“Triumf i antishqiptarizmit!”/ PD-së i kërkohet të kundërshtojë fuqishëm rezultatin e zgjedhjeve: Shqipëria në pengun e nëntokës së kuqe!

Politika

“Triumf i antishqiptarizmit!”/ PD-së i kërkohet të kundërshtojë fuqishëm rezultatin e zgjedhjeve: Shqipëria në pengun e nëntokës së kuqe!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 maj 2025 Në ora: 08:08
Sali Berisha

Më datën 11 maj 2025, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet parlamentare për të zgjedhur 140 deputetë të Kuvendit.

Këto zgjedhje shënuan një kthesë të rëndësishme në politikën shqiptare, duke reflektuar një ndryshim të dukshëm në balancën e forcave politike.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 41.37%, një rënie prej 4.92 pikësh përqindje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Ky tregues reflekton një interesim më të ulët të qytetarëve për procesin zgjedhor.

Përveç pjesëmarrjes në rënie, ka pasur edhe incidente që e kanë shoqëruar procesin zgjedhor.

E pas përfundimit të votimit, nga rezultatet preliminare Partia Socialiste (PS) në udhëheqje të Edi Ramës del të jetë fituese, duke fituar 82 mandate, duke u pasuar nga Partia Demokratike (PD), e udhëhequr nga Sali Berisha, arriti të fitojë 52 mandate.

Me këto rezultate, Edi Rama do të formojë qeverinë e tij të tretë radhazi.

Nga ana tjetër, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

Zgjedhjet u diktuan nga krimi. Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe te Shqipërisë në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale. Në Vorë banda e Xhabaftit ndikoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve”, ka thënë mes tjerash Berisha.

Madje, ai tha se do të protestojnë më 16 maj “në emër të një populli, që votën ia dikton Revolja pas kokës, ia dikton Poja, Suel Çela, Bledi Xhabafti, ia diktojnë bandat”.

E të gjendur në këtë situatë a flet ky rezultat për faktin se edhe për një kohë të gjatë situata vështirë se mund të ndryshojë në Shqipëri?

Zogaj: Shqipëria nuk ka asnjë gjasë që të ndryshoj

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Ai thotë se ani pse Shqipëria është shtet qe 113 vjet,  nuk ka arritur të jetë shtet i mirëfilltë.

Sipas tij, pasojat e qeverisjes së Ramës janë dëshmi që shteti do të duhej kësaj radhe ta dënonte me votë.

Shqipëria me pavarësi 113-vjeçare, mbetet shtet i varur dhe i çoroditur nga vetvetja, sepse për më shumë se një shekull asnjëherë nuk ka mundur të konsolidohet si shtet i mirëfilltë e minimalisht stabil! Kështu ka ndodhur për shkak të konjukturave politike asonante me kohën dhe rrethanat historike dhe, të qëndrimeve shumë jokombëtare të grupeve qeverisëse që gjithsecila ka qenë më e keqe se tjetra, ku kulmin e degjenerimit e ka manifestuar diktatura e komuniste me Enver Hoxhën, që gjatë sundimit 50-vjeçar ka prekur dhe e ka tjetërsuar gjenetikën shqiptare.

Pasojat e diktaturës vazhdojnë edhe sot dhe, pasojat janë ekstreme, të pariparueshe! Dëshmi janë zgjedhjet më të reja në të cilat fitues është për të katërtën herë pionieri i Enver Hoxhës, i biri i Kristaq Ramës, firma e të cilit e ka sjellë  në litar atdhetarin Havzi Nela! Ky fakt i bazuar edhe në qeverisjen banditeske të Edi Ramës për tri mandate radhazi, do të duhej të ishte argument i ndërgjegjësimit dhe vetëdijes së Shqiptarëve që, barko-bosin ballkanik jo vetëm të mos e votojë, por ta indinjojë me votë poshtëruese, duke mos ua dhënë mundësinë që të jetë për herën e katër në krye të shqiptarëve, një greko-serbofik, që dëshmuar”, u shpreh ai.

Publicisti më tej thekson që me qeverisjen e PS nuk do të ketë ndryshime pozitive në vend, andaj PD duhet të mos pajtohet me situatën dhe tentojë ta ndryshojë atë për të i evituar një fryme shumë të rrezikshme.

Rezultati i deritashëm i zgjedhjeve është poshtërim i Shqipërisë shqiptare dhe triumf i antishqiptarizmit! Me këtë rast, PD-ja  nuk e di a do t'i kontestojë, por mendoj se, shtetasit shqiptarë duhet të ndihen shumë të shqetësuar, sepse kanë votuar Neronin ëndrra e të cilit është ta shkrumoj Romën! PD si partia e dytë, e kundër me ideologjinë e PS, e ka obligim që të mos pajtohet, sepse, parregullsitë që kanë arritur të shënohen nga mediat, janë të mjaftueshme për të pa dhe kuptuar se, Shqipëria është në pengun e nëntokës së kuqe! Pra, Shqipëria nuk ka asnjë gjasë që të ndryshoj, por ka gjasa të plota ta thellojë degjenerimin, të zbrazet nga ikjet e rinisë dhe zgjerimi i rrjeteve të drogës, prostitucionit të instaluar në administratën shtetërore, korrupsionit institucional, zgjerim të krimeve popullore për shkak të problemeve ekonomike dhe rrënimit moral të familjes që shton përmasën e krimeve  ordinere, sidomos në vendbanimet rurale!

Se kjo frymë është shumë e rrezikshme mjafton të shikojmë në rajohet që janë duke u shkatërruar nga lufta”, u shpreh Zogaj për “Bota sot”.

Duhanaj: Fitorja e PS, e merituar

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, mendon ndryshe nga publicisti Zogaj.

Sipas Duhanajt, fitorja e PS ka qenë e ditur pasi sipas tij, Rama ka punuar mjaftë shumë në arenën ndërkombëtare.

Për mendimin tim, rezultati zgjedhor është i pritshëm, madje kam pritur që fitorja e PS të jetë edhe me e thellë.

Kryeministri Rama, e ka merituar fitoren  sepse nëse e shikojmë Shqipërinë si shtet në kuadër të Marrëdhënieve Ndërkombëtare,  asnjëherë në historinë e saj nuk ka qenë me mirë.

Natyrisht që ka akoma punë për të bërë dhe, ndoshta në politikën e  brendshme ka akoma gjera që nuk shkojnë aq mirë, gjë që as nuk marrë përgjegjësinë ta vlerësoj, sepse këtë duhet ta vlerësojnë qytetarët e Shqipërisë,  e posaçërisht ata resident”, thotë ai.

Duke vazhduar, analisti përmend edhe pjesën e turizmit që ka pasur rritje gjatë qeverisjes së Ramës dhe vë theks që nuk ka ende opozitë e cila mund të kalojë në pozitën e PS.

Megjithatë  bazuar në rezultatin zgjedhor, duket se edhe për sa i përket politikës së brendshme, ka përparim, marrë shembull këtu vetëm rritjen e turizmit.

Gjithashtu, nuk shoh akoma opozitë e cila mund ta rrezikojë pozitën e tij, madje nëse vazhdon me ketë ritëm, edhe pas këtij mandati të ri, prapë  do ta kenë të vështirë, për t'mos thënë të pamundur . Ndoshta nëse mbijetojnë politikisht këto nismat e reja”, përfundoi analisti Duhanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat