“Mosmarrëveshja prodhon vetëm dështim”, vjen thirrja për partitë politike – përmenden edhe zgjedhjet e reja!

Politika

“Mosmarrëveshja prodhon vetëm dështim”, vjen thirrja për partitë politike – përmenden edhe zgjedhjet e reja!

Nga: A.M. Më: 24 prill 2025 Në ora: 22:01
Kuvendi i Kosovës

Institucionet e Kosovës janë “bllokuar”, partitë politike duken të përçara dhe fare pak të interesuara për të konstituar Kuvendin dhe formuar qeverinë e re.

Nga ato që po shohin dhe po dëgjojmë nga akterët politik, duket duket se asnjëra prej partive politike nuk ka vullnet për ta zgjidhur këtë situatë. Thënë kështu, pasi në vazhdimësi po përmenden zgjedhjet e reja, si dhe gatishmëria e tyre për t’i ‘përsëritur’ ato.

Organizimi i tyre, si alternativë për zhbllokimin e ngërçit, u përmend nga të gjitha partitë politike.

E për këtë temë për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi, i cili tha se kjo është një situatë jo e favroshme, derisa kërkoi nga paritët politike që të punojnë për tejkalimin e kësaj krize.

Sipas tij, pa një marrëveshje ndërpartike ose pa ndonjë kompromisë, vështirë të mendohet që mund të ketë përmirësime në këtë çështje

“Çfarë situate të palakmueshme po i krijojmë vetvetës dhe nuk po mundemi të gjejmë një «modul» që të na shërbejë dhe mësojë të veprojmë më mirë, që të ruajmë qetësinë dhe të qëndrojmë në harmoni me njëri-tjetrin, dhe jo të shkarkohemi me fyerje e sharje të pista.

Duhet ta bëjmë të mundur tejkalimin e kësaj krize në këto momente kur kemi nevojë për krijimin e institucioneve të reja, por shihet qartë se pa një kompromis dhe marrëveshje ndërpartiake do e kemi të vështirë, dhe kurrsesi të bëhet zgjidhje përmes inateve dhe tekeve kryeneçe, të cilat nuk qojnë më larg se para hundëve tona”.

Image
Dedë Preqi

Krahas kësaj, Preqi kritikoi bllokimin dhe moskonstituimin e Kuvendit, derisa tha se qytetarët nuk kan votuar për këto sjellje dhe këto qasje të partive politike.

Ai ua rikujtoi partive politike që pa bashkëpunim dhe pa ndryshim nuk mund të largohen “barrikadat” që ia kanë vendosur vetës së tyre.

“Bllokimi i krijimit të institucioneve të reja e kërcënon ekzistencën e shtetit dhe barra e madhe bie në kurriz të popullit, i cili ua besoi votën deputetëve të vet për t’a vlerësuar nevojën e këtij populli për një mirëqenie më të mirë, i cili nuk e ka merituar në këtë mënyrë të trajtohet.

Dhe tani kjo situatë e krijuar po tregon se deri ku kemi arritur, dhe nuk po e dimë se kujt do t’i pëlqente kjo situate, që do ta nxiste të besojë në faktin se duke i bllokuar vetë institucionet e vendit, është e mundur të mbajmë shtet.

Dhe më e keqja e gjithë kësaj situate, kur një parti palitike i jep ultimatum tjetres, apo partisë fituese, duke e mohuar bashkëpunimin për të krijuar institucionet e vendit, megjithatë duhet t’i rikujtojmë vetës sonë se nuk mundet të bëhet asnjë lloj ndryshimi, pa punuar me gjitha forcat së bashku dhe për t’i hequr barrikadat që jemi duke ia krijuar vetvetës”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja, për të cilat thotë se shtetit tonë do i kushtonin shumë.

Madje, paralajmëroi edhe disa parti, si AAK, Nisma, që në rast se mbahen zgjedhjet e reja, këto as nuk do e kalojnë pragun.

“Nëse partia fituese e këtyre zgjedhjeve e paraqet kandidatin e vet për kryekuvendar, dhe përgjigja e opozitës do të ishte e njëjtë, duke mos e votuar personin e propozuar, atëherë mbetet që propozuesi të bëjë një lëvizje, që të propozoi një tjetër, përndryshe kjo situatë nuk ka fitues për asnjërën palë, që mbetet të shkohet deri në zgjedhje të reja.

Zgjedhjet e reja nuk na huqin, por një qëndrim i tillë do na kushtojë të gjithëve, po ashtu edhe buxhetit të shtetit, dhe në anën tjetër, zgjedhjet e 9 shkurtit kanë qenë një ndër zgjedhjet më të frytshmet për gjitha partitë, dhe disa parti të vogla, siç është AAK, NISMA, nëse mbahen zgjedhje të reja as që do e kalojnë pragun”, potencoi Preqi.

Në fund, ai kritikoi diskursin e partive politike, që sipas tij edhe qytetarët janë të zhgënjyer me këtë gjë. Sipas tij, kjo qasje nuk është aspak e lakumeshme, madje i shkon vetëm në favor të armikut tonë, asgjë më shumë.

“Problemi qendror, rreth të cilit po sillet ky lloj diskursi primitiv, nga zgjidhja e të cilit varet jo thjeshtë mirëqenia e këtij populli dhe ekzistenca shtetërore, por në anën tjetër edhe pse njeriu i këtij vendi po qëndron përballë këtij kaosi, për fat të keq shumica është e zhgënjyer, sepse nuk po e kupton se çka po ndodh në mes liderëve të vet, duke mos gjetë një mirëkuptim në mes veti.

Egërsia e formës së tillë primitive në mes njëri-tjetrit, bart brenda saj të gjitha humnerat e kësaj shoqërie, dhe kjo egërsi kthehet për fat të keq në një « kulturë », që nuk do na lakmojë miku, por vetëm armiku i jonë, i cili po punon ditë e natë për të na ndarë dhe përçarë”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat