Për herë të tretë radhazi ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Kjo, pasi nuk u hodh fare në votim emri i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Arsyeja ishte kundërshtimi i opozitës, e cila që në fillim ka shprehur qartë se nuk do ta përkrahë kandidaturën e saj.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pas mungesës së konsensusit, vendosi të ndërpresë seancën dhe bëri të ditur se ajo do të vazhdojë të mërkurën, më 23 prill, në orën 15:00.
Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, insiston se i takon asaj propozimi i kryetarit të Kuvendit dhe i qëndron kandidaturës së Haxhiut, ndonëse është përballur me refuzim të prerë nga partitë opozitare.
Këto të fundit kanë kërkuar një emër tjetër më të pranueshëm dhe me më shumë kredibilitet politik, duke përmendur si arsye “mungesën e profesionalizmit dhe sjelljen përçarëse të Haxhiut ndaj opozitës në të kaluarën”.
Kjo situatë ka futur Kuvendin në një bllokadë politike që po zgjat tashmë prej ditësh, duke lënë në pritje procesin e konstituimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit.
Nëse nuk arrihet konsensus as në seancën e së mërkurës, mund të pasojnë zhvillime të reja politike, përfshirë edhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.
Kurse, Glauk Konjufca kërkoi “kohë shtesë”.
“Meqenëse e kemi pa që të gjitha subjektet politike qysh dje janë prononcuar se do ta kishin vendimin e njëjtë edhe në këtë seancë, mendoj që kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveçse me një marrëveshje”.
Burjani: Mendoj se Mefail Bajqinovci mund të jetë kandidat, apo Fatmire Kollçaku
Juristi Blerim Burjani, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se posti i kryetarit të Kuvendit po kontestohet për shkak të mungesës së numrave nga VV dhe refuzimit të opozitës për të votuar Albulena Haxhiun, për shkak të sjelljes fyese dhe mungesës së përvojës.
Sipas tij, opozita kërkon një kandidat më të pranueshëm.
Burjani sheh si alternativë Mefail Bajqinovcin ose Fatmire Kollçakun.

“Posti i kryetarit kontestohet në mungesë numrash që nuk i ka VV, pastaj opozita kushtëzon VV për Albulenën – e don dikë tjetër, më të aftë, më të pranueshëm. VV dihet se problemin kryesor e ka me deputetë pa profil profesional fare, pra aty nuk ka çka të zgjedh askush, por dikush duhet. Kjo që e them – dikush, pra duhet dikush tjetër të kandidohet, që madje nuk është fyes dhe i padijshëm deri në fund. Mendoj se Mefail Bajqinovci mund të jetë kandidat, apo Fatmire Kollçaku.
Për nënkryetarë nuk ka nevojë për konsensus, dhe nuk besoj se do të ketë probleme për nënkryetarët.
Albulena nuk votohet – dihen arsyet. Më shumë cilësohet si fyese, sepse i ka fyer opozitën dhe të tjerët, pastaj ka mungesë përvoje dhe dijesh. Por për poste politike, VV nuk ka çka me i këqyr – nuk ka askënd me profesionalizëm”, thotë ai.
Sadiku: VV të ofrojnë një tjetër kandidat konsensual, e ajo mund të jetë Saranda Bogujevci

Kurse, analisti Arbnor Sadiku thotë se pasi opozita nuk po e votojnë Albulena Haxhiun për kryetarë të Kuvendit, atëherë LVV të ofrojë tjetër kandidatë, që mund të jetë edhe Saranda Bogujevci.
“E para e punës vërehet dështimi i LVV-së, si parti fituese për të siguruar votat, për kryetar Kuvendi dhe Qeveri;
Së dyti, nëse e kërkon votën për kryetar Kuvendi nga opozita duhet ofrojnë një tjetër kandidat konsensual, e ajo mund të jetë Saranda Bogujevci”, përfundon për “Bota sot”.
Kujtojmë, se zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajtën më 9 shkurt 2025, siç u dekretua nga Presidentja Vjosa Osmani.
Në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje doli partia fituese por kishte rënie që nga zgjedhjet e vitit 2021.