Pasi u konstitua të shtunën, Kuvendi i Kosovës dy herë radhazi dështoi që ta zgjedhe Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, propozim ky i partisë fituese Lëvizjes Vetëvendosje.
E sot u mblodh përsëri Kuvendi më të njëjtin qëllim, por që u Vetëvendosje nuk e hodhi në votim fare Haxhiun, por në vend të kësaj kërkoi marrëveshje politike.
Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, deklaroi se Vetëvendosje nuk e sheh të arsyeshme që në këtë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë.
Kurse një seancë tjetër është thirrur që të vazhdojë pas 48 orëve, pra ditën e mërkurë.
E lidhur me këtë bllokim që ka ndodhur tash e sa ditë në Kuvendin e Kosovës, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe publicisti, Skënder Zogaj.

“Bllokimi i situatës ka ndodhur nga rezultati zgjedhor që ka krijuar raport kritik ndërmjet pozitës dhe opozitës, që për fatin e keq të Kosovës, kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe mosdurim të skajshëm e të pashembulltë armiqësor që po e pamundëson krijimin e Kuvendit të Kosovës dhe krijimin e institucioneve qeverisëse të vendit”, shprehet Zogaj, sipas të cilit, kjo që po ndodhë në Kuvend është shumë e rrezikshme për Kosovën.
“Ky bllokim është tepër i komplikuar dhe, shumë i rrezikshëm për rrethanat aktuale për Kosovën që, është e preokupuar me një varg problemesh të brendshme politiko-ekonomike dhe pozitës së brishtë ndërkombëtare, me rrezikun permanent nga Serbia! E gjithë kjo e bën të habitshme situatën bllokuese të Kuvendit duke dëshmuar vetëdijen e ultë të përgjegjësisë atdhetare, por edhe morale, sepse janë të padenjë për të përfaqësuar interesin e popullit të tyre!”, nënvizon Zgoaj,
Për fund, Zogaj deklaron se Vetëvendosje do të arrij që t’i sigurojë 61 votat që i duhen për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit.
“Pas katër tentimeve të dështuara për ta krijuar Kuvendin dhe për ta zgjedhur kryetarin, pasojat janë të pariparueshme, sepse, gjasat janë të vogla për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje të qëndrueshme dhe e dobishme funksionale e qeverisjes së vendit! Unë mendoj se VV do t'i bëjë 61 votat për zgjedhjen e kryetarit por, çka më tutje? Dihet: një Kuvend kaotik, zhurmash, një Kuvend gladiatorësh! Do të isha i lumtur nëse, jam i gabuar!”, përfundon për “Bota sot”, analisti Skënder Zogaj.