Kosova ende pa Kuvend të ri/ Analisti tregon tre zgjidhje për të dalur nga ‘ngërçi’ politik – përmend presidenten dhe ndërkombëtarët!

Politika

Kosova ende pa Kuvend të ri/ Analisti tregon tre zgjidhje për të dalur nga ‘ngërçi’ politik – përmend presidenten dhe ndërkombëtarët!

Nga: M.Haziri Më: 9 maj 2025 Në ora: 15:58
Kuvendi i Kosovës.

Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar sërish – në përpjekjen e tyre të trembëdhjetë.

Dështimi më i fundit ndodhi të premten, pikërisht tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

Sikurse në seancat e ditëve të kaluara, edhe sot kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, kërkoi sërish formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

Propozimi nuk i mori votat e mjaftueshme dhe seanca u ndërpre për të vazhduar pas dy ditëve, të dielën në mëngjes.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Eduard Gashi.

Image
Eduard Gashi

Ai thotë se deputetët po tregojnë një mungesë të përgjegjësisë së tyre për të respektuar mandatin e qytetarëve.

Sipas tij, ky ngërç nuk është një mosmarrëveshje por dështim i demokracisë funskionale.

Situata aktuale në Kuvendin e Kosovës është e papranueshme dhe tregon një krizë të thellë politike e institucionale. Që deputetët kanë dështuar trembëdhjetë herë për ta konstituar Kuvendin e ri është dëshmi e mungesës së përgjegjësisë dhe e mungesës së vullnetit politik për të respektuar mandatin e qytetarëve.

Ky ngërç nuk është thjesht një mosmarrëveshje mes partive; është një dështim i demokracisë funksionale. Deputetët janë zgjedhur për të përfaqësuar popullin dhe për të garantuar funksionimin e institucioneve, jo për t’i bllokuar ato në emër të interesave partiake”, u shpreh ai.

Më tej, analisti tregon disa hapa urgjentë që të gjendet një zgjidhje:

Zgjidhja kërkon disa hapa urgjentë:

Vetëvendosje duhet të hapë dialog të sinqertë me të gjitha partitë, pa kushte, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit.

Presidentja e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar duhet të japin sinjale të qarta se kjo situatë është e patolerueshme dhe se pasojat nuk do të mungojnë.

Nëse edhe pas një përpjekjeje të fundit dështojnë, duhet të shkohet në zgjedhje të reja, sepse Kosova nuk mund të mbetet peng i një krize të pafund”, përfundoi analisti Gashi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat