Ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë pas disa javëve shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ku në të cilin prin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.
Rezultati konfirmoi faktin se asnjëra parti nuk do arrijë ta bëj qeverinë e vetme, pa koalicione dhe bashkëpunime.
Së fundi, ishte nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ku u shpreh se gjatë javëve të fundit, nuk ka pasur asnjë bisedë mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por ka thënë se kryetari Abdixhiku ka pasur takime dhe iniciativa me partitë opozitare, duke përmendur biseda me Bedri Hamzën, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj.
Në këtë rast, vetëm Nisma ka deklaruar se është e hapur për të bashkëpunuar me të gjitha partitë, mirëpo ende nuk ka sinjale për bisedime për këtë çështje.
Por, si pritet të duket qeveria e re e Kosovës?
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Fillimisht, ai shpjegoi llojet e koalicioneve, procedurat për formimin e qeverisë, si dhe “vijat e kuqe” mes partive politike.
“Në çdo cikël zgjedhor, qeveritë e Kosovës janë formuar përmes koalicioneve. Kryesisht ekzistojnë dy lloj koalicione, parazgjedhore në afatet e përcaktuara me ligj, që bëhen para se të fillojë fushata zgjedhore dhe bëhen publike, sepse si të tilla edhe regjistrohen në KQZ, dhe koalicionet paszgjedhore, që ndodhin pas çertifikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së. Kjo edhe është duke ndodhur tani, mbase që nga shpallja e rezultateve preliminare, partitë politike opozitare kanë filluar bisedimet diskrete mes veti, duke tentuar të arrijnë një ujdi për formimin e Qeverisë, nëse fituesi i zgjedhjeve, LVV-ja nuk arrinë t’a formojë Qeverinë, mbase për momentin ajo nuk i ka votat. Siç dihet, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja për momentin e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionimit me LVV-në, kurse Nisma është deklaruar se nuk ka vija të kuqe ndaj LVV-së”.
Po ashtu, Musliu tha se diskutimet mes partive politike janë normale, por takimet pas zgjedhjeve të fundit, janë diskrete me qëllim që opozita ta pengojë LVV-në që ta formojë qeverinë.

“Bisedat mes partive politike për arritjen e një koalicioni për formimin e Qeverisë janë krejtësisht normale dhe konform rregullave të demokracisë. Mirëpo, ajo çka është karakteristike për këto zgjedhje, është se, partitë opozitare bëjnë takime diskrete dhe konspirative, me qëllim që të krijojnë një front të përbashkët për ta penguar partinë fituese ta formojë Qeverinë e ardhshme! Në këtë kuptim është edhe deklarata e Lutfi Hazirit, i cili ka deklaruar se LDK-ja deri tani nuk ka patur asnjë bisedë me LVV-së, kurse Abdixhiku ka patur takime me kryetarët e PDK-së dhe AAK-së”, shpjegoi ai.
Krahas kësaj, juristi përmendi partitë e PAN dhe qeverisjen e tyre në të kaluarën, ku duke u bazuar në atë, potencoi se nuk do duhej të vinin këto parti sërish në qeveri.
“PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma (PAN-i) gjatë sundimit për dy dekada, treguan se janë aksi i së keqës, prandaj personalisht në çdo variant, kategorisht do ta kisha përjashtuar çdo koalicion të LVV-ës me t’a, kjo nga shumë arsye, në kalimth do t’i përmendi vetëm disa : PAN-in e lidh vetëm korrupcioni dhe krimi i organizuar ; komandantët e vetshpallur, duke keqpërdorur UÇK-në personalizuan dhe privatizuan luftën, u ngritën mbi ligjin dhe shtetin dhe sunduan si gangsterë dhe banda mafioze ; bashkëpunuan me strukturat kriminale serbe ; i falën tokë Maqedonisë dhe Malit të Zi ; formuan Gjykatën Speciale ; Zajednicën ; kapën dhe shkatërruan sistemin e drejtësisë përmes Pronto mafisë ; në emër të privatizimit plaçkitën pasuritë e Kosovës……
Sëkëndejmi shtrohet pyetja se, a duhet të vjen prap në psuhtet PAN-i, që kriminalizoi institucionet dhe shtetin në përgjithësi!? Në gjykimin tim, kursesi, sepse do të vazhdojnë aty ku e kanë lënë. Atëherë, kush duhe t’a formojë Qeverinë që do të ishte në interes të Kosovës, e jo të individëve dhe grupeve të interesit?”
Megjithatë, Musliu beson se Kurti do e formojë qeverinë, me pakicat joserbe, Rashqin dhe disa deputetë të tjera të opozitës.
