“Lëvizjet e fundit” në Bruksel, takimet Kosovë-Serbi - çka pritet nga Sorensen dhe Kallas?

Politika

“Lëvizjet e fundit” në Bruksel, takimet Kosovë-Serbi - çka pritet nga Sorensen dhe Kallas?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 qershor 2025 Në ora: 09:59
Peter Sorensen

Dialogu Kosovë-Serbi sërish është kthyer në vëmendje të ndërkombëtarëve.

Së fundi, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen zhvilloi takime në Bruksel.

Megjithatë, takimi nuk shkoi si ishte paraparë, pasi ishte palnifikuar trepalësh, por që, delegacioni serb nuk mori pjesë.

Në lidhje me takimin e mbajtur, dha detaje zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili potencoi faktin se, takimi i 2 qershorit ishte planifikuar të ishte trepalësh, por ekipi i Serbisë është përballur me vonesa gjatë shkuarjes në Bruksel.

Duke u deklaruar pas takimit, Bislimi ka thënë se në takimin e tij të parë në Bruksel me Sorensesin kanë biseduar për qasjen që do të ketë zyrtari evropian në fazat e ardhshme të bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve, si dhe ato të nivelit të lartë, nën drejtimin e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas.

“Në takim bilateral ngritëm një sërë temash për të cilat mendojmë se është shumë me rëndësi që të kemi përgjigje nga Brukseli, apo zgjidhje, p.sh. kemi rastin e menaxhimit të integruar të kufirit ku ka ngecje të mëdha nga ana e Serbisë. Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi – mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël”, ka thënë mes tjerash Bislimi, sipas një komunikate për media të lëshuar nga zyra e tij.

A është ky sinjal se BE ka filluar lëvizje të reja, në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe se si duhet parë zhvillimet e fundit, për “Bota sot” folën Sylë Ukshini dhe Alma Lama.

Ukshini: As deklaratat e Sorensenit dhe as vizita e Kaja Kallas nuk më duken premtuese

Fillimisht, për këtë temë foli ish-ambasadori Sylë Ukshini, i cili tha se nuk pritet ndonjë rezultat konkret në kuadër të dialogut.

Krahas kësaj, tha se është sinjal i keq që BE nuk po jep detaje për takimet e realizuara në Bruksel.

“Por, e vërtetë, Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi ishte në Bruksel për takime në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë. Sipas zëdhënësit të BE-së takime pari edhe me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq pasi takimet janë thirrur në nivel të kryenegociatorëve.

Image
Sylë Ukshini

E keqja është se BE-ja pos që i kanë konfirmuar takimet, nuk kanë dhënë asnjë detaj tjetër. Por, duke pasur parasysh situatën në Serbi dhe në Kosovë, ku nuk kemi akoma një kuvend dhe qeveri të re mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit, nuk mund të pritet ndonjë zhvillim dramatik apo ndonjë rezultat konkret.

Kjo është hera e parë që kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia janë thirrur në Bruksel prej kur Sorensen është emëruar si i dërguar i posaçëm për dialog, post në të cilin më herët ishte Miroslav Lajçak. Por, duket qartë se BE-së po i interesn të vazhdojë dialogut sa për të thënë se po ndërmjetëson.

Po ashtu, vazhdimin e dialogut e kishte paralajmëruar gjatë vizitave të saj në Kosovë dhe në Serbi edhe Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Kaja Kallas”.

Gjithashtu, Ukshini e cilësoi si të bezdisshëm gjithë procesin e dialogut, derisa tha se qasja është jo e duhur nga ana e Bashkimit Evropian.

Ai përmendi edhe kërkesat që po iu bëhen Kosovës, përfshirë Asociacionin.

“BE-ja ndërkohë ka përsëritur se marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe aneksi i Ohrit për implementim mbeten në fuqi dhe palët duhet t’i zbatojnë. Por, mua më duket metodologjia dhe qasja paralajmërojnë se ky dialog do të jetë i gjatë dhe i bezdisshëm vetëm me një kërkesë, formimin e Asociacionit dhe sapo të jetë formuar ky institucion do të insistohet sigurisht në pikën 7 të Marrëveshjes që parasheh edhe zyrtarizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe ofrimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe. Ajo çfarë ofrohet në Aneksin V të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (i njohur si Plani i Ahtisaarit) "Trashëgimia Fetare dhe Kulturore" është e jashtëzakonshme jo vetëm në nivel evropian por, edhe evoprian. Ky Anek përqendrohet në mbrojtjen e vendeve të rëndësishme fetare dhe kulturore në Kosovë, veçanërisht atyre që kanë rëndësi për Kishën Ortodokse Serbe. Ky aneks synon të sigurojë mbrojtjen e këtyre vendeve përmes krijimit të Zonave të Mbrojtjes Speciale, të cilat rregullojnë zhvillimin përreth këtyre objekteve për të ruajtur mjedisin historik, kulturor dhe natyror, si dhe mënyrën e jetesës monastike të klerit. Kush e lexon më thellë mesazhin, aneksi V i planit të Ahtisaarit, vë shqiptarët në pozitë të fajtorit historik, sipas këtij plani, Kosova vazhdon të jetë qendër kulturore serbe, ndërsa shqiptarët vetëm si banorë në këtë hapsëirë. Dhe ja tani Serbia kërkon akoma më shumë në Ohër”, nënvizoi ai.

“Është e qartë se BE-ja po kërkon zgjedhje përtej Planit të Ahtisaarit të cilat çojnë në dobësimin e autoritetit qendror të Qeverisë së Kosovës”

Në vazhdim, ish-ambasadori potencoi faktin se si Serbia po përdor institucionet fetare për interesa nacionaliste.

Po ashtu, përmendi faktin që Beogradi e lufton anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ku e ndërlidhi me marrëveshjen e Ohrit.

Çështja është se Beogradi Kishën Serbe si gjithmonë e ka përdorë për qëllime politike në kuadrin e platformës politike të “botës Serbe”, Beogradi Kishën Serbe e projekton si instrument për implementimin i fuqishëm i politikës hegjemoniste ne rajonin e ish-Jugosllavisë, që ka zëvendësuar institucionet federale që Beogradi dhe synon të përdoret për të arritur interesat nacionaliste të viteve '90. Pra, Kosovë ka zëvendësuar institucionet federale që më parë Serbia kishte në dispozicion për të realizuar interesat nacionaliste. Është gjithashtu instrument efikas i imperializmit rus.

Në të vërtetë, pika 7 e Aneksit të Ohrit do të duhej të promovonte konceptin evropian të trashëgimisë kulturore, ku zgjidhjen do të duhej të kërkoheshin në kuadrin UNESCO-s dhe që Kosova të bëhej pjesë e këtij institucioni. Si ka mundësi Beogradi e lufton anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ndërkaq në anën tjetër bënë zhurmë për pozitën e KOS-it, e cila ka qenë në shërbim të politikës së Milosheviqit dhe asnjëherë deri më sot nuk ka krijuar një distancë për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Shkurt në dialogun e Brukselit trashëgimia kulturore e Kosovës duhet të zhveshët nga politika dhe të zhvendoset në histori”, theksoi Ukshini.

Gjithashtu, kundërshtoi presionet e BE-së për Asociacionin, derisa tha se kjo marrëvehsje nuk i normalizon raportet Kosovë-Serbi.

Madje, konsideron që shteti serb nuk do i ndalojë kërkesat e reja, kësisoj që vështirë të mendohet për një marrëveshje finale.

“Për mua, është e qartë se BE-ja po kërkon zgjedhje përtej Planit të Ahtisaarit të cilat çojnë në dobësimin e autoritetit qendror të Qeverisë së Kosovës. Përtej Pakos së Ahtisaarit ishte bërë dhe themelimi i EULEX-it, Gjashtë Pikëshi i SP të OKB-së e deri më sot. Është një metodologji që e ka ndjekur Serbia edhe në Konferencën e Dejtonit. Dhe nëse bëhet edhe kjo pikë, BE-ja dhe Serbia pastaj do t’i rikthehen Asociacionit, zgjerimit të kompetencave duke e paraqitur si kusht për normalizimin, ndërkohë që Kosova do të bëhej jo funksionale nga brenda.

Pra, të gjithë duhet ta kemi të qartë, Asociacioni nuk i normalizon marrëdhëniet Kosovë-Serbi, përkundrazi e akomodon ambicien serbe për ta sabotuar Kosovën nga brenda. Nëse me kushtetutën jugosllave dhe sovjetike autonomia e një rajoni apo krahine ishte formë e organizimit politiko-territorial i një pjese të një shteti, ashtu siç ndodhi me 1 shtator 1945 me Ligjin për ndarjen territoriale të Serbisë, ku sipas nenit 3 pushteti në rrethe ishte etabluar sipas ligjeve të Serbisë. Ndërsa në Evropë, ky lloj organizimi komunist leninist në vend të “vetëqeverisjes”, “autonomisë” “obllastit” quhet me emrin Asociacion. Është naive të pretendohet që në një marrëveshje, e cila nuk është finale, do të përmbyllë kërkesat e Beogradit, ajo vetëm sa do të hapi rrugën për kërkesa të reja”, nënvizoi ish-ambasadori,

Në vazhdim, Ukshini konsideron se deklaratat e Sorensen dhe Kallas nuka janë shumë premtuese.

Në këtë pikë, komentoi edhe vizitën e përfaqësuese së BE-së në Kosovë.

“Në optikën time, as deklaratat e Sorensenit dhe as vizita e Kaja Kallas nuk më duken premtuese se me këtë dialog do të mbërrihet normalizimi. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas gjatë vizitë në Kosovës shkoi edhe për vizitë në veri të vendit, ku u takua me drejtuesit e Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës me diskutu punë dhe çështje të brendshme të Kosovës. Kjo punë nuk është e saj, por e institucioneve të vendit.

Kurse çdo koment elitës kosovare për Gjykatën Speciale e quajnë ndërhyrje në drejtësi. Edhe pse Gjykata Speciale është një çështje për të cilën BE-ja nuk mu d të bëhet kaq inidiferente sa po tenton të bëhet, kur kjo gjykatë nga devijuar për të keq, nga pretendimi racist për trafikim organesh, tani ajo po merret në dëshmi banale dhe në zënka dhe inate ordinere e primitive”.

Në fund, shtoi se është tepruar me kërkesa për kompromise dhe qasje jo të barabartë.

“Prandaj, edhe zëvendëskryeministri në largim edhe ata që do të vijnë më pas duhet ta kenë të qartë se ky dialog është abuzues dhe favorizuesh për Serbinë, e cila në drejtim të Brukselit, luan edhe me kartën dhe “flirtin e dashurisë së butë” me Moskën dhe Pekin. Në vend të kësaj, është më mirë të kemi në ujdi dhe në kohezion të brendshëm dhe jo të na e kultivojnë ndjenjën se njëri është më i mirë se tjetri, sepse kjo qasje na mbanë të përçarë dhe më të dobët në këtë dialog.

E di që nuk tingëllon shumë diplomatike, por nëse Serbinë ngrit zërin deri në qiell duke viktimizuar pozitën e serbëve të Kosovës, ashtu siç bënte dikur Akademia Serbe e Shkencave me Memorandumin fashist të viteve 1980-ta, pse mos të flitet hapur se ky vend që ka kërkesa të shfrenuara në drejtim të Kosovës, në Luginën e Preshevës i trajton shqiptarët në formën më brutale, si në një regjim aparteidi. Çregjistrimi i shqiptarëve, njohur me eufemizëm “pasivizim i adresave”, është thjeshtë spastrim etnik dhe përndjekje e shqiptarëve në shekullin 21.

Vërtetë është tepruar me kërkesa për kompromise dhe qasje me dy kute!” – përmbylli Sylë Ukshini për “Bota sot”.

Lama: Mandati i zëvendëskryeministrit ka skaduar

Së pari, ish-ambasadorja e Kosovës, Alma Lama potencoi faktin se këto takime nuk do duhej të mbaheshin, pasi qeveria jon është në dorëheqje dhe nuk kemi qeveri të re.

Sipas saj, ktëo takime janë vetë shpenzim i buxhetit, pasi vlerson se takimet e tilla nuk kanë ndonjë vlerë.

Mandati i zëvendëskryeministrit ka skaduar, kështu që ai nuk e përfaqëson askënd në Bruksel.

Image
Alma Lama

Qeveria është në dorëheqje. Takimi i tij s’ka ndonjë vlerë dhe peshë. Thjesht po harxhon paratë e buxhetit”, deklaroi Lama për “Bota sot”.

Në përpjekje për të ringjallur dialogun mes dy vendeve, Kallas ka qëndruar në Prishtinë dhe Beograd në maj të këtij viti, duke bërë thirrje për përmirësim të raporteve, sepse vetëm ashtu mund të ketë të ardhme evropiane për të dyja vendet.

Serbia gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian, ndërsa Kosova jo, pavarësisht se ka aplikuar.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve prej vitit 2011, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat