Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dështoi sërish pasi s'u hodh fare në votim.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, kërkoi marrëveshje politike për të dalë nga kriza.
Opozita nuk ka ndërruar mendje dhe e kundërshton votimin e kandidatës së saj, Albulena Haxhiu.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë të mërkurën në orën 15:00.
Kjo ishte përpjekja e katërt e deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Ardian Bajraktari.
Ai thotë se për të kaluar këtë situatë duhet diskutime dhe kompromise mes partive politike mirëpo që barra më e madhe i takon subjektit fitues të zgjedhjeve.

“Për tejkalimin e kësaj situate, duhet diskutime dhe kompromise në mes të subjekteve politike, dhe se subjektit fitues të zgjedhjeve i takon më shumë barra e përgjegjësisë”, u shpreh ai.
Juristi më tej përmend Kushtetutën e vendit duke thënë që bazuar në ato duhet të ketë themelim të institucioneve shtetërore dhe jo bllokim të tyre.
“Referuar Kushetutës dhe Aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, rasti Nr. KO119/14 i vitit 2014 si dhe rasti Nr. KO72/20 i vitit 2020, theksohet se të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, duhet të ushtrohen në shërbim të themelimit dhe mbarëvajtjes efektive të institucioneve shtetërore.
Dhe se, struktura e normave kushtetuese që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohen në atë mënyrë që të jetësojnë dhe jo të bllokojnë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve përkatëse”, përfundoi juristi Bajraktari për “Bota sot”.
Kujtojmë që deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, tha se partia nuk e sheh të aryeshme që në këtë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë.
Për këtë, ai kërkoi marrëveshje me partitë e tjera politike për çështjen e kryetarit të Kuvendit, si dhe kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë e dështimit të votimit të Haxhiut.
Pas kërkesës së Konjufcës, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se ajo do të vazhdojë pas 48 orëve.