Sot pritet të mbahet për herë të pestë vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Kjo vjen pasi të hënën nuk u propozua asnjë emër për kryetar të Kuvendit, për shkak se opozita refuzon të mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje.
Gjatë seancës së kaluar, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi arritjen e një marrëveshjeje politike, pasi pa një shumicë në Kuvend, nuk është e mundur as zgjedhja e kryetarit dhe as funksionalizimi i ligjvënësit.
Kërkesën për kohë shtesë për të arritur një marrëveshje e bëri deputeti i VV-së, Glauk Konjufca.
“VV, padyshim e ka emrin e njëjtë, Albulena Haxhiu si e propozuar. Ne meqenëse e kemi parë që të gjitha subjektet politike qysh dje kishin paralajmëruar se do të kenë qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç se me një marrëveshje politike...Pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend për kryetarin e Kuvendit nuk do të mund të themelohet vetë Kuvendi. E njëjta logjikë është edhe për nënkryetarët. Atëherë ne zoti kryesues kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë që e patëm tri herë radhazi në Kuvend”, ka deklaruar Konjufca.
Për këtë kërkesë të Vetëvendosjes, gazeta “Bota Sot” ka tentuar të marrë një reagim nga partitë opozitare, por këto të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.
Bajqinovci: Partitë opozitare do të reflektojnë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se Kushtetuta e përcakton qartë se kujt i takon posti i kryetarit të Kuvendit.
“Kushtetuta eshte e qartë: Kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese të zgjedhjeve. Kjo nuk është çështje dëshire, por një detyrim ligjor dhe demokratik që garanton respektimin e vullnetit të qytetarëve”, ka thënë ai.
Bajqinovci ka shtuar se pret nga partitë opozitare të veprojnë në përputhje me rendin kushtetues të vendit.
“Besoj se partitë opozitare do të reflektojnë dhe do të veprojnë në përputhje me normat kushtetuese dhe standardet demokratike”, ka potencuar Bajqinovci.
Mehazi: Kushtetusja nuk e përkufizon afatin e përzgjedhjës së Kryetarit të Kuvendit
Lidhur me situatën politike të krijuar në vendin tonë, profesori Sulejman Mehazi është shprehur se ajo mund të zgjidhet vetëm kur të zbuten inatet politike të opozitës .

“Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës do të zgjidhet derisa të zbuten inatet politike të partive opozitare të Kosovës PDK-së, LDK-së dhe AAK-së ndaj kryetarit të LVV-së, kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Vërehat hapur se gjithë ky mohim dhe revoltë e tepër e partive opozitare ndaj partisë fituese të LVV-së ka bërë që për së katërti herë mos të zgjidhet kandidatje, Albulena Haxhiu, për Kryetare e Kuvendit të Kosovës”, ka cilësuar ai.
Sipas tij, Kushtetuta nuk parashikon një afat specifik për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
“Pasi Gjykata Kushtetuese nuk e përkufizon afatin e përzgjedhjës së Kryetarit të Kuvendit, kështu që mund edhe gjatë seacës së radhës mos të zgjidhet, Albulena Haxhiu. Inatet e dy taboreve pozitë-opozitë do zgjasin derisa njëra palë të lëshonte pe, pala që duhet të zbutë inatet politike është ajo e opozitës për shkak se Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë partisë fituese LVV-së të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, profesori ka treguar se si mund të zgjidhet ngërçi politik.
“Ngërçi është i dyanëshëm dhe ky ngërç politik mund të zgjidhet vetëm me një marrëveshje politike dypalëshe, mirëpo problemi është se opozita gjatë marrëveshjes me LVV-në mund të shkonte deri në kërkesa maksimale që kryeparlamentari të jetë nga ana e partive opozitare dhe këtë kërkesë së opozitës, Albin Kurti, me siguri do ta refuzonte, i cili njihet si politikan i sfidave të mëdha dhe me principe të hekurta dialoguese në dobi të LVV-së, këto principe të forta politike të Kurtit i kemi vërejtur, dëgjuar e parë edhe gjatë dialogut me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqit.
Albin Kurti është politikan i skenave dramatike që konfliktet dialoguese ndo ndaj opozitës, ndo ndaj Serbisë i japin forcë për ta bërë më të fuqishëm LVV-në dhe Kosovën”, ka theksuar Mehazi.
Gashi: Seanca e së mërkurës rrezikon të jetë dështimi i radhës
Ndërkaq, sipas analisti Eduard Gashi, seanca do të dështoj sërish.

“Seanca e së mërkurës rrezikon të jetë dështimi i radhës. Pa një marrëveshje të sinqertë dhe gjithëpërfshirëse, çdo tentativë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit do të jetë vetëm një inskenim politik, jo zgjidhje reale. Dhe ndërkohë, pasojat bien mbi qytetarët: pa Kuvend, nuk ka Qeveri, nuk ka ligje, nuk ka funksionalitet institucional. Kjo është një ngërç i rrezikshëm, që dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe minon vetë themelet e shtetit”, ka thënë ai.
Tutje, Gashi ka sqaruar se cilat janë përgjegjësit e Kurtit dhe VV-së.
“Përgjegjësia është e qartë – dhe nuk është e opozitës. Opozita nuk ka obligim t’i shërbejë skemave të një partie që i ka poshtëruar sistematikisht. Përgjegjësia bie mbi Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, që si fitues relativë të zgjedhjeve, duhet të tregojnë pjekuri politike. Ata duhet të kërkojnë marrëveshje me respekt, jo me shantazh, me bashkëpunim, jo me diktat.
Nëse nuk janë të gatshëm për këtë, atëherë procesi duhet të kalojë në duar të tjera. Demokracia nuk mund të mbetet peng i interesave personale të një lideri që s’ka as kulturë kompromisi, as kapacitet bashkëpunimi. Kosova ka nevojë për institucione të menjëhershme, të qëndrueshme dhe me legjitimitet moral. Nuk ka më kohë për eksperimente me autokraci të kamufluar si reformizëm”, ka deklaruar ai.
Në fund, Gashi ka treguar se për çfarë ka nevojë Kosova.
“Sot është koha për përgjegjësi politike. Nëse Albin Kurti nuk është në gjendje të sjellë zgjidhjen, atëherë nuk është më pjesë e saj. Shteti nuk mund të mbahet peng për egot e një njeriu. Kosova nuk ka nevojë për një sundimtar – ka nevojë për një shërbyes të urtë të qytetarëve, që di të dëgjojë, të bashkëpunojë dhe të ndërtojë me të gjithë”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”.