Kuvendi në ngërç, kritikohen ashpër deputetët: Është njolla më e zezë që…!

Politika

Kuvendi në ngërç, kritikohen ashpër deputetët: Është njolla më e zezë që…!

Nga: A.M. Më: 20 qershor 2025 Në ora: 20:31
Kuvendi i Kosovës

34 herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Dje, ishte hera e 26-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur të marrë 61 votat e domosdoshme në votimin e hapur.

Ata do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht nesër, (të shtunën) më 21 qershor.

Publicisti Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se legjislatura aktuale e Kuvendit, është më e keqja që nga paslufta.

Sipas tij, shumica nuk e kanë meritura që të zgjidhen përfaqësues të popullit, e që kjo po vërtetohet me paaftësinë për të formuar institucionet e reja.

Image
Publicisti Skënder Zogaj

“E kam thënë dhe po e përsëris, zgjedhje e fundit parlamentare sollën në Kuvend garniturën më të padenjë që është votuar në periudhën e pasluftës së Kosovës! Sovrani zgjodhi beng e beng përfaqësues që jo për Kuvendin e Kosovës, por as për Kuvendet komunale nuk e kanë merituar të zgjidhen! Kjo tashmë po shihet, por është tepër vonë, sepse Kosova dha shembullin më të keq të mosaftësisë për tu vetqeverisur”, nënvizoi Zogaj.

Po ashtu, publicisti këtë e cilësoi si një situatë skandaloze, ndonëse kjo po iu konvenon vetëm deputetëve.

Mungesat në seancat konsituive, janë një “njollë e zezë” për deputetët.

Ai konsideron se situata në të cilën gjendet shteti, i përshtatet vetëm armiqëve tanë.

“Situata është skandaloze, sepse, kjo që po ndodh po u shkon përshtati deputetëve, që po e vërtetojnë se nuk kanë ardh për të punuar por për të bërë qejfe! Neglizhenca në seancat e Kuvendit dhe mënyra e sjelljes së papërgjegjshme për të bllokuar konstituimin është njolla më e zezë që ky legjislacion ia ka bë historisë së Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi, sepse, kjo që po ndodh u shkon për shtat armiqve tanë që kanë thënë se nuk jemi të zotët për t'u vetqeverisur!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Kujtojmë se, teksa vendi ka mbetur pa institucione të reja për mbi katër muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve, së voni LDK-ja – që doli e treta në zgjedhje – ka paraqitur një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.

Ky propozim është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se preferojnë formimin e një qeverie me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Por, çështja nuk mund të kalojë te zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës pa u konstituar Kuvendi.

Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për të cilët kërkohen 61 vota – në mënyrë që më pas të hapet rruga për formimin e ekzekutivit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat