“Limaj u gjunjëzua nga Kurti”/ Zbardhet arsyeja dhe frika pse “Çeliku” tani po i jep votat pa kushte

Politika

“Limaj u gjunjëzua nga Kurti”/ Zbardhet arsyeja dhe frika pse “Çeliku” tani po i jep votat pa kushte

Nga: P.R. Më: 10 qershor 2025 Në ora: 08:02
Albin Kurti dhe Fatmir Limaj

Edhe pse tash e sa muaj, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, si kusht për t’i dhënë tre votat e deputetëve të tij i kishte vendosur Vetëvendosjes postin e kryeparlamentarit të Kosovës, gjë të cilën e refuzoi kategorikisht kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

E tash, ka deklaruar se është i gatshëm të ndihmojë në zgjidhjen e bllokadës politike, duke ofruar tre votat e subjektit të tij në Kuvend, pa kërkuar poste qeveritare.

“Nisma do të jetë pjesë e zgjidhjes, sepse kështu e do Kosova. Ne me tre deputetë s’mund të bëhemi pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes.

Nisma është e gatshme të japë kontributin e vet në partneritet në Kuvend, por jo në qeverisje. Ne nuk jemi të interesuar të jemi pjesë e qeverisë. Nuk jemi të interesuar të zëmë një pozicion duke shfrytëzuar momentin që kemi”, është shprehur ndër të tjera Limaj.

Kjo deklaratë, sipas analistit Zejnullah Jakupi, është një dorëzim i Limajt përballë Kurtit.

Image
Zejnullah Jakupi

“Në një kuptim formal — po, Limaj ka bërë një hap prapa nga qëndrimet e mëhershme. Ai ishte pjesë e një bllokade të heshtur parlamentare, ku votat e Nismës ishin përdorur si mjet për të rritur peshën negociuese ndaj qeverisë. Duke ofruar votat pa kërkuar poste, Limaj po sinjalizon që është i gatshëm të shmangë përgjegjësinë për bllokimin e institucioneve, ndoshta për të ruajtur imazhin e vet dhe të partisë së tij si “konstruktiv” para opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë”, deklaron Jakupi për “Bota sot”.

Ai thotë se, duke parë kundërshtimin e Kurtit, Fatmir Limaj u detyrua të ndryshojë strategji.

“Jo plotësisht, por indirekt po e ka vënë në pozitë të dobët. Kurti ka mbajtur qëndrimin e tij të fortë ndaj kërkesave të partive të vogla dhe nuk ka bërë lëshime të mëdha për t’i futur ato në pazar poste. Kjo ka bërë që presioni politik të kthehet nga qeveria te partitë më të vogla opozitare ose ato jashtë bllokut qeverisës, si Nisma. Limaj, duke mos pasur më shumë hapësirë për të manovruar dhe duke e parë se Kurti nuk po tërhiqet, është detyruar të ndryshojë strategji — për të mos mbetur i izoluar apo për t’u perceptuar si bllokues i procesit”, shprehet Jakupi.

Por a i dështoi Limajt shantazhi dhe loja e tij ndaj Kurtit?

“Po, në masë të madhe. Deri më tani, Nisma dhe Limaj nuk kanë arritur të imponojnë ndonjë kusht të rëndësishëm përballë Kurtit. Nëse qëllimi fillestar ishte të siguronin më shumë peshë në vendimmarrje ose përfaqësim në qeveri, ky objektiv nuk u arrit. Kalimi nga ‘presion për përfitime’ në ‘vota pa kërkesa për poste’ është sinjal se kjo strategji ka hyrë në ngërç”, nënvizon Jakupi.

Më tej, Jakupi thotë se nga frika e zgjedhjeve të reja dhe moskalimi i pragut, Limaj tani është i gatshëm që t’i japë votat e partisë së tij.

“Ky është ndoshta faktori më i rëndësishëm. Nisma ndodhet në një pozitë shumë të brishtë elektorale. Rreziku që të mos e kalojë pragun në zgjedhjet e ardhshme është real dhe i madh. Shkuarja në zgjedhje të reja në një atmosferë polarizimi, me VV-në ende të fuqishme në terren, do të ishte shumë e rrezikshme për Nismën”, shpjegon Jakupi.

“Duke ofruar votat pa kushte, Limaj po përpiqet të ruajë një lloj rol konstruktiv në Kuvend për të shmangur përgjegjësinë për krizën dhe ndoshta për të fituar simpati ose hapësirë për marrëveshje më të vogla politike në të ardhmen. Në këtë kuptim, është një dorëzim i arsyetuar nga mbijetesa politike. Frika nga zgjedhjet e reja dhe rreziku i pragut janë katalizatorët kryesorë të këtij qëndrimi të ri të Limajt”, përfundon për “Bota sot”, analisti Zejnullah Jakupi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat