Sot, dita e “zhbllokimit”, kritikohet opozita për bllokadën e së martës

Politika

Sot, dita e “zhbllokimit”, kritikohet opozita për bllokadën e së martës

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 17 prill 2025 Në ora: 09:57
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituojë legjislaturën e nëntë në seancën e së martës. Që në fillim të saj munguan votat e nevojshme për raportin që i hapte rrugë betimit të deputetëve.

PDK, LDK dhe AAK votuan kundër.

Kurse, kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, në mbledhjen e djeshme (e mëkure) të Qeverisë, tha se konstituimi i Kuvendit u pamundësua sepse partitë opozitare PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk votuan për verifikimin e mandateve të tyre si deputetë.

“Në thelb ata që nuk pranuan që formalisht ta marrin mandatin e deputetit po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër”, tha Kurti.

Ai shtoi se kabineti qeveritar është në detyrë dhe efektivisht i dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti, kur sipas tij është përmbushur mandati i rregullt dhe i plotë katër vjeçar.

“Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësit që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se seanca konstituive e radhës mbahet sot (e enjte) në ora 12:00.

Ky vendim erdhi pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani që të mos bllokohet procesi i formimit të institucioneve të reja qeverisëse.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, iu drejtua Presidentes me kërkesën për “sugjerime” pasi e ndërpreu seancën për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

Në letrën drejtuar Kuvendit, Osmani ka potencuar se Kushtetuta e Republikës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë interpretim që e mundëson, e jo që e pengon, themelimin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve.

Ajo citoi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. K072/20, ku thuhet se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve të dala nga vota e qytetarëve.

Çka mund të ndodhë sot?

Image
Xhavit Drenori

Analisti Xhavit Drenori thotë se ajo që ndodhi dje në Kuvend ishte blof i opozitës.

Sipas tij, nuk mund të bësh opozitarizëm duke e lëshuar sallën pa u betuar si deputet dhe se ishte gabim, që shpresoj të mos përsëritet.

Sa për dorëheqjen e Kurtit, Drenori thotë se kjo çështje është e qartë që nga certifikimi i rezultateve. Ai ka sqaruar se më 24 mars e ka përmbushur mandatin dhe tani është vetëm kryeministër në detyrë, siç e parasheh Kushtetuta – derisa të zgjidhet i riu.

“Ajo çka ka ndodhë dje në kuvendin e Kosovës është një blof i opozitës sepse e para e punës për të bërë opozitarizën duhet të konsitituohen institucionet dhe jo në mënyrë të tillë ta lëshojnë Kuvendin pa u betuar deputetët, prandaj ishte një gabim po shpresoj që sot nuk përsëritet, pse them se ishte gabim, sepse ajo se a është dashtë të jap dorëheqje apo jo Kurti nga pozita që është, unë besoj se kjo çështje është prej certifikimit të rezultateve, që atëherë ky ligji që është në fuqi ka paraparë që qeveria duhet të dorëhiqet.

Kurti e ka dhënë sqarimin e tij që atëherë, duke thënë se me 23 mars unë mandatin e kam përmbush dhe më nuk jam kryeministër dhe jam vetëm kryeministër në detyrë siç e parasheh kushtetuta deri të zgjidhe kryeministri i ri”, thotë ai.

Në fund, thotë se skenat e së martës në Kuvend ishin të paprecedenta.

Ai potencon se është e qartë që opozita gaboi që nuk e votoi komisionin teknik.

“Kjo skenë që është paraqit dje, që është rast i parë që ka ndodhë në institucione tona, shpresojmë se nuk do të përsëritet më.

Kush ka të drejtë, nuk jam gjyqtar të them se njëra apo tjetra, por e qartë është se ka qenë gabim i opozitës që s’e kanë votuar atë komision teknik dhe më pas kur të ishin bërë institucionet kanë mundur ta dërgojnë në kushtetuese.

Çka mund të ndodhë nesër, po shpresojmë se opozita do t’i thërrasin mendjes dhe ta kalojnë këtë ngërç të paarsyeshëm dhe të panevojshëm”, thekson Drenori për gazetën.

Makolli: Sipas legjislaturës dhe Kushtetutës, kjo mbledhje duhet të vazhdohet brenda afatit prej 48 orëve

Image
Vesel Makolli

Sekretari i AKR-së dhe njohësi i çështjeve politike, Vesel Makolli, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se dje u dëshmua qartë se pozita hyri në mbledhje pa i pasur numrat. Pra, opozita nuk e bllokoi konstituimin, faji bie mbi pozitën.

Ai thotë se, mbledhja duhej të vazhdon brenda 48 orëve, por LVV zgjodhi ta ndërpresë dhe të kërkojë ndihmë nga Presidentja – veprim i panevojshëm dhe jashtë çdo norme ligjore

“Dje u dëshmua se pozita ka hyrë në mbledhje pa i pasur të sigurt numrat e nevojshëm. Votimi tregoi se vetëm 52 deputetë votuan pro, që do të thotë se shumica e deputetëve nga pakicat jo-serbe votuan kundër ose abstenuan. Andaj, opozita nuk i ka pasur numrat për ta ndalur konstituimin e Kuvendit, dhe faji kryesor bie mbi pozitën.

Arsyetimi, apo më mirë të thuhet etiketimi që iu bë opozitës për bashkëpunim me Listën Serbe, është populizëm dhe patriotizëm folklorik – si çdo herë gjatë këtij mandati të LVV-së, kur ka arsyetuar mos-punën dhe mossukseset e veta.

Sipas legjislaturës dhe Kushtetutës, kjo mbledhje duhet të vazhdohet brenda afatit prej 48 orëve. LVV e dirigjoi përfaqësuesin e saj, që e udhëhoqi seancën, ta ndërpresë atë dhe të kërkojë me shkrim ndihmë nga Presidentja e Republikës – veprim krejtësisht i panevojshëm dhe jashtë normave legjislative”, thotë ai.

Tutje, ai thotë se LVV, edhe pse doli e para nga zgjedhjet, me veprimet pas zgjedhorë dhe në seancën konstituive po e zvarrit krijimin e institucioneve.

Sipas Makollit , VV Po jep sinjale se nuk ka vullnet të qartë për ta formuar shpejt qeverinë dhe për t’u përballur me sfidat, sidomos ato ndërkombëtare.

“Shihet sheshit se LVV, si partia e parë që doli nga zgjedhjet e 9 Shkurtit, me veprimet e saj pas zgjedhore dhe ato gjatë seancës konstituive të Kuvendit, e ka prolonguar krijimin e institucioneve shtetërore, duke dhënë sinjale (isharete) se nuk është e interesuar për krijimin sa më të shpejtë të qeverisë dhe ballafaqimin me obligimet që e presin, në veçanti në rrafshin ndërkombëtar.

Nuk duhet harruar se Kryeministri Kurti, gjatë fushatës, përpos që ka qenë përjashtues, ka përdorur edhe gjuhë fyese ndaj opozitës – gjë që tash po i kthehet si bumerang.

Liderët e partive politike, e në veçanti z. Kurti, duhet t’i lënë anash inatet mes veti dhe interesat partiake e vetjake, duke e vënë interesin shtetëror mbi të gjitha.

Duke parë se ekziston një lloj “frike” për të marrë përgjegjësinë e krijimit të qeverisë, në këto rrethana gjeopolitike evropiane e botërore që po kalojmë, zgjidhja më e mirë – thuajse ideale – do të ishte krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse, të ashtuquajtur teknike, e cila do të ishte stabile, do të merrte përgjegjësi për vendime jetike për shtetin dhe do t’i përmirësonte shpejt marrëdhëniet me miqtë tanë, duke e ngritur rejtingun e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, përfundon Makolli për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat