Vrasja e policit Lika/ Ekspertët të shqetësuar për rritjen dhe ndikimin e ekstremizmit në shoqëri

Politika

Vrasja e policit Lika/ Ekspertët të shqetësuar për rritjen dhe ndikimin e ekstremizmit në shoqëri

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 prill 2025 Në ora: 11:51
Momenti kur njëri nga të dyshuarit sillet në Gjykatë

Pas ngjarjes tragjike të vrasjes së policit Afrim Lika, shqetësimet për përhapjen e ekstremizmit në shoqërinë tonë kanë marrë një dimension të ri. Njohës të sigurisë dhe analistë të çështjeve sociale theksojnë se, nëse dyshimet për motive ideologjike ose ekstremiste rezultojnë të vërteta, atëherë rreziku është shumë më i thellë se sa një rast i izoluar.

Saktësisht 47 sekonda pretendohet të jetë koha prej kur i mituri R.B. kishte hyrë brenda objektit banesor ku jetonte rreshteri policor Muhamet Lika, dyshohet se e kishte kryer vrasjen dhe më pas kishte dalë me vrap nga objekti më 1 prill 2025, pak para mesnate.

Me vetura të ndaluara e me përcjellje të vazhdueshme deri në momentin e vrasjes ishte vëzhguar rreshteri Muhamet Lika nga grupi i përbërë nga një i mitur R.B. dhe gjashtë të dyshuarit e tjerë: Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi.

Për disa javë hetuesit policorë kishin punuar në hetimin dhe zbardhjen e vrasjes së rreshterit policor Muhamet Lika, ndërsa më 21.04.2025 në një aksion të gjerë policor në të cilin morën pjesë qindra policë u bë edhe arrestimi i një grupi, i cili në formë të organizuar po dyshohet se kryen vrasjen e Muhamet Likës.

E gjatë ditës së marte Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar paraburgim nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve: Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi nga Komuna e Kaçanikut, për shkak të dyshimit të veprës penale “vrasja e rëndë”.

Këta gjashtë persona dyshohet se organizuan vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika në Kaçanik më 01.04.2025, teksa dorasi dyshohet e është R.B., i mitur.

Këta persona të arrestuar dyshohet që i përkasin një grupi që ishin të frymëzuar me motive ekstremiste fetare.

Të pandehurit që nga data 22 Prill 2025, me vendim të Prokurorit të shtetit, gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.

Ani pse hetimet nuk kanë përfunduar dhe nuk ka ndonjë verdikt përfundimtar të Gjykatës lidhur me këtë ngjarje, ekspertët e sigurisë konsiderojnë se Kosova vazhdon të jetë e kërcënuar nga ekstremizmi fetar.

Berisha: Kosova ёshtё e rrezikuar

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fidair Berisha.

Image
Fidair Berisha

Ai tha se gjatë kohës kur Kosovës i ndihmuan shumë organizata humanitare arritën që të njëjtën kohë të ketë organizata fetare ekstreme që e arritën qëllimin e tyre duke shtrirë ideologjinë destruktive.

“Pas vitit 2000, Kosova filloi të ballafaqohet me ideologji që më parë nuk ishin të njohura për qytetarët. Pas përfundimit të luftës, në vend hynë shumë organizata humanitare nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe ato nga vendet arabe, të cilat ndihmuan Kosovën me forma të ndryshme të ndihmës. Megjithatë, në këtë periudhë, disa organizata fetare me prirje ekstreme nga vende të ndryshme arritën të përhapin ideologji destruktive (si ajo e tekfirit), e cila, ndonëse u pranua vetëm nga një numër i vogël besimtarësh në Kosovë, përbën një rrezik real. Edhe pse ky numër fillimisht mund të duket i vogël dhe jo shqetësues, në të vërtetë, Kosova ka qenë dhe mbetet e rrezikuar nga ekstremizmi fetar,” – u shpreh ai.

Gjithashtu ai cek që imamët duhet të përçojnë paqe në gjithë vendin dhe jo të kundërtën e saj.

“Duhet të kuptohet se as Kosova dhe as kombi ynë nuk janë rrezikuar ndonjëherë nga Islami tradicional. Përkundrazi, deri në vitin 2000, kombi ynë është krenuar për shekuj me këtë formë të Islamit, të cilin e ka pranuar si fe të vetën. Fatkeqësisht, sot, Islami jo-tradicional është shfaqur me elemente të radikalizmit në disa segmente të shoqërisë, duke sjellë një rrëshqitje shqetësuese nga vlerat e qytetërimit perëndimor drejt atij lindor. Këtë e dëshmon edhe fakti që një përqindje jo e vogël e njerëzve – përfshirë edhe disa imamë – deklarojnë hapur se i japin përparësi fesë përpara përkatësisë kombëtare. Kjo është një çështje thellësisht shqetësuese”, nënvizon Berisha.

Ai shprehet se programet për de-radikalizimin e individëve të identifikuar si të rrezikuar janë të domosdoshme, sepse ekstremizmi mund të jetë sfida e radhës për Kosovën.

“Meqenëse fenomeni i radikalizmit ka prekur edhe vendet e rajonit, kërkohet me patjetër një bashkëpunim rajonal për hartimin dhe zbatimin e programeve të përbashkëta për de-radikalizim – veçanërisht me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duke pasur parasysh rëndësinë jetike që ka paqja dhe toleranca për Kosovën, si dhe rolin që institucionet fetare mund të luajnë në ndërtimin e saj, Bashkësia Islame e Kosovës, përmes institucioneve dhe imamëve të saj, duhet të jetë vazhdimisht aktive në përçimin e mesazheve hyjnore që thërrasin për paqe, dashuri, mirëkuptim, respekt për tjetrin dhe, mbi të gjitha, për falje e pajtim.” – u shpreh Berisha për “Bota Sot”.

Duhanaj: Sa më shumë rritet masa e agresivitetit, ne fusim kokën edhe me thellë në zallë dhe kjo do na kushtoj shtrenjtë

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që ngjarja e ndodhur në Kaçanik është tejet e rëndë dhe e planifikuar në detaje.

Image
Leon Duhanaj

“Ngjarja përkatësisht krimi makaber i ndodhur në Kaçanik, ku vritet polici në detyrë, është vërtetë tepër i rëndë. Edhe me i rëndë bëhet fakti kur dalin që individ apo grup i caktuar kriminal, e ka planifikuar vrasjen në detaje. Vrasje e planifikuar mirë, të cilën e kanë realizuar nga një dorë minorene, të cilën paraprakisht e kanë përgatitur për ta ekzekutuar aktin. Tepër e rëndë, dhe tepër perfide mënyra e planifikimit”, thotë ai.

Sipas tij, nëse këto akuza janë të vërteta atëherë do të merremi me një problem goxha madhorë.

Ndër tjera shton që nga kjo situatë do të dëmtohen më së shumti të rinjtë.

“Nëse këto akuza e dyshime dalin të jenë të vërteta, atëherë, kemi të bëjmë vërtetë me një problem goxha madhorë. Sepse pse ka grupe ekstremiste mjaftueshëm në Kosovë e Maqedoni, kjo tashmë dihet, por që tashmë kanë filluar me i bërë kërcënimet realitet, është problem i ri. Natyrisht që ky fakt është tejet shqetësues, sepse si shoqëri dhe si shtet, kemi lejuar të ndodhë indoktrinim masiv. Tani do të merremi me pasojat, sepse gjeneratat e reja, të cilat janë rritur nën skemën e indoktrinimit, nuk kanë do të hezitojnë të marrin hapa konkret në shërbim të kauzave të mentorëve të tyre”, shpjegoi analisti.

Në fund, ai shton që nëse vazhdon të rritet kjo masë e agresivitetit atëherë do të na kushtojë shumë më shtrenjtë.

“Atentate dhe sulme të tilla e të ngjashme, do të ndodhin prapë, por se a do ndodhin në Kosovë apo gjetiu nëpër botë, kjo mbetet të shihet. Ne si shoqëri, por edhe si shtet, jo vetëm që kemi dështuar dhe kemi rënë komplet në grackën e ideologjisë së tillë, por jemi duke u thelluar me tej, sepse vërehet një pajtim kolektiv apo dorëzim. Sa më shumë rritet masa e agresivitetit, ne fusim kokën edhe me thellë në zallë dhe kjo do na kushtoj shtrenjtë. Me ketë ritëm shumë shpejtë, do të mbizotërojë numri i atyre që nuk kanë ndjenja fare për kombin dhe kjo është tejet shqetësuese”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat