Tashmë po mbushen gati tre muaj që kanë përfunduar zgjedhjet nacionale në Kosovë, dhe vendi po përballet me krizë politike.
Deri më tani, pas disa dështimesh u konstitua Kuvendi i ri, por që dy seanca po dështon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin që ta sigurojë shumicën.
E mos konstituimi i plotë i Kuvendit, nuk po i hap rrugë formimit të Qeverisë së re në Kosovë.
Por kjo vonesë në formimin e institucioneve të reja, sipas analistit Gani Qarri, do t'i kushtojë shtetit të Kosovës.
"Në fakt nga zhvillimet e deritanishme, partitë politike u pa se kaluan mospajtimet, vetëm për votimin e raportit që verifikon mandatet e deputetëve dhe ligjvënësit e rinj, u betuan si deputetë të legjislaturës së dalë nga votimet e 9 shkurtit, por ata dështuan të zgjidhnin edhe kryesinë dhe kryetarin/en e Kuvendit, pasi që me Albulena Haxhiun kandidate të LVV-së, as për të tretën herë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta përmbyllë konstituimin dhe dështoi që ta zgjidhte kryekuvendarin/en! Ndërsa mos formimi i institucioneve te reja, jo vetëm që po i kushton shumë edhe në arenën ndërkombëtare Kosovës, kur dihet se tanimë po bëhen 3 muaj që kur kanë përfunduar zgjedhjet, por vonesa në formimin e institucioneve, po konsiderohet edhe si një kërcënim për stabilitetin e demokracisë në Kosovë", shprehet Qarri.

Ai thotë se bllokada e krijuar, është një dëshmi e qartë se Kosova ka nevojë për reformë kushtetuese.
"Dhe ky ngërç i pazakonshëm institucional, po dëshmon publikisht, se sistemi ynë politik, vërtetë ka nevojë urgjente për një reformë të thellë kushtetuese, në mënyrë që problemet, si ky me Kuvendin, të mos ndodhin serish, apo të përsëriten, pas të gjitha votimeve që mund të mbahen në Kosovë. Me këtë mënyrë sharlatane, të sjelljeve nga partitë aspak serioze e deputet pa vetëdije të mjaftueshme politike, dhe që nuk janë as në nivel të detyrës, Kosova po turpërohet botërisht edhe para faktorit ndërkombëtar, megjithëse fillimisht e lavdëroi dhe vlerësoi jashtëzakonisht lartë, votuesin e emancipuar të Kosovës, gjë që nuk mund të vlejë edhe për partitë dhe deputetët e zgjedhur me votat e qytetarëve", thekson Qarri.
Ai shton se me sjelljet e tyre, klasa politike po e humb besimin e bashkësisë ndërkombëtare.
"Kosova me politikbërës të tillë, po humb besimin edhe te partnerët ndërkombëtar dhe irriton veçanërisht shumë, qytetarët të cilët në mënyrë aq dinjitoze votuan për legjislativin dhe qeverinë e re, duke u shkuar dëm jo vetëm besimi i shprehur, ndaj sharlatanëve të tillë politik, por duke u keqpërdorur nga partitë, në mënyrën më të palejuar edhe vota e qytetarëve, për lojëra të ndyta politike në Kuvend. Andaj i habitur me sjelljet aspak serioze të fëmijaçëve politik të Kosovës, edhe Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, pas atij gjerman, anglez etj, deklaroi këto ditë se është shumë e rëndësishme që të formohen institucionet shtetërore, sa më shpejt në Kosovë që të jetë e mundur, por megjithëse siç tha Nissinen, jetojmë në një situatë globale ku zhvillimet e reja nuk ndalen, as në seancën e 21 Prillit, të orës 15:00, nuk u paraqit një emër i pranueshëm dhe as që u votua fare, në mënyrë që sa më parë, të formohen institucionet funksionale të shtetit të Kosovës", deklaron Qarri.
"Përndryshe Kosova është ajo, që do ti vuaj pasojat e kësaj vonese, ngase zhvillimet në rajon dhe botë nuk na presin neve, kur dihet mirëfilli se reformat të cilat janë aq të nevojshme për vendin, duhet medoemos të zbatohen dhe qohen sa më parë-përpara, prandaj sa më shpejt që të kemi një qeveri të re dhe një Kuvend të ri të formuar, do të ishte në të mirën e shtetit dhe të popullit të Kosovës, si e tha edhe vet z.Nissinen", shton analisti Gani Qarri.
Për fund, Qarri propozon që deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, mund të jetë një emër konsensual dhe i pranueshëm edhe për opozitën.
"Kështu që për të dalë nga kjo gjendje dhe zhbllokuar ngërçin institucional, shihet qartë se është e nevojshme një marrëveshje politike apo të propozohet një emër tjetër, si Saranda Bogujevci, e cila përveçse ka përvojë me udhëheqjen e seancave të Kuvendit edhe nga mandati i kaluar, realisht është edhe personi i duhur dhe meritor për këtë post dhe siç u tha në kuvend, do të votohej edhe nga partitë tjera, në këtë mënyrë do të zgjidhej ngërçi aktual dhe ndoshta përveç kryesisë së Kuvendit, do të formoheshin edhe institucionet tjera shtetërore, përndryshe duhet tu hapet rruga zgjedhjeve të reja, sepse në këtë mënyrë nuk mund të vazhdohet", përfundon për "Bota sot", analisti Gani Qarri.