Vazhdimi i seancës, Ahmeti kritikon opozitën: Ja ku qëndron problemi i partive poltike!

Politika

Vazhdimi i seancës, Ahmeti kritikon opozitën: Ja ku qëndron problemi i partive poltike!

Nga: A.M. Më: 21 prill 2025 Në ora: 08:01
Albulena Haxhiu

Të hënën, në orën 15:00, do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të bëhet një tjetër propozim për Kryetar të Kuvendit.

Gjatë seancës së së shtunës, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme.

Haxhiu ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë kandidate për kryeparlamentare edhe në seancën e ardhshme.

Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka hedhur akuza ndaj deputetëve të opozitës që nuk morën pjesë në votimin për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit.

Në një postim në Facebook, Kusari-Lila ka theksuar se ky veprim përbën shkelje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. KOU9/14, pika 128 thotë se “Në konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu. Dje në pikën për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, kishte deputetë që nuk morën pjesë fare në votim. Mosvotimi sipas këtij Aktgjykimi konsiderohet shkelje. Ky veprim nuk mund të përsëritet nesër gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit”, ka shkruar Kusari –Lila në Facebook.

Lidhur me këto zhvillime, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbsiedim për “Bota sot”, deklaruar se opozita nuk ka mundësi tjetër veçse të votojë për kandidatin e propozuar nga partia e parë.

Image
Hidajet Ahmeti

“Opozita është e vetëdijshme për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila specifikisht i jep të drejtë partisë së parë për të propozuar kandidatin për kryparlamentar. Opozita e ka të domosdoshme të votoj kandidatin e propozuar nga partia e parë, kuptohet nëse partia e parë nuk i ka votat e mjaftueshme”, ka thënë ai.

Sa i përket mos votimit të kandidatës së VV-së për kryetare të Kuvendit, Ahmeti ka shpjeguar se problemi i opozitës nuk është Haxhiu.

“Mendoj se problemi për opozitën nuk është znj.Albulena Haxhiu, por problemi është Vetëvendosje, çdo arsyetim tjetër nga opozita është i paqëndrueshëm, por edhe i palogjikshëm.Për të zgjidhur këtë krizë, opozita duhet të pranoj realitetin që kanë prodhuar zgjedhjet nacionale e nuk duhet të sillen si fituesë”, ka potencuar ai.

Sipas tij, opozita duhet të zhveshen nga inatet personale dhe se duhet të fillojë të merret me vetveten.

“Partitë politike duhet të zhveshën nga inatet personale, pasi Kosova ka nevoj të krijoj institucione të qendrueshme për t'i çuar proceset përpara. Opozita duhet të filloj të merret me vetën dhe në të ardhmen të jetë konstruktive në kritika, pasi kjo mënyrë e veprimit nuk i jep mundësi të rriten elektoralisht, por opozita as nuk e ka komoditetin të sillet kështu”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat