Propozim i pamundur? Analistët flasin për ‘qeverinë e unitetit’- zbulojnë pikat që mund t’i pranojë VV

Politika

Propozim i pamundur? Analistët flasin për ‘qeverinë e unitetit’- zbulojnë pikat që mund t’i pranojë VV

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 qershor 2025 Në ora: 10:15
Kuvendi i Kosovës

Iu kërkua dy herë takimi e kërkesa për bashkëqeverisje, por Lidhja Demokratike e Kosovës e refuzoi një kërkesë të tillë duke propozuar një qeveri tranzicioni.

Gjersa, bllokada në Kuvendin e Kosovës po vazhdon, Lidhja Demokratike e Kosovës insiston në qeveri të Unitetit, që sipas saj, është zgjidhje për krizën aktuale politike.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media të enjten ka bërë të ditur planin e punës për Qeverinë e Unitetit.

Sipas tij, kjo s’është zgjidhja më e mirë e mundshme dhe një kontratë e nderit mes forcave politike për ta nxjerrë vendin nga kriza.

Agjenda 15 pikëshe e LDK-së parasheh:

1. Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese. Qeveria e unitetit do të merret me departizimin e institucioneve. Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve.

2. Dakordimi i plotë për rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjit.

3. Pakoja emergjente për menaxhimin e krizës energjetike dhe heqja e tvsh-s për çdo faturë të energjisë elektrike. Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme.

4. Nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Qeveria e unitetit s’mund të bëjë gjithë gazifikimin, por do të nis projektin dhe të dakordohemi që projekti të vazhdojë pas zgjedhjeve të reja të pranverës së 2026.

5. Rindërtimi i raportit me BE-në dhe SHBA-në. Kthimi i besimit politik përmes një qasje të përgjegjshme shtetërore është prioritet  i Qeverisë së Unitetit. Do të përgatisim platformë unike nga të gjitha partitë për Dialogun me Serbinë. Ristrukturim i plotë i shërbimit diplomatik që është në kolaps të plotë pas 4 viteve të qeverisjes.

6. Brenda një shumice të tillë do t’i votonim marrëveshjet ndërkombëtare.

7. Vettingu në sistemin e drejtësisë.

8 . Fillimi i projekteve me rëndësi jetike për Kosovën.

9. Do të flasim për reformën kushtetuese në funksion të stabilitetit. Do të trajtonim edhe këtë praktikë që po kalojmë, se a do të duhet të kemi ndryshime kushtetuese. Pra të bëjmë një reset kushtetues.

10. Hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.

11. Përgatitja për lojërat mesdhetare që po vijnë, e që janë në rrezik.

12. Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.

13. Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave.

14. Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajve.

15. Mekanizmi i transparencës për periudhën kalimtare. Do të themelonim një mekanizëm monitorues mbi zbatimin e kësaj formule.

 “Koncepti programor prej 15 pikësh hap i mirë”

Duke komentuar agjendën 15 pikëshe të LDK-së, analisti Blerim Burjani vlerëson përpjekjen e LDK-së, gjersa shton se ka pika që VV mund t’i pranojë si angazhim të përbashkët.

Sipas tij, koncepti programor prej 15 pikësh është një hap i mirë dhe kësisoj opozita dhe opozita duhet ta pranojnë së pari në parim dhe pastaj pikat programore mund të zgjerohen.

Image
Blerim Burjani

 “Të themi së pari se duhet vlerësuar pozitivisht përpjekja e ekipit të LDK-së dhe atij profesional për të hartuar pikat programore të një qeverie uniteti për një periudhë njëvjeçare – normalisht si propozim për subjektet e tjera politike, pa dashur të mbyllet mundësia e kontributit edhe nga partitë e tjera politike përbërëse të kësaj qeverie. Pra, ka pika të identifikuara nga LDK që VV mund t’i pranojë si angazhim të përbashkët; vettingu është njëri prej tyre. Natyrisht, ka edhe pika që i takojnë ideve të partive opozitare për t’u angazhuar në këtë kohë. Koncepti programor prej 15 pikësh është një hap i mirë – më mirë të ndërmerret diçka konkrete sesa të shkohet kot në Kuvend dhe të dështojë gjithçka. Unë do të doja që opozita dhe pozita ta pranojnë së pari në parim, pra të tregojnë se kanë vullnet politik për të formuar një qeveri uniteti. Më pas, pikat programore mund të zgjerohet, të negociohen, të shtohen me sqarime – pra duhet të marrë një fizionomi të qartë programore njëvjeçare deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme”, shprehet Burjani.

 Ai konsideron se nëse partia fituese nuk pranon iniciativa opozitare, atëherë le të propozojë vetë një zgjidhje.

Sipas tij, një kryeministër jashtëpartiak do të ishte më i miri për këtë qeveri të propozuar nga LDK.

 “VV, siç duket, po i refuzon apriori këto propozime – ndoshta për shkak se vetë i mungon iniciativa. Pra, nëse nuk duan të pranojnë iniciativa opozitare, atëherë le të propozojnë vetë një zgjidhje. Nuk është korrekte, sipas mendimit tim, që gjithçka të hidhet poshtë dhe të duket më e pranueshme dështimi i radhës në Kuvend. Ose le të takohen pozita me opozitën dhe le të ndërtojë VV një koncept programor njëvjeçar, e më pas opozita të ndihmojë duke shtuar pikat e saj të angazhimit. Por jo gjithmonë “jo”, pa thënë asnjëherë “po”; nuk është e pranueshme të mos pranohet askush përveç vetes si pozitë. VV po sillet si fituese absolute dhe nuk po e pranon realitetin zgjedhor që e ka pamundësuar formimin e një qeverie vetëm nga ajo. Kjo nuk do të ndodhë kurrë që një subjekt të marrë 50+1 në zgjedhje. VV nuk duhet të shtyhet nga inati, por nga interesi qytetar. Një kryeministër jashtëpartiak do të ishte më i miri për këtë qeveri të propozuar nga LDK”, pohon analisti.

Propozimi i LDK-së, sipas PDK-së nuk mund të jetësohet.

Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, në një prononcim për median vendore ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet, pasi që fillimisht është refuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

 “Nuk e kam parë planin me të thënë të drejtën, për sa i përket propozimit unë jam deklaruar disa herë , një propozim i tillë për të pasur mundësinë e trajtimit serioz para se gjithash duhet me u shpreh të gjitha palët që kanë vullnetin dhe automatikisht që lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar mua më vjen keq që një gjë e tillë automatikisht bëhet e pamundshme. Sepse ideja e qeverive të tilla nënkupton që të gjitha palët të jenë në tavolinë dha ta diskutojnë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, në momentin kur mungon njëra parti siç është rasti i Vetëvendosjes, duket që automatikisht të merret parasysh propozimi që ka dhënë PDK-ja.

 “Në momentin kur mungon Vetëvendosja i bie që kthehemi të propozimi që e kemi dhënë si PDK, qeveria e partive  të ish opozitës. Unë gjithmonë jam i hapur për ta diskutuar qeverinë që do ta krijonim si PDK me LDK-në AAK-në dhe Nismën dhe një gjë të tillë jo vetëm që e kemi vullnetin por e kemi edhe përkushtimin për ta jetësuar nëse edhe LDK e ka vullnetin e tillë”, u shpreh Krasniqi.

Propozim që nxit shpresën dhe për dritë në fund të tunelit?

Image
Vesel Makolli

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Vesel Makolli, thotë se çdo propozim ose ide për dalje nga kriza duhet të përshëndetet dhe të shqyrtohet në detaje.

Ai konsideron se fjala unitet ka konotacion pozitiv dhe nxit për të shpresuar një dritë të zbehtë në fund të tunelit.

“Çdo propozim ose ide që jepet me qëllim të daljes nga ky patpozicion që e ka bllokuar funksionimin e institucioneve kryesore shtetërore – që lirisht mund të thuhet se Kosova nuk ka institucione legjitime shtetërore, përpos institucionit të Presidentit/es – duhet të përshëndetet nga partitë parlamentare dhe duhet të shqyrtohet në detaje, duke u nisur nga maksima se interesi i shtetit është mbi të gjitha, edhe mbi intereset partiake, individuale e klanore.

Në lexim të parë telegrafik, vetë fjala unitet ka konotacion pozitiv në këtë rast, gjegjësisht është një ide ose propozim që të nxit me shpresuar për një dritë të zbehtë në fund të tunelit. Por, nëse kthehemi në retrospektivë më të largët – gjatë krijimit të shtetit të parë shqiptar në vitet ’20 të shekullit të kaluar dhe tash nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më sot – shqiptarët nuk kanë mundur ta “zbulojnë formulën e unitetit””, deklaron Veseli.

Ai propozimin e sheh të pamundur pa ndërmjetësimin e SHBA-së, gjersa shton se është frika për marrjen e përgjegjësive.

 “Historia na mëson se dalja nga situatat bllokuese me formulën e unitetit është arritur vetëm me ndërmjetësime nga miqtë tanë ndërkombëtarë – në rastin e Kosovës, me ndërmjetësimin (këmbëngulësinë) e nunit tonë të pavarësisë: SHBA-ve.

Ky propozim dhe të ngjashmit për daljen nga kriza me marrëveshje uniteti për krijimin e institucioneve, pa ndërmjetësimin e SHBA-ve, është e pamundur – impossible. Të dyja palët – si ajo fituese, LVV, ashtu edhe opozita, që e përbashkët ka më shumë numra se pozita – kanë frikë për marrjen e përgjegjësive në këtë situatë, kur e dinë se në rrafshin ndërkombëtar i presin obligimet që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare, e që janë vendime të vështira dhe bien ndesh me premtimet e tyre populiste e folkloriste që i kanë dhënë gjatë fushatës zgjedhore”, shprehet njohësi.

Ai kërkon një qeveri të opozitës, gjersa bën llogaritje të numrave.

 “Zgjidhja më e mirë për momentin është një marrëveshje urgjente “gentelmene” në mes të PDK, LDK dhe AAK-NISMA, që në total bëjnë 52 deputetë, me mundësi reale që t’u bashkohen edhe dy apo tre nga Guxo – dhe që me pakicat do t’i kishin mbi 62 numra, që janë të mjaftueshëm për ta krijuar qeverinë. Pas funksionimit të qeverisë, do të kishte edhe “rrjedhje” tjera të deputetëve në koalicion, e cila me gjasë do të mundësonte tejkalimin e ngërçit eventual që do të vinte për zgjedhjen e Presidentit/es vitin e ardhshëm. Nëse opozita do ta vinte interesin e Kosovës mbi të gjitha dhe do ta arrinte këtë marrëveshje, në një afat prej maksimum një muaji do të zgjidheshin institucionet, duke e vazhduar punën dhe aktivitetet me nxitim të theksuar, për të ecur drejt përmbylljes së shtetësisë sonë”, përfundon Veseli.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat