Katër urdhërarreste për Radoiçiqin – A është arrestimi i pashmangshëm?

Politika

Katër urdhërarreste për Radoiçiqin – A është arrestimi i pashmangshëm?

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 20 qershor 2025 Në ora: 16:36
Milan Radoiçiq

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiqit.

Këtë e konfirmoi për mediat zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, e cila tha se ky urdhërarrest është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022.

Përveç Radoiçiqit, është bërë e ditur se Prokuroria Speciale ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast. Ndërkohë, duke u hetuar janë rreth 50 persona.

Por, ky nuk është urdhërarresti i vetëm aktiv ndaj Radoiçiqit. Prokuroria Speciale e Kosovës, ka treguar për rastet në të cilat është i përfshirë Radoiçiq.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka lëshuar letër-rreshtim dhe urdhërarrest vendor dhe ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiq, në këto raste: Rastin “Banjska”, Rastin “Oliver Ivanoviq”, Rastin për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” në Gjakovë, Rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore të Kosovës në vitin 2022. Kërkesat për Urdhërarrest dhe – letër-rreshtime janë lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë ndërmarrë, dhe janë duke u ndërmarrë nga Prokuroria”.

Ndërsa, tha se për veprimet tjera publiku do të njoftohet në kohë, meqë rasti është në fazën e hetimeve dhe nuk mund të ndajnë më shumë informacione.

“PSRK, zbaton në përpikëri procedurat ligjore në përputhje me Kushtetutën, dhe në mënyrë të barabartë për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Prokurorisë Speciale, Nora Luta.

Theksojmë se, në prill të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar fletarrestim ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.

Radoiçiq, si pjesë e një grupi serbësh, dyshohen se vranë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë dhe keqtrajtuan 300 të tjerë.

Ndryshe, kryekrimineli Millan Radoiçiq tashmë është person i kërkuar nga Kosova për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 ku u vra rreshteri, Afrim Bunjaku.

Bajraktari: Radoiçiqi mund të sillet para autoriteteve tona vetëm nëse kemi një presion të faktorit ndërkombëtar

E në lidhje me lëshimin e letër-rreshtimit për Radoiçiqin, për “Bota sot” ka folur avokati, Ardian Bajraktari.

Si fillim, ai komentoi këtë vendim të Gjykatës dhe qëllimin e tij.

Image
Ardian Bajraktari.

“Urdhër arresti ndaj Radoiçiqit është masë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë, i cili lëshohet nga ana e Gjykatës, pas kërkesës së Prokurorisë, dhe si i tillë ka për qellim që personin në fjalë ta sjellë para organeve të drejtësisë për t’u ballafaquar me akuzat që rëndojnë ndaj tij”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, avokati tha se sjellja e Radoiçiqit para drejtësisë është e vështirë, por jo e pamundshme.

Sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm me një presion të shtuar të faktorit ndërkombëtar.

“Sjella para organeve të drejtësisë së Kosovës e Radoiçiqit dhe të tjerëve, për t’u përballur me akuza, është i vështirë por jo i pamundshëm. E vështirë për faktin se shteti serb po vazhdon me qenë strehë për kriminelët, ky shtet nuk ka vullnet e as gatishmëri fare për të bashkëpunuar me autoritetet tona.

E Radoiçiqit dhe të tjerët të cilën ndodhen në kërkim mund të sillen para autoriteteve tona vetëm nëse kemi një presion të faktorit ndërkombëtar në drejtim të shtetit serb për sjelljen e tyre në Kosovë”, përfundoi Ardian Bajraktari për “Bota sot”.

Gecaj: Drejtësia lëviz ngadalë, por lëviz

Ndërsa, eksperti i sigruisë, Hysen Gecaj u shpreh se ky është një vendim i rëndësishëm.

Në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se për shumë familje, ky vendim është një sinajl shprese për drejtësi, ndonëse të vonuar.

Image
Hysen Gecaj

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në drejtim të adresimit të krimeve të luftës, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë për lëshimin e një urdhër-arresti ndaj Milan Radoiçiqit – një prej figurave më të diskutueshme të strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës.

Radoiçiq akuzohet për pjesëmarrje në krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së viteve 1998–1999. Konkretisht, ndaj tij rëndojnë dyshimet për përfshirje në vrasjen e mbi 100 civilëve shqiptarë dhe keqtrajtimin sistematik të qindra të tjerëve. Për shumë familje shqiptare të viktimave, ky vendim përfaqëson një shpresë të re drejt drejtësisë – megjithëse të vonuar”, nënvizoi eksperti.

Po ashtu, Gecaj tregoi se çka do të tregonte arrestimi eventual i kryekriminelit Radoiçiq.

Sipas tij, do të forconte besimin qytetar në sundimin e ligjit, mirëpo një arrestim arrestim i tillë do të kishte pasoja të ndjeshme politike.

“Reagime të ndara: Drejtësi apo vendim simbolik?

Ka skepticizëm për mundësinë reale të zbatimit të këtij synimi.

Urdhër-arresti rrezikon të mbetet vetëm një akt formal. Shteti serb nuk e njeh juridiksionin e Kosovës dhe nuk ekstradon shtetasit e vet.

Çfarë do të nënkuptonte arrestimi i Radoiçiqit?

Arrestimi eventual i Radoiçiqit do të përbënte një fitore simbolike dhe substanciale për drejtësinë në Kosovë. Ai do të konfirmonte vullnetin institucional për të përballur krimet e së kaluarës, do të forconte besimin qytetar në sundimin e ligjit dhe do të rrite presionin ndërkombëtar ndaj Serbisë për të distancuar veten nga individët që konsiderohen si “mbetje e politikës së Millosheviçit”.

Por përtej simbolikës, një arrestim i tillë do të kishte pasoja të ndjeshme politike. Ai mund të përkeqësonte më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara Kosovë–Serbi dhe do të provokonte reagime të ashpra në Beograd, ku Radoiçiq vazhdon të gëzojë mbështetje nga qarqe nacionaliste dhe madje ka pasur edhe lidhje të deklaruara me zyrtarë të lartë shtetërorë”, nënvizoi ai.

Tutje, eksperti tregoi mundësitë që një gjë e tillë të ndodhë, e që sipas tij ato janë të ulëta.

Ndonëse, përmendi vetëm një mundësi konkrete.

“Sa janë realisht gjasat për një arrestim?

Në kushtet aktuale, gjasat për arrestimin e Milan Radoiçiqit mbeten të ulëta. Serbia refuzon kategorikisht të bashkëpunojë me drejtësinë e Kosovës dhe nuk e njeh autoritetin e saj. Për më tepër, mungon ende një “red notice” nga Interpol që do ta bënte arrestimin të mundur jashtë territorit të Serbisë

E vetmja mundësi konkrete mbetet që Radoiçiq të udhëtojë jashtë Serbisë dhe të ndalohet në një vend që njeh pavarësinë e Kosovës dhe është i gatshëm të zbatojë kërkesat e saj për ekstradim”, shpjegoi Gecaj.

Në fund, theksoi se arrestimi i Radoiçiqit mbetet edhe një sfidë për ndërkombëtarët, jo vetëm për drejtësinë në Kosovë.

“Përfundim: Drejtësia lëviz ngadalë, por lëviz

Në një rajon ku drejtësia për krimet e luftës ka qenë shpesh selektive dhe e politizuar, çdo hap institucional që synon ballafaqimin me të kaluarën është i rëndësishëm. Letër-rreshtimi për Milan Radoiçiqin mund të mos sjellë rezultat të menjëhershëm, por është një sinjal se dosjet nuk janë mbyllur dhe se krimet nuk harrohen.

Arrestimi i tij mbetet sfidë ndërkombëtare – një test për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për vendosmërinë e Kosovës për të ndjekur deri në fund krimet që ende lënë plagë të hapura në shoqërinë e saj”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat