Njohësit vlerësojnë Britaninë, kërkojnë mbështetje më të madhe për Kosovën dhe presion më i fortë për Serbinë

Politika

Njohësit vlerësojnë Britaninë, kërkojnë mbështetje më të madhe për Kosovën dhe presion më i fortë për Serbinë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 maj 2025 Në ora: 20:10
Emma Lewell-Buck

Më shumë se 20 deputetë të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar kanë kërkuar një ndryshim të madh në qasjen e politikës së jashtme britanike ndaj Serbisë, pas pjesëmarrjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në paradën ushtarake të mbajtur në Moskë më 9 maj, për nder të Ditës së Fitores ndaj fashizmit.

Deputetja laburiste Emma Lewell-Buck ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social X se i ka dërguar një letër zyrtare ministrit të Jashtëm britanik, ku ka kërkuar një rivlerësim të marrëdhënieve me Serbinë. Letra është nënshkruar edhe nga 25 deputetë të tjerë.

Në këtë letër theksohet se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiqit, ka forcuar marrëdhëniet me presidentin rus Vladimir Putin, ndërkohë që është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht krimeve të kryera kundër Ukrainës që nga viti 2014.

“Për më tepër, presidenti Vuçiq po përpiqet të destabilizojë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit, duke bashkëpunuar ngushtë me Rusinë e Putinit, e cila synon të largojë vëmendjen nga pushtimi i saj i plotë i Ukrainës”, thuhet më tej në letrën drejtuar ministrit britanik.

Kjo kërkesë e deputetëve britanikë vjen në një kohë të ndjeshme për sigurinë në Ballkan, ku tensionet mes Serbisë dhe Kosovës mbeten të larta, dhe ku bashkëpunimi mes Beogradit dhe Moskës shihet me shqetësim në Perëndim. Mbretëria e Bashkuar ka qenë një ndër mbështetëset më të mëdha të pavarësisë së Kosovës dhe stabilitetit rajonal, dhe ky veprim i fundit i deputetëve mund të sinjalizojë një qasje më të ashpër ndaj politikave serbe në të ardhmen.

Tahiraj: BE të ndërrojë strategji me Serbinë

Veprimtari Saim Tahiraj, në një përgjigje për “Bota sot”, shpreh shpresën për një ndryshim të mundshëm në politikën britanike ndaj Serbisë.

Image
Saim Tahiraj

Ai thekson lidhjet e vazhdueshme të Serbisë me Rusinë dhe kritikon tolerimin ndërkombëtar ndaj saj.

Sipas tij, Serbia historikisht ka pushtuar territore shqiptare me ndihmën e Rusisë dhe mbështetjen e fuqive të mëdha, duke shkaktuar tragjedi të mëdha dhe katër gjenocide ndaj shqiptarëve – i fundit gjatë luftës së viteve 1998/1999. Megjithatë, ajo vazhdon të mbetet e përkëdhelura e Evropës.

Ky lajm po më gëzon dhe po më jap shpresë se më në fund do të ndryshoj politika Britanike në raport me Serbin. Veprimet permanente të Serbisë në raport me Rusinë mëmë nuk janë të panjohura për Bashkësinë ndërkombëtare, por fatkeqësisht e përkëdhelura e tyre vazhdon të tolerohet. Historikisht shtrirja e Serbisë në territoret shqiptare u bë me ndihmën e Rusisë dhe me përkrahjen e fuqive të mëdha të kohës. Këto pushtime gjatë tërë Historisë u zhvilluan me tragjedi të mëdha ndaj popullit shqiptarë duke shkaktuar katër gjenocide. Gjenocidin e fundit e bëri në luftën e viteve 1998/1999 dhe çuditërisht Serbia prapë mbetet e përkëdhelura e Evropës”, thotë ai.

Tutje, ai kritikuar pjesëmarrjen e Vuçiqit në paradën ushtarake në Rusi, duke e quajtur vazhdimësi të lidhjeve të ngushta Serbi–Rusi.

Ai shpreh zhgënjim që BE toleron Serbinë ndërsa sanksionon Kosovën.

Tahiraj apelon për ndryshim rrënjësor të politikës britanike dhe evropiane ndaj Serbisë, me sanksione të ashpra, dhe për mbështetje më të madhe ndaj Kosovës.

“Nuk është befasi vizita e Vuçiçit në Rusi dhe pjesëmarrja e tij në paradën ushtarake të një ushtrie pushtuese në Ukrainë. Ky veprim i Serbisë është në vazhdën e veprimeve permanente në raport me Rusin dhe çuditërisht Evropa i mbyllë sytë prapa dhe nuk e sanksionon. Fatkeqësisht sanksionohet viktima Kosova dhe shpërblehet xhelati Serbia.

Uroj që kjo nismë e Parlamentarëve Britanik të kaloj në organet vendimmarrëse të shtetit Britanik dhe të ndryshon politika e jashtme ndaj Serbisë. Mendoj se është koha e fundit që Britania dhe Bashkimi Evropian ta ndryshoj politikën e jashtme ndaj Serbisë rrënjësisht dhe ta sanksionon atë rreptësishtë.

Gjithashtu duhet të ndryshoj edhe politika e jashtme Britanisë dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovës duke i hequr sanksionet dhe mbështetur më fuqishëm në pranimin dhe integrimin në institucioneve Evropiane. Të gjitha këto tolerime ndaj të përkëdhelurës së Evropës, Serbisë, japin edhe rezultatin jashtëzakonisht të pasuksesshëm në bisedimet Kosovë-Serbi. Serbia njeh vetëm gjuhën e forcës dhe të imponimit, andaj nëse vërtetë dëshirojnë sukses në bisedimet Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian duhet të ndërrojë strategji. Nga e përkëdhelura e Evropës duhet të kaloj në e sanksionuara e Evropës!”, nënvizon ai.

Beogradi nuk mund të qëndrojë në dy anë

Image
Zejnullah Jakupi

Opinionisti Zejnullah Jakupi e vlerëson kërkesën e parlamentarëve britanikë për sanksione ndaj Vuçiqit si një hap me peshë politike dhe simbolike.

Ai thekson se afërsia e Serbisë me Rusinë dëmton besueshmërinë e saj si vend që synon integrimin evropian dhe se Perëndimi duhet t’i dërgojë mesazh të qartë Serbisë që nuk mund të luajë në dy fronte – me BE-në dhe me Rusinë.

Kërkesa e disa parlamentarëve britanikë për të rishikuar politikën e jashtme ndaj Serbisë dhe për të vendosur sanksione ndaj Presidentit Vuçiq pas pjesëmarrjes së tij në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj është një zhvillim me domethënie politike dhe simbolike të madhe. Kjo lëvizje reflekton shqetësimet në rritje në Perëndim për afërsinë e Serbisë me Rusinë në një kohë kur BE dhe aleatët e saj po kërkojnë që vendet e Ballkanit të mbajnë një qëndrim të qartë në raport me agresionin rus në Ukrainë.

Pjesëmarrja e Vuçiqit në një ngjarje të tillë në Moskë, në krah të Vladimir Putinit, është interpretuar si një mesazh politik që minon pozicionin e Serbisë si një vend që pretendon të jetë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst, kërkesat për sanksione janë pjesë e një përpjekjeje për t’i dërguar Beogradit një mesazh të qartë se nuk mund të qëndrojë në dy anë — të përfitojë nga marrëdhëniet me Perëndimin ndërkohë që kultivon lidhje të ngushta me Kremlinin”, foli ai.

Në fund, ai thekson se Britania duhet të rrisë mbështetjen për Kosovën në siguri, diplomaci dhe zhvillim ekonomik, si kundërpeshë ndaj ndikimit rus përmes Serbisë.

Ai vlerëson pjesëmarrjen e Vuçiqit në Moskë si sinjal të politikës së dyfishtë të Serbisë — që formalisht dialogon me BE-në, por praktikisht afrohet me Rusinë.

Jakupi bën thirrje për një reagim të qartë nga Perëndimi: më shumë mbështetje për Kosovën dhe më shumë presion ndaj Serbisë.

Po, në këtë kontekst, ka arsye të forta që Britania — e cila edhe pas Brexit ka ruajtur një interes aktiv në Ballkan — të rrisë mbështetjen për Kosovën, sidomos në fushat e sigurisë, diplomacisë dhe zhvillimit ekonomik. Kjo do të shërbente si kundërpeshë ndaj ndikimit të Moskës në rajon përmes Beogradit dhe njëkohësisht do të forconte stabilitetin dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës.

Ky veprim i Vuçiqit e vë seriozisht në pikëpyetje angazhimin e Serbisë ndaj procesit të normalizimit me Kosovën. Pavarësisht retorikës zyrtare, veprime të tilla tregojnë se Beogradi po ndjek një politikë të dyfishtë: dialog formalisht me BE-në dhe Kosovën, por në praktikë thellon lidhjet me aktorë si Rusia që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe interesat euro-atlantike në rajon.

Në përfundim, veprimi i Vuçiqit në Moskë është më shumë se një simbolikë — është një deklaratë politike që duhet të merret seriozisht. Përgjigjja e Britanisë dhe vendeve tjera perëndimore duhet të jetë e qartë: mbështetje më e madhe për Kosovën dhe presion më i fortë ndaj Serbisë për të zgjedhur rrugën që pretendon se po ndjek” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat