Nga LVV u përmend një koalicion i mundshëm me PDK/ Profesori me tone të ashpra për një mundësi të tillë – ja çfarë paralajmëron!

Politika

Nga LVV u përmend një koalicion i mundshëm me PDK/ Profesori me tone të ashpra për një mundësi të tillë – ja çfarë paralajmëron!

Nga: M.Haziri Më: 11 qershor 2025 Në ora: 10:03
Albin Kurti dhe Memli Krasniqi

Partia Demokratike e Kosovës “duhet të jetë në opozitë edhe për disa vjet”, tha Mefail Bajqinovci, deputet i Vetëvendosjes.

Kjo pyetur për një koalicion eventual mes Vetëvendosjes dhe PDK-së.

Me PDK-në nuk duhet të kemi koalicion, ata duhet të jenë në opozitë për disa vjet. Ne kemi kërkesë nga elektorati që jo me PDK-në. Ia dimë PDK-së historinë për 15 vjet”, tha ai.

Por, tha ai, “nuk thashë që është pamundshme”.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Eshref Ymeri.

Ai e sheh këtë deklaratë të Bajqinovcit një lëvizje taktike në skakierën e tanishme të zhvillimeve politike.

Mefail Bajqinovci, si deputet i Vetëvendosjes, është një figurë e nderuar dhe me autoritet në skenën politike dardane.

Image
Eshref Ymeri

Deklarata e tij për një koalicion të Vetëvendosjes me PDK-në, në këndvështrimin tim, duhet interpretuar jo si ndryshim i qëndrimit të saj ndaj partisë thaçiste, por si një lëvizje taktike në skakierën e tanishme të zhvillimeve politike”, u shpreh ai.

Më tej, profesori dëshiron të theksojë se Vetëvendosja nuk mund të bashkëpunojë me PDK-në, pasi kjo e fundit akuzohet për tradhti ndaj interesave kombëtare dhe për lidhje me Serbinë fashiste.

Ai e konsideron PDK-në si një parti që nuk është vetëpastruar nga e kaluara e saj dhe që nuk ka treguar pendesë publike për veprimet e saj. Çdo afrim i Vetëvendosjes me PDK-në do të ishte një gabim fatal politik, që do të shkaktonte pakënaqësi te elektorati dhe rënie të pjesëmarrjes në zgjedhje.

Duhet të kemi parasysh se nuk mund të ketë hapje të Vetëvendosjes ndaj PDK-së, përderisa kjo parti ka pasë shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si një agjenturë e Serbisë fashiste. Kjo për arsye se në arsenalin e partisë thaçiste ka qenë dhe vahdon të mbetet e konservuar tradhtia e rëndë ndaj interesave jetike të popullit dardan, tradhti kjo që vazhdon të rëndojë mbi shpatullat e tij deri në ditët tona. Hapja e Vetëvendosjes ndaj PDK-së mund të bëhet vetëm atëherë nëse pasardhësit thaçistë do të bëjnë katarsisin, të cilit Aristoteli i pati dhënë përkufizimin e vetëpastrimit nga mëkatet e kryera. Pra, PDK-ja, pas fundit të turpshëm Hashim Thaçi, nuk ka gjetur dot forca brenda vetes për t’u vetëpastruar dhe për të dalë publikisht para popullit dardan me pendesën e madhe për krimet e bandës thaçiste në shërbim të Serbisë fashiste. Vetëvendosja nuk mund të hapet ndaj PDK-së. Një hapje e tillë do të thotë vetëvrasje politike e saj, sepse do të pritet me një pakënaqësi të theksuar nga ana e elektoratit të saj, i cili do të pushtohet nga pasiviteti, duke mos marrë pjesë në votime, çka është në interes të partive opozitare”, shpjegoi profesori.

Profesori kritikon ashpër partitë opozitare për qëndrimin e tyre, duke i akuzuar se kanë vepruar në mënyrë antikombëtare kur kanë kundërshtuar votimin e fshehtë në Kuvend, ndonëse ai është në përputhje me Kushtetutën.

Qëndrimin e vet antikombëtar, partitë opozitare e kanë manifestuar në një mënyrë të pahijshme, kur kanë mohuar votimin e fshehtë në Kuvendin e Republikës së Dardanisë, çka është në përputhje të plotë me Kushtetutën e saj. Tani le të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zhvillimin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që t’i jepet fund një herë e mirë kësaj maskarade të partive opozitare, të cilat na ka turpëruar jo vetëm para Evropës, por edhe para mbarë botës”, përfundoi profesori Ymeri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat