Nesër për tentimin e tretë/ Pse dështoi përpjekja e dytë për konstituimin e Kuvendit? Ja paralajmërimi për partitë politike!

Politika

Nesër për tentimin e tretë/ Pse dështoi përpjekja e dytë për konstituimin e Kuvendit? Ja paralajmërimi për partitë politike!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 prill 2025 Në ora: 09:53
Kuvendi i Kosovës

Për të dytën herë, të enjten, deputetët kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike. Por, pas konsultimit, ai tha se nuk ka konsensus se si të vazhdohet tutje.

PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton "të blejë kohë për pazare politike", pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.

Këto parti insistuan që anëtarët e kabinetit qeverisës, që kanë dhënë dorëheqje me qëllim që të betohen si deputetë, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje, pasi argumenton se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi.

E të gjendur në këtë situatë të shtunën, në orën 12:00, do të bëhet përpjekja e tretë për të votuar raportin e komisionit dhe për të mundësuar betimin e deputetëve të rinj.

Deri atëherë, mbetet e paqartë nëse do të ketë ndryshim të qëndrimeve dhe nëse Kuvendi do të arrijë më në fund të konstituohet.

Mirëpo, si cilësohen këto veprime të PDK, LDK dhe AAK, të cilat po bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës?

Afati ligjor, 30 ditë nga dita e caktimit të Presidentes

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai thotë që konstituimi i Kuvendit të Kosovës duhet të përfundoj deri më 15 maj dhe se interpretimet e KDI janë të ndryshme pasi të njejtët kanë rolin e monituresit e jo të zbatuesit të ligjit.

Image
Blerim Burjani

“Afati ligjor është 30 ditë nga dita e caktimit të Presidentes, pra deri më 15 maj duhet të përfundojë kjo procedurë. Edhe pse rregullorja parasheh një afat prej 48 orësh, nëse kjo nuk ndodh, atëherë Presidentja duhet të fillojë konsultimet me partitë politike për hapat e mëtejshëm. Pra, kjo çështje duhet të mbyllet deri më 15 maj.

Gabimisht KDI ka dhënë një interpretim të ndryshëm. Ne që jemi marrë drejtpërdrejt me procesin zgjedhor, e dimë saktësisht se çfarë ndodh në këto raste. KDI ka rolin e monitoruesit, jo të zbatuesit të ligjit. Ndërsa ne, që jemi marrë me zbatimin e ligjit, kemi qëndrim të saktë dhe të bazuar”, u shpreh ai.

Më tej, juristi thekson që sipas rregullores të gjithë kandidatët që kanë fituar mandatin e deputetit duhet të dorëzojnë dorëheqjen në KQZ dhe të kërkojnë të zëvënedësohen nga kandidatë të tjerë.

“Sipas rregullave, dorëheqja është dashur të ndodhë një ditë para certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ. Të gjithë ata që kanë pranuar mandatin e deputetit nuk mund të jenë më pjesë e Qeverisë në detyrë. Tani, kandidatët që kanë fituar mandat deputeti duhet të dorëzojnë dorëheqjen në KQZ dhe të kërkojnë që të zëvendësohen nga kandidatët tjerë.

Nëse nuk dorëzojnë dorëheqjen, ata automatikisht konsiderohen si deputetë me mandat të vlefshëm dhe nuk mund të ushtrojnë më funksione ekzekutive në Qeverinë në detyrë. Kjo është shumë e qartë, dhe nuk ka vend për interpretime të tjera”, foli juristi Burjani për “Bota sot”.

Ahmeti: Në përputhje me ligjin, Qeveria aktuale vazhdon të funksionojë si Qeveri në detyrë

Ndërsa, nëse e shikojmë në aspektin politik, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Ai thotë që konstituimi i Kuvendit të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt, pasi vonesat nga ana e partive politike janë në dëm të qytetarëve të Kosovës.

Image
Hidajet Ahmeti

“Konstituimi i Kuvendit të Kosovës është një obligim ligjor dhe kushtetues, i cili duhet të ndiqet përmes procedurave formale dhe juridike. Çdo përpjekje nga ana e partive politike për të krijuar kauza të rreme është në dëm të qytetarëve të Kosovës, pasi vonesat në këtë proces lidhen më shumë me teke të paarsyeshme politike sesa me ndonjë çështje përmbajtësore”, thotë ai.

Tutje, analisti vazhdon bisedën duke i quajtur veprimet e ish-opozitës jo serioze sepse ligjet e Republikës së Kosovës e përcaktojnë qartë këtë situatë.

“Ish-opozita apo ish-pozita parlamentare – sepse në strukturën e re parlamentare nuk mund të cilësojmë më qartë asnjërën palë si opozitë apo pozitë – duhet të ketë parasysh se Qeveria aktuale është ende në detyrë. Është e rëndësishme që edhe partitë politike që po ndërtojnë kauza të rreme ta kuptojnë se një qasje e tillë nuk është as serioze dhe as e sinqertë, sepse Kushtetuta dhe ligjet e Republikës e përcaktojnë qartë këtë situate”, shpjegoi analisti.

Në fund, ai thotë që Qeveria në detyrë në përputhje me ligjin mund të funksionojë në vazhdimin e detyrave duke respektuar kufizimet ligjore të statusit të saj.

“Nuk ka asnjë logjikë – as politike e as juridike – që pozita e Kryeministrit apo ministrave të mbetet vakant deri në formimin e Qeverisë së re. Në përputhje me ligjin, Qeveria aktuale vazhdon të funksionojë si Qeveri në detyrë, me kompetenca të kufizuara të përcaktuara qartë me ligj. Ajo është e obliguar të vazhdojë detyrat deri në krijimin e ekzekutivit të ri, duke respektuar kufizimet ligjore të statusit të saj”, përfundoi analisti politik, Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat