Kuvendi i Kosovës është duke i vazhduar përpjekjet për konstituimin e tij.
Pothuajse ecuri e njëjtë çdo 48 orë, deputetët e Kuvendit të Kosovës takohen, mblidhen në sallë dhe dështojnë të zgjedhin kryeparlamentarin e Kuvendit.
Ndryshe, nga herët tjera përpjekja e 27-të u bë pas 24 orëve, kjo për shkak të festës së Kurban Bajramit, por ndryshe nga herët tjera tashmë propozohet që të mbahen zgjedhjet e reja me zgjedhjet lokale.
Deputetja e VV-së, dhe kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke komentuar ftesën nga presidentja Vjosa Osmani nuk ka përjashtuar mundësinë që dy palë zgjedhje të bëhen bashkë.
“Është e rëndësishme që partitë politike të dëgjohen të shihen propozimet e tyre për datën e mundshme të zgjedhjeve lokale. Por nuk përjashtohet situata ku mund të mbahen të dyja bashkë. Ne nuk jemi kundër si LVV-ja, nuk është ky qëndrimi ynë primar. Por në qoftë se mbahet peng dhe nuk konstituohet Kuvendi atëherë e vetmja zgjidhje tjetër janë zgjedhjet. Ndonëse ne e dimë që pa u konstituuar Kuvendi nuk mund të shkohet në zgjedhje, por kjo mund të bëhet me një marrëveshje të re politike”, ka thënë Haxhiu të mërkurën para takimit me presidenten Vjosa Osmani.
Baza ligjore
I pyetur rreth bazës ligjore që të mbahen dy palë zgjedhje, avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se subjektet politike duhet të gjejnë zgjidhje.

Sipas tij, vendi është duke humbur.
“Është e rëndësishme të theksohet, ashtu siç e kemi thënë që në krye të herës që në situatën në të cilën ndodhët aktualisht Kuvendi, duke qenë i bllokuar, vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje, pavarësisht nëse është apo jo një opsion i duhur dhe i përshtatshëm për vendin.
Subjektet politike duhet me gjet zgjidhje dhe me tejkaluar këtë situatë, vendi po humbë shumë”, shprehet Bajraktari.
Ai kërkon që subjektet politike të diskutojnë ndërmjet veti dhe t’i themelojnë institucionet e reja.
“Kosova nuk e ka komditetin që të shkojë në zgjedhje për teke dhe inate të subjekteve politike. Subjektet politike duhet të diskutojnë ndërmjet vete, t’i themelojnë institucionet, të jetësohet vullneti politik i qytetarëve të shprehur në zgjedhje”, deklaron avokati.
Të mërkurën që nga ora 14:00 është mbajtur takimi i presidentes Vjosa Osmani me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Pas takimit, nga presidenca kanë bërë të ditur se Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, ndërsa në ditët në vijim do të caktohet data e zgjedhjeve.
“Presidentja Osmani përfundoi konsultimet me partitë politike, data e zgjedhjeve lokale caktohet ditëve në vijim. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takimin konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, thuhet në reagimin e presidencës së Kosovës.
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se në takimin me presidenten Vjosa Osmani, ka propozuar tri data për mbajtjen e zgjedhjeve: 5, 12 dhe 19 tetorin.
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, po ashtu ka thënë që pajtohen me datat e propozuara edhe pse preferojnë datat 12 dhe 19 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Qëllimi i VV-së
Në anën tjetër, analisti politik Faton Mehmeti, thotë se Lëvizjes Vetëvendosje i leverdis mbajtja e dy palë zgjedhjeve.

Sipas tij, ky është edhe qëllimi i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sigurisht që Vetëvendosjes i leverdis të mbajë dy palë zgjedhje, për shkak se mendon se në kurriz të zgjedhjeve nacionale të marrë vota për zgjedhje lokale, kur e dimë se në nivel lokal ajo ka më pak vota sesa në nivel nacional, pra ajo dëshiron që me një gur të vrajë dy zogj, ky do të ishte qëllimi i Vetëvendosjes, edhe për këtë po shtyhet pa kufi konstituimi i Kuvendit”, pohon Mehmeti.
Sipas tij, varet nga opozita nëse do ta lexojë lojën e Kurtit.
“Me pak fjalë, kjo është edhe një taktikë e Vetëvendosjes dhe synimi i tyre, por e gjitha tani varet nga opozita se a do ta lexojë lojën e Kurtit, përderisa ajo nuk po arrijë ta lexojë lojën e Kurtit, ai do ta arrijë këtë qëllim”, përfundon Mehmeti.
Kuvendi i Kosovës që nga 15 prilli po dështon për zhbllokim të tij. Albulena Haxhiu nga VV fillimisht me votim të hapur, pastaj me komision të mbyllur nuk po arrinë të marrë “dritë jeshile” për t’u bërë kryetare e Kuvendit.
Mbajtja e dy palë zgjedhjeve është kritikuar nga Demokracia në Veprim, që sipas tyre tri fletëvotime, kandidatë të shumë niveleve, procedura të ndërlikuara dhe komisionerë të papërgatitur do ta ngarkonin sistemin dhe do të krijonin paqartësi te qytetarët.
“Ideja që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik. Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionerë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin. Për më tepër, rriten gjasat për gabime "teknike", vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata. Ky skenar nuk po shtyhet përpara sepse është i arsyeshëm, por sepse partitë politike, e sidomos partia e parë, po kërkojnë një “zgjidhje” për krizën që vetë e kanë krijuar. Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar një rifillim artificial. Dhe nëse rezultati i zgjedhjeve parlamentare pritet të jetë përafërsisht i njëjtë, atëherë kjo është thjesht një manovër për të zbutur tensionet dhe retorikën, për të larë vijat e kuqe, dhe për të justifikuar një bashkëpunim që sot po refuzohet. Zgjedhjet janë mjet i demokracisë – por nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar përgjegjësinë politike” kishte deklaruar Eugen Cakolli për gazetën “Bota sot” të mërkurën.