“Kryeministri Kurti, sipas të gjitha gjasave, do të tentojë ta formojë Qeverinë me pakicat jo serbe, një deputet të Rashiqit dhe të « peshkojë » dy deputet tjerë, që do të ishte një shumicë fragjile prej « qelqi ». Me këtë opsion zgjidhja e presidentit, do të mund të bëhej në dy mënyra, e para, duke propozuar si president një personalitet koncesual, i pranueshëm për të gjithë, ose duke miratuar Ligjin mbi Referendumin, ku do të parashihej që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga sovrani, e jo në Kuvend përmes kalkulimeve dhe pazareve të pista, duke i kontabanduar dhe keqpërdorur votat për interesa personale”.
Tutje, ai tregoi se nëse Kurti nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë një “kombinim ugurzi” do e presë vendin, pasi që do përsëritej e kaluara.
“Nëse kryeministri Kurti nuk arrinë t’a formojë Qeverinë, atëherë sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që ishte nxjerrë asokohe sipas apetiteve dhe interesave personale të Hashim Thaqit, me qëllim që t’a realizonte ndarjen e Kosovës, kur iu mundësua partive humbëse t’a formojnë Qeverinë, duke e bërë kryeministër Avdulla Hotin, kjo mundësi tani i ofrohet PDK-së me partitë tjera t’a bëjnë numrin e nevojshëm të mandateve për formimin e Qeverisë, me çka LVV-ja si fituese e zgjedhjeve do të shkonte në opozitë.
Sipas mendimit tim, ky do të ishte kombinimi më ugurzi dhe më shkatërrues për interesat më vitale dhe më kritike të Kosovës, sepse do të n’a përsëritej e kaluara e hidhur, kur Kosova u shkatërrua dhe u plaçkit egërsisht. Kurse prej partive politike më së shumti do të humbaste LDK-ja, sepse e kaluara n’a ka mësuar se, sa herë LDK-ja ka bërë koalicion me PDK-në, apo PAN-in, elektorati i LDK-ës dukshëm është tkurrur, që vërteton koha kur Isa Mustafa ishte kryetar i saj”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, juristi përmendi LDK-në dhe rolin e saj në formimin e qeverisë së re, ku tha se nëse bëhet bashkë me partitë e PAN do shkonte drejt shkatërrimit, kurse nëse bën koalicion me LVV-në, do merrte të mbarën.
“Prandaj, siç ja, prononcuar edhe herave tjera, LDK-ja duhet të zgjedh, ose me PAN-in, që do ta çonte drejt shkatërrimit, ose me LVV-në dhe ta merr të mbarën. Gjykoj se, është imperativ i momentumit që LDK-ja të bëjë koalicion me LVV-në sepse do të kishim Qeveri dhe shumicë parlamentare stabile, mandati do të shkonte deri në fund, si dhe do të mund të zgjidhej prsidenti-tja. Mendoj se kjo do të ishte zgjidhja më pragmatike për t’u ballafaquar Kosova në mënyrë konstruktive me sfidat që e presin.
Sidomos tani, kur në LDK janë paraqitur përçarje shumë serioze mes anëtarëve të kryesisë që mund t’a dëmtojnë rëndë partinë, koalicionimi i saj me LVV-në do t’a shpëtonte LDK-në nga kjo krizë partiake”.
Në fund, teksa foli për përccarjet brenda LDK-së, nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të reja, nësë nuk arrihet të formohet Qeveria, as nga pozita e as nga opozita.
“Prandaj në deklaratat e zyrtarëve të LDK-së duhet patur shumë kujdes që mos të paragjykohen dhe mos acarohen pa nevojë raportet para koalicionimeve, sepse deklarata e « nënparashutistes » të LDK-së Doarca Kica-Xhelili, e cila « dje » ka ardhur nga Lista Guxo, në mënyrë kategorike i vendosë vija të kuqe LVV-së, duke thënë se, edhe sikur t’i ofrohej posti i kryeministrit Abdilxhikut apo të gjitha ministritë, nuk do të duhej të bashkëpunohej me LVV-në, që është shumë e dëmshme për LDK-në, është deklaratë e pamatur dhe e papjekur, mbase në politike, « fjala e fundit nuk thuhet në fillim ». Nga ana tjetër kemi mendimin e Anton Qunit, i cili njihet si person konstruktiv, nuk deklarohet kundër një koalicioni me LVV-në.
Nëse nuk arrihet të formohet Qeveria, as nga pozita e as nga opozita, vendi domosdoshmërisht do të shkojë në zgjedhje tjera. Kjo do të ishte në dëm të Kosovës, kurse nga partitë besoj se do të përfitonte LVV-ja”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.