“Unë do ta zgjidhi, sërish.”
Kështu u zotua Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në lidhje me çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim të publikuar në platformën e tij “Truth”, Trump, përmes fjalës “sërish”, rikujtoi angazhimin e tij të mëparshëm gjatë mandatit të parë, kur në shtator të vitit 2020 bashkoi udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.
Profesori thekson se ndërhyrja e shpejtë e presidentit amerikan Donald Trump në dialogun Kosovë-Serbi do të ndihmonte në arritjen më të shpejtë të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ai gjithashtu beson se Trump, ndryshe nga BE-ja, nuk do të lejonte manipulime nga ana e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Sa më shpejtë të angazhohet e të ndërhyjë presidenti i SHBA-ve, Donald Trumpi, në lidhje me normalizimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, aq më shpejtë do stabilizohej dhe realizohej paqa jo vetëm në mes dy shteteve fqinje, por në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Vetëm me presidentin e fuqishëm amerikan, Donald Trupin, Aleksandar Vuçiqi i Serbisë nuk mund të manipulojë, sikurse që manipulon me Brukselin dhe BE-në”, u shpreh ai.
Tutje profesori shpreh zhgënjimin me Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, e cila u nënshkrua por më pas u mohua nga Serbia, dhe thekson nevojën që SHBA-të ta rishikojnë atë me më shumë seriozitet, veçanërisht ndaj qëndrimit të paqëndrueshëm të Serbisë.
Sipas tij, vetëm SHBA-ja nën udhëheqjen e Trumpit ka fuqinë për ta zgjidhur këtë çështje, pasi BE-ja ka dështuar për shkak të qasjes së saj të pasinqertë dhe të dobët.
“Për fat të keq, më 2020 në Shtëpinë e Bardhë në Uashington pati një Marrëveshje në mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, por kjo Marrëveshje gjoja historike më vonë u mohua, u ironizua nga ish-kryeministrja serbe Brnabiq, e cila e shpalli të pavlefshme Marrëveshjen e presidentit të SHBA-ve Trumpit në Uashington, prandaj është shumë e arsyeshme që SHBA-të të rishikojnë e rikthejnë sërisht këtë Marreveshje në Shtëpinë e Bardhë në Uashingtonit, po ama me një seriozitet të fuqishëm të realizohet, sidomos nga ana e Serbisë tre-fytyrëshe e cila mbahet edhe me Rusinë, edhe me BE-në edhe me SHBA-në, vetëm për të dominuar Kosovën.
Vetëm SHBA-ja e Trampit nëse do mund të zgjidh problemin dialogues kontravers e mohues të Serbisë ndaj Kosovës, BE-ja e hilosur dhe e pasinqertë në Bruksel dështoi”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.