Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, i ka hequr shtetësinë e Kosovës një personit të komunitetit serb, i akuzuar për rekrutim nga institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Serbisë.
Policia e Kosovës bëri të ditur se ky person do të dëbohet me forcë nga territori i Kosovës.
Sveçla shkroi se Nikolla Vujoviq “përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”.
Por, edhe një serb, Mlladen Millojevia i është dëbuar dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë.
Që të dyve u është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.
Vujoviq dhe Millojeviq ishin në mesin e tre pjesëtarëve dhe të një pjesëtari të pensionuar të MPB-së serbe që u arrestuan në Kosovë të shtunën.
Shala: Beogradi përdor shërbimet e inteligjencës si mjet kryesor të ndikimit

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka vlerësuar për “Bota sot” se vendimi i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për t’i hequr shtetësinë Nikolla Vujoviqit është një hap i qartë kundër kërcënimeve që vijnë nga shërbimet inteligjente serbe.
Sipas Shalës, Vujoviqi dyshohet se ka vepruar si agjent i BIA-s brenda Policisë së Kosovës, gjë që paraqet rrezik serioz për sigurinë kombëtare.
Ai thekson se infiltrime të tilla përdoren për të mbledhur informacion të brendshëm, për të destabilizuar vendin dhe për të identifikuar zyrtarë besnikë ndaj shtetit.
“Vendimi i ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, për t’i hequr shtetësinë Nikolla Vujoviqit, paraqet një veprim që reflekton vendosmërinë e autoriteteve të Kosovës për të adresuar kërcënimet që vijnë nga infiltrimi i shërbimeve të inteligjencës serbe në strukturat e sigurisë.
Vujoviqi, si person që dyshohet se vepron si agjent i shërbimeve serbe (BIA) brenda Policisë, paraqet një rrezik të lartë për sigurinë kombëtare. Këto lloj infiltrimesh përdoren për të siguruar informacion të brendshëm, për të manipuluar vendimmarrjen, si dhe për të ndërmarrë veprime që destabilizojnë vendin — nga organizimi i incidenteve, përdorimi i dhunës, dezinformacionit, e deri te identifikimi i personelit që qëndron besnik ndaj vendit”, potencon ai.
Në fund, Shala thotë se heqja e shtetësisë nga Nikolla Vujoviq shihet si një veprim i qëlluar dhe i sinjalizuar mirë nga autoritetet e Kosovës për të forcuar mbrojtjen institucionale ndaj ndikimit të shërbimeve serbe.
Në rrafshin e sigurisë, ai thotë se ky vendim është më shumë sesa akt administrativ – është një deklarim i hapur se Kosova nuk do të tolerojë infiltrimin në strukturat e saj shtetërore, veçanërisht në sektorët e ndjeshëm si Policia.
“Heqja e shtetësisë nga Vujoviqi duket të jetë një sinjal i qartë që Kosova po përgatit mbrojtjen e saj institucionale nga ndikimi serb. Ajo që vlen të theksohet, në rrafshin gjeopolitik, është se Beogradi përdor shërbimet e inteligjencës si mjet kryesor të ndikimit, veçanërisht në veri të Kosovës, për të destabilizuar situatën, për të minuar autoritetin e Prishtinës dhe për të nxitur trazira që dëmtojnë qëndrueshmërinë e vendit.
Prandaj, ky vendim duhet parë si pjesë e një fushate më të gjerë të autoriteteve kosovare për të forcuar sigurinë kombëtare, për të identifikuar dhe neutralizuar agjentët që veprojnë në shërbim të Beogradit, si dhe për të parandaluar që Serbia të përdorë këto kanale për të realizuar qëllimet e saj destabilizuese.
Në planin e inteligjencës, heqja e shtetësisë dërgon një mesazh që Kosova qëndron syçelë dhe se aparati i saj i sigurisë po përdor të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të mbrojtur integritetin, sovranitetin dhe qëndrueshmërinë e vendit”- përmbylli ai për “Bota sot”.
Dashevci: Vendimi është i duhur
Edhe eksperti tjetër i sigurisë, Arben Dashevci e mbështet plotësisht vendimin për t’i hequr shtetësinë Nikolla Vujoviqit, duke theksuar se ai përbënte rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare si i infiltruar nga shërbimet serbe.

Sipas tij, duhet vazhduar pastrimi institucional nga elementë të tillë, pasi siguria kombëtare është parësore.
“Po, me të drejtë mendoj unë se është privuar nga shtetësia një shtetasi të Kosovës, sepse sipas organeve tona të sigurisë ai është i rekrutuar nga institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Serbisë dhe ato dihet se shërbejnë pë dëmin e Kosovës dhe cenimin e sigurisë të vendit tonë.
Ky përbënte rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore famëkeqe të Serbisë, ky ka cenuar sigurinë kombëtare direkt.
Vendimi është i duhur mendoj unë dhe duhet të bëhet tutje pastrim aty ku evidentohen këta persona të dyshimtë dhe tepër të rrezikshëm sepse na rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.
Siguria kombëtare është primare dhe esenciale në një shtet”, thotë ai.
Më tej, eksperti thekson se heqja e shtetësisë është pjesë e një fushate të gjerë kundër ndikimit serb dhe rreziqeve për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Ai shton se Kosova është një shtet sovran me institucione të forta dhe nuk do të tolerojë asnjë kërcënim, duke vepruar shpejt ndaj çdo rreziku.
“Mendoj që kjo është pjesë fushatës edhe më të gjerë që do të bëhet kundër ndikimit serb në Republikën e Kosovës dhe ku të hasen do të arrestohen menjëherë mendoj unë.
Ai përfaqëson rrezik të madh për sigurinë kombëtare të Kosovës sepse siguria kombëtare do të thotë diçka sensitive, dhe ka të bëjë me informacione sekrete, top sekrete dhe konfidenciale dhe ky është qëllimi i Serbisë të marrin informacione sekrete dhe t’i shfrytëzojnë ato në dëmin tonë dhe kush ka informacionin ka situatën në dorë, ky është postulati i sigurisë kombëtare dhe Kosova këtë nuk e toleron kurrë më, jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe reagojmë si të tillë, shtet me institucione të sigurisë kredibile që janë të afta, profesionale kanë përvojën e duhur kundrejt çfarëdo rreziku që na kanoset si shtet sikurse rasti në fjalë.
Nuk ka asnjë tolerim mendoj unë për askënd që na cenon sigurinë kombëtare, sepse reagimi do të jetë i shpejt.
Kosova ka institucione të kompletuara për tu ballafaquar në kohë dhe shpejt kundrejt atyre që na rrezikojnë shtetin tonë.
Hapësira për llojin e tillë të njerëzve është e mbyllur tashmë në masë të madhe sepse po kapen aty ku hasen”, përfundon ai për “Bota sot”.