Kur kanë kaluar më shumë se katër muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit, Kosova ka mbetur pa institucione të reja e me qeveri në detyrë.
Edhe pse fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, ajo nuk arriti të sigurojë shumicën e vetme që të qeverisë e vetme.
Në mungesë të një marrëveshjeje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe ndonjërës nga partitë opozitare, formimi i institucioneve të reja ka ngecur tek zgjedhja e kryetares së Kuvendit, ku Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post, e cila po kundërshtohet fuqishëm nga partitë opozitare.
E kriza e krijuar dhe mos arritja e një marrëveshjeje politike mes partive politike, po kritikohet ashpër nga analisti dhe publicisti Skënder Zogaj.
“Ngërçi i krijuar rreth konstituimit të Kuvendit është epilepsi e klasës politike të Kosovës, e cila e ka dëshmuar se është marrëzisht e sëmurë për pushtet dhe aspak e interesuar për fatin e shtetit të Kosovës, që për të parën herë (dhe për të fundit herë) e ka shansin të sendërtojë ëndrrën historike të lirisë dhe pavarësisë! Kjo klasë politike është çorba e hidhur që e gatuajtën shtetasit shqiptarë të Kosovës, të cilët dështuan për ta krijuar mozaikun real të modelit shtetëror të duhur për rrethanat aktuale kur vendoset fati ynë. Ngërçi është kast i klasës politike injorante, e cila për ‘mollën me sheqer, po e bën Kosovën beter!’”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje, por vetëm thellim më tej i krizës.
“Situata është e pa shtegdalje sepse zgjidhja elementare e dinjitetshme ka skaduar! Tash ka vetëharrnime, zhagitje dhe ballafaqime me situata të reja të turpshme, thellime krize dhe zhagitje çnderuese të lirisë dhe vrugtime të pavarësisë! Zgjedhjet e reja janë e vetmja ofertë, nga e cila, do të ketë sërish numra ngatërrues dhe ngërçe të reja, nga të cilat sërish Kosova do të vazhdojë të jetë e sëmurë, sepse, nga brumi aktual politik, pra me partitë që kemi, nuk gatuhet buka që i duhet Kosovës. Është koha që intelektualizmi të mos hesht, por të dalë dhe të ndërmarrë masa për ripërtëritjen e primesave të pastra demokratike”, shprehet Zogaj.
“Të pavarurit nga bota idealiste duhet të zgjohen dhe të hyjnë në garën zgjedhore të ardhshme. Sidomos përtëritja e fortë duhet të ndodhë në zgjedhjet lokale, ku myku ka zënë rrënjë të thella! Një anëtar një votë është më pak kalkulative dhe ndoshta e vetëdijëson elektoratin për ta kuptuar se vota është e shenjtë dhe keqpërdorimi i saj vetëshkatërrim!”, përfundon analisti Skënder Zogaj për “Bota sot”.