të përbashkët trepalëshe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, deklaron ai.
Mekuli: Kjo marrëveshje tregon se shqiptarët nuk janë më spektatorë në lojën gjeopolitike, por faktor politik dhe ushtarak me peshë
Opinionisti Gëzim Mekuli në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se kjo marrëveshje është një zhvillim i natyrshëm dhe i domosdoshëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe se është një garanci se asnjë forcë nuk mund të cenojë sovranitetin e këtyre shteteve.

“Ky bashkëpunim trepalësh midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është një zhvillim i natyrshëm dhe i domosdoshëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Kjo aleancë nuk është një kërcënim për askënd, por një garanci se asnjë forcë nuk do të mund të cenojë më sovranitetin e këtyre shteteve. Shqipëria dhe Kosova, të bashkuara në një strukturë të përbashkët mbrojtëse, tregojnë se shqiptarët nuk janë më spektatorë në lojën gjeopolitike, por faktor politik dhe ushtarak me peshë. Kjo marrëveshje stopon përfundimisht çdo përpjekje për të ndryshuar kufijtë me dhunë dhe ndalon çfarëdo tentimi për të destabilizuar rajonin”, thotë ai.
Tutje, thotë se shqiptarët dhe kroatët kanë përjetuar gjenocidin serb, andaj edhe marrëveshja është e natyrshme.
Ai shton se, kjo marrëveshje “kjo aleancë ushtarake dërgon një porosi të qartë se Beogradi nuk mund të sillet më si një forcë e paprekshme ushtarake apo politike në Ballkan”.
“Aleanca shqiptaro-kroate është krejtësisht e natyrshme, pasi të dyja kombet kanë përjetuar agresionin dhe gjenocidin serb. Serbia për dekada ka ndjekur politikën e krijimit të entiteteve të paligjshme përmes spastrimet etnike, siç ndodhi me Republikën Srpska në Bosnje. Por me këtë aleancë, çdo ëndërr për të krijuar një tjetër “republikë serbe” është përfundimisht e vdekur. Nuk do të ketë më ushtri serbe që të masakrojë civilë për të realizuar projekte nacionaliste. Në vend që të ankohet për këtë bashkëpunim, Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj kriminale dhe të kuptojë se nuk është më një forcë e pakontestueshme në rajon.
Serbia tradicionalisht është përpjekur të paraqitet si viktimë sa herë që vendet fqinje organizohen për mbrojtjen e tyre. Megjithatë, realiteti është ndryshe: Beogradi ka shpenzuar miliarda për të forcuar ushtrinë e tij, duke blerë armë nga Kina, Rusia dhe Perëndimi. Prandaj, shqetësimi i Serbisë për këtë bashkëpunim është hipokrizi. E nënvizoj edhe njëherë se kjo aleancë ushtarake dërgon një porosi të qartë se Beogradi nuk mund të sillet më si një forcë e paprekshme ushtarake apo politike në Ballkan”, shpjegon ai.
Në fund, potencon se shqiptarët janë faktorë ushtarak dhe politik në Ballkan, dhe këtë realitet askush nuk mund ta ndryshojë më.
“Kjo marrëveshje i dërgon një mesazh të fortë jo vetëm Serbisë fashiste, por edhe çdo aktori të jashtëm që synon ta shohë Ballkanin si një zonë kaosi dhe konflikti. Aleanca mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë tregon se shqiptarët dhe kroatët janë të bashkuar dhe nuk do të lejojnë më që të përsëriten skenarët e viteve ‘90. Politikat e “Botës Serbe”, të bazuara në dhunë, zjarr dhe gjenocid, kanë marrë fund. Një aleancë e tillë ka qenë e vonuar, sidomos midis Tiranës dhe Prishtinës, por më mirë vonë se kurrë. Tani shqiptarët janë faktorë ushtarak dhe politik në Ballkan, dhe këtë realitet askush nuk mund ta ndryshojë më.
Ka kaluar koha kur shqiptarët gjuanin tankset serbe me gurë e me kallashnikovë!”, përfundon ai.