Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.
Ngjashëm, si në vazhdimet e kaluara të seancës konstituive - e cila nisi më 15 prill – deputetët u mblodhën shkurtimisht të premten dhe nuk gjetën zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit.
E në lidhje me këtë ngërç të krijuar, në një prononcim për “Bota sot” ka folur analisti politik, Xhavit Drenori.
Ai tha se situatë është shumë komplekse dhe se nuk pritet të ketë një zgjidhje të shpejt.
“Situata është jashtëzakonisht komplekese dhe fatkeqësisht me pak shpresë për zgjidhje të shpejt me që tashmë situata ka “rrëshqit nën udhë” siç thuhet në popull aq thellë, sa që është problem që me lëshu ‘pe’ ndonjë subjekt politik.
Tani me gjasë zgjidhja e problemit do të jenë zgjidhjet e jashtëzakonshme. Me shpalljen e datës për zgjedhjet lokale kemi një datë tentativë që mund të përafërohet me një palë zgjedhje të jashtëzakonshme, me që siç duket po iu konvenon të gjithëve, edhe pse nuk po e thonë haptas”, deklaroi analisti.
E nisur nga kjo, Drenori vlerëson se zgjedhjet e jashtëzakonshme, i konvenoj të gjitha partive politike, për këtë dha disa argumente.

“I konvenon LVV, e cila i provoI disa prej mundësive të saj me kriju institucionet dhe nuk arriti, po i konvenon edhe PDK-së e cila e ka thënë edhe më herët që është mirë me dhanë një datë për zgjedhje, edhe pse nuk i ka përmend me u mbajt dy palë zgjedhjet përnjëherë.
Kurse, LDK është as andej as këndej, po thotë që nuk është për zgjedhje, por përderisa nuk ofron zgjidhje përvvec kësaj qeverisë teknike, e cila nuk ka has në mirëkuptim tek askush, ndoshtë përveç tek AAK, por që fuqia e saj politike është shumë e vogël.
Prandaj, problemi është i tillë që nëse edhe LDK mbetet në këto pozicione që i ka, fatkeqësisht unë nuk shoh më zgjidhje tjetër, përveç zgjedhjeve të reja, të jashtëzakonshme”, nënvizoi ai.
Tutje, analisti komentoi edhe vendimin që pritet të marrë Kushtetuesja, megjithëse nuk pret që ai të ofrojnë ndonjë zgjidhje.
Se pse vlerëson kështu, e shtjelloi në detaje.
“Tani, po thirren që po e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por unë nuk pres se do sjellë shumë risi, pasi cilitdo krah që të mbajë vendimi, në kuptimin ose të lejojë votimin e fshehtë ose edhe të thotë që votimi I fshehtë megjithatë nuk lejohet, pasi procesi është fillu me një votim tjetër, prapseprapë do ketë ngërç.
Tek version i parë, pra nëse lejon të votohet me votim të fshehtë, subjektet politike të opozitës së deridjeshme unë besoj që nuk do rrinë në sallë në momentin e votimit, pra e kanë një instrument prapë me blloku situatën apo me mbajtën nën kontroll, po them votën e deputetëve të saj. Prandaj, ky version me të cilin LVV ka synuar dhe synon me gjasë digjet lehtë.
Në anën tjetër, nëse Gjykata Kushtetuese kthen vendimin me përgjigjen që nuk lejohet ndrrimi i procedurës, atëhere LVV mund të shkojë në pafundësi duke e propozu qoftë të njëjtin emër apo duke i ndërru emrat, por jo emrat të cilët potencionalisht kishin mujt me u votu nga opzita e deri djeshme”.
Në fund, Drenori shtoi se kjo çështje nuk është procedurale, por puro politike.
“Kësisoj, unë mendoj që çështje e tillë, ngërçi i tillë, që pa një vullnet politik të kryetarëve të subjekteve politike nuk kalohet. Pra nuk është çështje procedural, por çështje puro politike e cila fatkeqësisht ndodhë një e tillë, pasi kemi klasë politike që ka mendësi bllokuese dhe ajo mendësi bllokuese edhe këtë herë u shfaq dhe po na përcjellë”, përmbylli Xhavit Drenori për “Bota sot”.