Së fundi, Gjykata Kushtetuese, përmes vendimit të saj, ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende, dhe ky proces nuk përfundon pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Sipas Kushtetueses, seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar dhe duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit.
E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.
“Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që përcakton se Kuvendi ende nuk është plotësisht i konstituar për shkak të mungesës së zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb, pritet të japë fund interpretimeve të ndryshme e shpesh të motivuara politikisht nga parti të caktuara. Ky vendim, megjithatë, hap edhe një debat thelbësor mbi funksionalitetin e demokracisë parlamentare në Kosovë”, shprehet Voca.
Sipas tij, është e pakuptueshme se si mund të bllokohet Kuvendi i Kosovës për shkak të një nënkryetari.
“Është e vështirë të kuptohet si është e mundur që një institucion i tërë, si Kuvendi i Republikës së Kosovës, organi më i lartë përfaqësues dhe legjislativ i shtetit, të bllokohet për shkak të moszgjedhjes së vetëm një nënkryetari. Në sisteme demokratike me frymë parlamentare të konsoliduar, funksionimi i Kuvendit garantohet sapo të zgjidhet Kryetari i Parlamentit dhe nënkryetari i parë, ndërsa vonesat në zgjedhjen e pjesës tjetër të strukturës drejtuese nuk e pengojnë vazhdimin e punës legjislative”, deklaron Voca.
Ai thotë se kjo bart një rrezik serioz për stabilitetin demokratik të Kosovës.
“Krijimi i një precedenti të ri ku një mosmarrëveshje politike për një nënkryetar mund të paralizojë tërësisht institucionin, bart një rrezik serioz për stabilitetin demokratik të Kosovës. Një praktikë e tillë, në të ardhmen, mund të keqpërdoret nga çdo parti apo grup politik që, nga pakënaqësia apo interesat momentale, do të tentonte të bllokonte procesin parlamentar duke penguar zgjedhjen e një nënkryetari”, shprehet Voca.
“Në opinionin tim, një qasje e tillë bllokuese rëndon jo vetëm funksionimin e Kuvendit, por edhe gjithë arkitekturën e shtetit të Kosovës. Kuvendi është shtylla kryesore e regjimit politik në Kosovë dhe duhet të mbetet funksional në çdo rrethanë. Për këtë arsye, aktgjykimi duhet të shërbejë si nxitje për reflektim më të thellë mbi reformimin e kuadrit ligjor e kushtetues, në mënyrë që në të ardhmen të mos lejohet bllokimi i institucioneve të shtetit nga një element procedural i vetëm”, shpjegon Voca.
“Nëse kjo situatë nuk adresohet me maturi, rrezikojmë të krijojmë një kulturë të re të pengmarrjes institucionale, ku procedurat e thjeshta shndërrohen në mjete për të paralizuar shtetin. Një demokraci e brishtë si ajo e Kosovës nuk mund të lejojë që formalizmat të marrin peng funksionin e përfaqësimit dhe të minojnë vetë sovranitetin e saj. Demokracia, në thelb, nuk është art i bllokimit, por art i funksionimit dhe i shërbimit ndaj qytetarëve”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.