A ndodhet Kosova para një rreziku të “paparashikueshëm”? Mes interpretimit dhe shkeljes: Vendimi në duart Kushtetueses

Politika

A ndodhet Kosova para një rreziku të “paparashikueshëm”? Mes interpretimit dhe shkeljes: Vendimi në duart Kushtetueses

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 27 shtator 2025 Në ora: 08:02
Gjykata Kushtetuese

Para pak javësh, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kjo masë po vazhdon të jetë në fuqi deri më 30 shtator.

Gjykata e vendosi këtë masë në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Ky vendim, u kritikua nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvija Vetëvendosje, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.

Mirëpo, derisa jemi në pritje të vendimit të Kushtetueses, Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, befasoi me paralamërimin se nuk do të kandidojë sërish për nënkryetar të Kuvendit. Ai thotë se beson që Gjykata Kushtetuese do të kthejë në fillim zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë dhe do të japë edhe një afat prej një muaji për përfundimin e procesit të konstituimit.

Me këtë vendim të Rashiqit, duket se do hyjmë në një fazë të re krizës politike.

E se çka pritet të vendosë Kushtetuesja në raport me ankesën e Listës Serbe dhe si do ndikojë vendimi, folën njohësit e çështjeve të drejtësisë.

Kryeziu: Asnjë gjykatë nuk ka të drejtë të ndryshojë Kushtetutën.

Së pari, për këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli ish-gjykatësi i Kushtetueses, Kadri Kryeziu.

Sipas tij, Kosovoa gjithmonë e ka respektuar Kushtetuesën, mirëpo që kjo e fundit duhet të ketë kujdes dhe të mos u jap veto komunitetit jo-shumicë.

Image
Kadri Kryeziu.

Pasi, nëse e bën një gjë të tillë, ai paralajmëroi se shkelet Kushtetuta e vendit.

“Në Kosovë gjithmonë kemi respektuar Gjykatën Kushtetuese. Kjo është krenaria jonë dhe dallimi nga fqinjët. Por respekti nuk do të thotë nënshtrim. Nëse Kushtetuesja guxon t’u japë veto komuniteteve jo-shumicë, atëherë nuk po e interpreton Kushtetutën – po e shkel. Nuk po e mbron Planin e Ahtisaarit – po e përmbys”.

Krahas kësaj, Kryeziu shpjegoi se një vendim në favor të Listës Serbe do ishte tradhti ndaj sovranitetit të shtetit.

“Asnjë gjykatë nuk ka të drejtë të ndryshojë Kushtetutën. Ajo nuk zgjidhet për të shpikur rregulla, por për të ruajtur ato që ekzistojnë. Vetoja do të ishte tradhti e heshtur ndaj sovranitetit. Një derë e pasme për ta zhbërë shtetin. Dhe këtë, populli i Kosovës nuk mund ta pranojë”, përfundoi Kadri Kryeziu për “Bota sot”.

Halilaj: Kriza e re politike në horizont?

Ndërsa, avokati Gazmend Halilaj nuk e përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke theksuar se vendimi i Kushtetueses cakton ‘fatin’ e Listës Serbe.

Image
Gazmend Halilaj

“Skadimi i masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka hapur një kapitull të ri pasigurie në jetën politike të vendit. Ndërkohë që vendimi përfundimtar i Kushtetueses pritet të përcaktojë fatin e ankesës së Listës Serbe, tensionet mes forcave politike po thellohen, me gjasat për zgjedhje të jashtëzakonshme që po duken gjithnjë e më të pashmangshme”

Po ashtu, Halilaj foli edhe për tërheqjen e Rashiqiti, duke thënë se ky vendim i tij rrit ndikimin e LS.

“Deputeti Nenad Rashiq ka paralajmëruar se nuk do të kandidojë më për postin e nënkryetarit të Kuvendit, duke theksuar se procesi është politizuar tej mase dhe se përfaqësimi i komunitetit serb po përdoret si mjet presioni politik. Vendimi i tij lë hapësirë për rritjen e ndikimit të Listës Serbe, e cila ka këmbëngulur se posti i takon ekskluzivisht saj”, shpjegoi ai.

Më tej, avokati nuk përjashtoi faktin se mund të merret një vendim në favor të Listës Serbe e që më pas do hapte një debat mes partive politike shqiptare.

“Në skenën politike ka një frikë të theksuar se Gjykata Kushtetuese mund të vendosë në favor të Listës Serbe, duke e njohur si të drejtë pretendimin e saj për postin e nënkryetarit të Kuvendit. Një vendim i tillë, do të forconte pozitën e kësaj partie në institucionet e Kosovës, por do të hapte edhe debat të ashpër politik mes partive shqiptare, të cilat shohin në këtë skenar një përpjekje për rikthimin e ndikimit politik të Beogradit në vend”.

Në fund, Halilaj shtoi se Kosova rrezikon të përballet me një krizë të re institucionale, cilido qoftë vendimi i Kushtetueses për Listën Serbe.

“Në mungesë të konsensusit politik dhe me Kuvendin që rrezikon të mos funksionojë normalisht, zgjedhjet e jashtëzakonshme shihen nga shumë analistë si zgjidhja e vetme për të dalë nga bllokada. Megjithatë, një proces i ri zgjedhor do të sillte jo vetëm shpenzime të larta, por edhe shtyrje të agjendës reformuese dhe pengesa në funksionimin e institucioneve shtetërore.

Një vendim pro Listës Serbe do të forconte legjitimitetin e saj kushtetues, por do të përplaste edhe më shumë forcat politike në Kuvend. Një vendim kundër saj, nga ana tjetër, do të nxiste tensione me komunitetin serb dhe do të hapte çështje të reja mbi përfaqësimin e pakicave. Në të dyja rastet, Kosova rrezikon të përballet me një krizë të re institucionale, në një kohë kur vendi ndodhet nën presion ndërkombëtar për të ecur përpara në procesin e dialogut dhe reformat e brendshme”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat