BE-së i vjen kundërpërgjigja pas reagimit për dëbimin e policëve serbë: Kur rrezikohet siguria kombëtare veprohet me urgjencë

Politika

BE-së i vjen kundërpërgjigja pas reagimit për dëbimin e policëve serbë: Kur rrezikohet siguria kombëtare veprohet me urgjencë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 qershor 2025 Në ora: 18:36
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke patrulluar afër Banjskës pas sulmit të armatosur në këtë fshat më 2023.

Më 7 qershor në Serbi është arrestuar ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili akuzohet për “vrasje të rëndë në Banjskë” në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau një rreshter. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë tre sulmues serbë.

Autoritetet e Kosovës, që nga 15 qershori, kanë dëbuar pesë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët jetonin në Kosovë, me arsyetimin se “përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare”.

E në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se masat si heqja e shtetësisë apo dëbimi, në rastin e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë që jetojnë në Kosovë, është dashur të jenë masat e fundit dhe të ndërmerren vetëm pas një procesi ligjor.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së tha gjithashtu se masat për heqje të shtetësisë apo dëbimit duhet të jenë në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në veçanti me kërkesën që është në nenin 8 që kërkon një vlerësim individual të bazuar në dëshmi, i cili balancon sigurinë kombëtare me jetën private dhe familjare të personit.

“Po i ndjekim me kujdes arrestimet dhe dëbimet. I kemi kërkuar autoriteteve të Kosovës të sigurojnë një proces të drejtë, të respektojnë standardet e të drejtave themelore dhe të garantojnë mjete juridike për personat e prekur”, u tha në përgjigjen e dërguar nga BE-ja.

Berisha: Serbia nё vazhdimësi po tenton ta luftoj Kosovën

E në lidhje me arsyet e sigurisë kombëtare që mund të justifikojnë masat ndaj zyrtarëve serbë në Kosovë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fidair Berisha.

Ai ka theksuar se Serbia po tenton ta dëmtojë Kosovën si nga brenda përmes sabotimeve dhe sulmeve, ashtu edhe nga jashtë në arenën ndërkombëtare, duke e paraqitur si shtet jofunksional.

Image
Fidair Berisha.

Eksperti i sigurisë thekson se veprimtaria e spiunazhit përbën shkelje të ligjit dhe cenim të sigurisë kombëtare, ndaj privimi i shtetësisë është veprim ligjor dhe i justifikuar.

“Serbia nё vazhdimësi po tenton ta luftoj Kosovën nga brenda nëpërmjet sabotazheve apo sulmeve tashmë tё njohura ,po ashtu edhe  nga jashtë nё aspektin ndërkombëtar  duke e paraqitur Kosovën si shtet jo funksional dhe jo demokratik, madje duke akuzuar kinse nuk po i respekton liritë dhe tё drejtat e pakicës serbe nё Republikën e Kosovës. Veprimtaria e spiunazhit përbën shkelje të ligjit të Kosovës, por edhe cenim të sigurisë kombëtare, andaj ne rastin konkret shteti i Kosovës ka vepruar konform ligjit nё fuqi i cili pёr këtё lloj veprimtarie parasheh privimin e shtetёsisё ndaj personave qё kryejnë kёtё veprimtari”, u shpreh eksperti.

Eksperti i sigurisë thekson se veprimtaria e spiunazhit bie ndesh me ligjet e Kosovës dhe përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

Ai ka sqaruar se, bazuar në Nenin 24 të Ligjit për Shtetësinë, shteti ka të drejtë të privojë nga shtetësia personat me shtetësi të dyfishtë që ndërmarrin veprime kundër rendit kushtetues ose bashkëpunojnë me shërbime të huaja pa autorizim. Gjithashtu shton që privimi i shtetësisë është masë ligjore në raste të tilla, por vendimi mund të kundërshtohet në gjykatë.

“Bazuar nё Nenin 24 Humbja e shtetësisë me privim ndodh nё rastet si nё vijim:

-          Pavarësisht të drejtës së personave për shtetësi të   Republikës së Kosovës sipas ligji, organi kompetent mund të privojë shtetasin e Republikës së Kosovës nga shtetësia e Republikës së Kosovës, nëse shtetasi posedon shtetësi tjetër dhe nëse merret me veprimtari, të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.

-          Kur shtetasi qëllimisht i është bashkuar një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës

-          Shtetasi ndërmerr veprime të cilat kanë për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës

-          Shtetasi është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër dhe për këtë nuk ka marrë pëlqimin nga organi kompetent ose nuk është i lejuar me marrëveshje ndërkombëtare.

-          Kundër vendimit për privim mund të iniciohet konflikt administrativ në gjykatën kompetente sipas Ligjit për Konflikt Administrativ”, shpjegoi eksperti.

Ndër të tjera ai shton se disa pjesëtarë të komunitetit serb me shtetësi të Kosovës  punojnë për institucionet e sigurisë serbe dhe paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, pasi ndajnë informacione me inteligjencën serbe.

Ai shton se reagimi i Kosovës ka qenë i drejtë dhe i bazuar në ligj, pavarësisht vërejtjeve të BE-së, sepse në raste të tilla kërkohet veprim i menjëhershëm.

“Mund te konstatojmë se ka edhe pjesëtarë  tjerë të komunitetit serb me shtetësi kosovare qё janë pjesë e institucioneve të sigurisë në Serbi dhe qё bien ndesh me ligjin ndërsa aktualisht  punojnë dhe veprojnë nё institucione tё shtetit nё republikën e Kosovёs. Prandaj personat e tillë paraqesin rrezik pёr sigurinё kombëtare sepse  ata bartin informacione të rëndësishme në inteligjencën e shtetit serb siç është  BIA serbe. Deklarimi nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për heqjen e shtetësisë apo dëbimin, në rastin e pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë që jetojnë në Kosovë, se është dashur të jenë masat e fundit dhe të ndërmerren vetëm pas një procesi ligjor, mendoj se nuk qëndron sepse nё rastet kur rrezikohet siguria kombëtare ёshtё obligim ligjor qё tё veprohet me urgjencё dhe duke u bazuar nё ligjet qё ka shteti i Kosovës”, foli eksperti i sigurisë Berisha për “Bota sot”.

Burjani: Zakonisht, një person fillimisht dënohet me burg para se të mendohet për privimin nga shtetësia

Image
Blerim Burjani.

Ndërsa nëse masat ndaj pjesëtarëve të MPB-së serbe janë në përputhje me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Juristi thekson se privimi nga shtetësia është masë ekstreme dhe duhet të vijë vetëm pas një procesi të rregullt ligjor.

Sipas tij fillimisht parashikohet dënimi me burg, jo menjëherë marrja e shtetësisë.

“Jo, është e vërtetë që marrja e shtetësisë është masa më e fundit dhe më ekstreme ligjore. Zakonisht, një person fillimisht dënohet me burg para se të mendohet për privimin nga shtetësia. Çdo veprim duhet të kalojë përmes një procedure ligjore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me normat që mbrojnë të drejtat e njeriut – si ato individuale, ashtu edhe kolektive. Në disa raste, dëbimi mund të shihet si një formë lirimi ose shmangie nga ndëshkimi me burg”, thotë ai.

Në fund juristi thotë se shtetësia nuk mund të merret pa bazë ligjore, pasi ekzistojnë kushte të qarta për fitimin dhe humbjen e saj, duke nënvizuar që Kosova e lejon shtetësinë e dyfishtë, që shumë qytetarë serbë e kanë.

“Nuk mund të merret shtetësia në mënyrë arbitrare, pasi ka kushte të përcaktuara qartë ligjore për fitimin dhe humbjen e saj. Kosova e njeh shtetësinë e dyfishtë, dhe shumë qytetarë serbë në Kosovë posedojnë njëkohësisht edhe shtetësi serbe, malazeze apo edhe të tjera”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat