“Qeveria e unitetit”- Jakupi: Ka disa faktorë që “justifikojnë” thirrjen e Abdixhikut, por situata është më e komplikuar

Politika

“Qeveria e unitetit”- Jakupi: Ka disa faktorë që “justifikojnë” thirrjen e Abdixhikut, por situata është më e komplikuar

Nga: M.L. Më: 10 qershor 2025 Në ora: 17:04
Seanca 9 qershor

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të dalë me një platformë 15 pikëshe në lidhje me propozimin për një “Qeveri të unitetit”.

Kërkesa e Abdixhikut u refuzua nga të gjitha subjektet politike që ai i kishte ftuar në nismën e tij.

Vet kreu i LDK-së këtë refuzim e konsideroi si “impulsiv”, duke thënë se Qeverinë e nuk e ka propozuar për LDK-në, por sepse shteti është bllokuar.

“Sepse nuk ka Kuvend funksional. Sepse nuk ka Qeveri funksionale. Sepse nuk ka përfaqësim legjitim. Sepse, mbi të gjitha, nuk ka asgjë tjetër të sinqertë që po ndodhë në prapaskenë, që na dërgon drejt një përafrimi e një zgjidhje – çfarëdo qoftë ajo. Gjërat nuk ndryshojnë vetvetiu duke pritur. Andaj dhe do të vazhdojmë të ofrojmë zgjidhje. Do të vazhdojmë me prezantimin publik të Agjendës 15 pikëshe – një dokument që jep drejtim, kthjelltësi dhe qëllim vet unitetit; deri në zgjedhje të reja parlamentare. Si përmbushje e vakumit deri aty; si përmbajtje e vetme për dalje nga kriza. Mund të refuzojnë gjithçka, sërish. Por si LDK, do të përpiqemi të ofrojmë dhe gjejmë zgjidhje! Sepse më mirë të jemi të vetëm në përpjekjen për zgjidhje, se sa pjesë të bllokadës pa qëllim”, shkroi ai të hënën.

Publicisti Zejnullah Jakupi e konsideron si legjitime kërkesën e Abdixhikut për një qeveri të unitetit ndërsa tregon edhe disa faktor që mund ta arsyetojnë thirrjen e tij.

Image
Zejnullah Jakupi

Kërkesa e Lumir Abdixhikut për një “qeveri të unitetit”, në parim, është legjitime dhe shpesh përdoret në momente kur një vend përballet me sfida të mëdha kombëtare — politike, ekonomike, apo të sigurisë. Në rastin e Kosovës, aktualisht ekzistojnë disa faktorë që mund ta justifikojnë një thirrje të tillë:

* Situata në veri të vendit dhe tensionet e vazhdueshme me Serbinë.

* Procesi i dialogut me Serbinë që kërkon unitet të spektrit politik.

* Izolimi ndërkombëtar i qytetarëve të Kosovës (çështja e liberalizimit të vizave ka nisur të zgjidhet, por ka mbetur një hendek në raportet me disa partnerë ndërkombëtarë).

* Polarizimi i thellë politik dhe mungesa e dialogut institucional”, ka thënë Jakupi për “Bota sot”.

Nga kjo pikëpamje, sipas Jakupit qëndrimi i Abdixhikut synon të sjellë në tryezë një model qeverisjeje që bashkon forcat politike për interesa më të mëdha sesa rivalitetet partiake.

“Por, realizueshmëria politike e kësaj ideje është më e komplikuar:

Sepse kemi dominim të VV-së në Kuvend dhe qëndrimi i qartë i Albin Kurtit që, deri më tani, ka refuzuar çdo ide për një qeveri gjithëpërfshirëse. Për Vetëvendosjen, një qeveri uniteti mund të shihet si një lloj dorëzimi ose pranim i dobësisë,

Ndërkohë që LDK-ja e ka artikuluar këtë ide, nuk ka ende një qëndrim të unifikuar nga PDK-ja dhe AAK-ja për një qasje të tillë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, një pjesë e elektoratit mund ta shohë këtë si një manovër politike për të përfituar poste, jo si një projekt substancial për unitet.

“Me afërsinë e zgjedhjeve të ardhshme, është e vështirë të besohet se partitë do të lënë mënjanë interesat elektorale për një projekt të përbashkët që do të kërkonte kompromis dhe bashkëqeverisje”, nënvizon ai.

Jakupi thekson se kërkesa e Abdixhikut është politikisht e mençur për të pozicionuar LDK-në si forca që kërkon stabilitet e bashkëpunim kombëtar, veçanërisht në raport me faktorin ndërkombëtar.

Por praktikisht, realizimi i një qeverie të unitetit në këtë moment duket pak i mundshëm pa një ndryshim rrënjësor në qasjen e VV-së dhe pa një konsensus më të gjerë ndërmjet partive opozitare.

Nëse ai arrin t’i bëjë 15 pikat tërheqëse për opinionin publik dhe të fitojë mbështetje ndërkombëtare për këtë qasje, atëherë mund të krijohet presion i mjaftueshëm që të hapet një dritare për dialog real për një qeveri më gjithëpërfshirëse. Por për këtë do të duhej një ndryshim i madh i klimës politike në vend”, përfundoi Jakupi.

Ndryshe, nesër do të jetë hera e 30-të që deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të provojnë ta konstituojnë legjislaturën e re. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat