Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dështoi sërish.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, kërkoi marrëveshje politike për të dalë nga kriza.
Megjithatë, opozita nuk ka ndërruar mendje dhe e kundërshton votimin e kandidatës së saj, Albulena Haxhiu.
E në lidhje me situatën e krijuar në Kuvend dhe tentativat për konstituimin e tij, për “Bota sot” foli profesori Eshref Ymeri.
Së pari, ai tha se fitorja e LVV ishte e mirëserardhur, derisa u shpreh i zhgënjyer e LDK-në dhe refuzimin që ia ka bërë partisë fituese për një bashkëpunim të mundshëm.
“Të gjithë shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare, në mbarë trojet tona etnike, e kanë ndier veten krenarë me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, sepse, për herë të parë në historinë tonë, u krijua një qeveri me integritet dhe me dinjitet të admirueshën kombëtar, e cila i tregoi vendin Serbisë fashiste, mercenarëve të saj europianë dhe sorosistëve amerikanë.
Njerëzit patën shpresuar se udhëheqja e LDK-së do të ngrihej mbi interest e veta personale dhe, në respekt të thellë të popullit dardan, do të hynte në aleancë me Vetëvendosjen. Janë zhvilluar pesë seanca të Kuvendit dhe udhëheqësi i partisë opozitare, dikur rugoviste, vazhdon të bashkëpunojë me partitë e tjera opozitare vetëm për interesat e Serbisë fashiste”.

Përveç kësaj, Ymeri beson që kandidatura e Haxhiut është e duhur, derisa kundërshtoi mundësinë që Limaj të jetë në postin e kryetarit të Kuvendit.
“Kandidatura e ish-ministres së drejtësisë, Zonjës Albulena Haxhiu, ishte më se e përshtatshme për postin e Kryetares së Kuvendit. Në qoftë se Vetëvendosja ka menduar që me mospranimin e kandidaturës së saj për në atë post, do të fitonte kohë për negociata me Limajn, ajo ka gjykuar gabim. Sepse Limaj është mashtrues dhe i pabesë, ashtu si edhe Ramush Haradinaj”, u shpreh profesori.
Ndër të tjera, ai shtoi se në rast se dështon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të dal nga kriza politike.
“Po qe se edhe në seancën pasardhëse nuk do të jetë e mundur të zgjidhet Kryetari i Kuvendit, atëherë Kryeministri Albin Kurti duhet t’i drejtohet me një thirrje të posaçme popullit dardan, duke theksuar se e vetmja mundësi për ta dalë nga kriza politike që opozita tradhtare, në bashkëpunim me Serbinë fashiste, i ka shkaktuar mbarë vendit, është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme”, përfundoi Eshref Ymeri për “Bota sot”.