Maloku: Rasti i Shqipërisë tregon se integrimi në BE është i arritshëm për Ballkanin

Politika

Maloku: Rasti i Shqipërisë tregon se integrimi në BE është i arritshëm për Ballkanin

Nga: A.SH Më: 5 nëntor 2025 Në ora: 13:53
Foto ilustrim

Komisioni Evropian ka vlerësuar se Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm drejt BE-së. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, dhe shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas, theksuan se Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina kanë ndërmarrë hapa konkretë në integrim.

Kos e cilësoi “të pashembullt” përparimin e Shqipërisë dhe vlerësoi angazhimin e saj politik.

Kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë se Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet “për t’u ulur si e barabartë rreth tryezës së BE-së.”

Por, si mund ta ndihmojë Shqipëria Kosovën?

Analisti Albinot Maloku tha për “Bota sot” se vlerësimi pozitiv i BE-së për Shqipërinë lidhet jo vetëm me reformat, por edhe me angazhimin e lartë politik dhe mbështetjen institucionale nga BE-ja. Ai theksoi se ndonëse BE-ja ka pasur qasje të dyfishtë ndaj Ballkanit Perëndimor, rasti i Shqipërisë tregon se integrimi është i arritshëm kur ka vullnet dhe zbatim të qëndrueshëm të reformave.

“Përveç kushteve standarde që Bashkimi Evropian parashton për vendet kandidate, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, forcimi i institucioneve të qëndrueshme dhe stabiliteti ekonomik, Shqipëria është vlerësuar pozitivisht në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Ky vlerësim pozitiv nuk lidhet vetëm me përparimin e arritur në reformat kyçe, por edhe me kombinimin e angazhimit të lartë politik për integrimin evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme institucionale nga vetë Bashkimi Evropian.

Për një periudhë të gjatë kohore, Bashkimi Evropian ka ndjekur një qasje shpeshherë të dyfishtë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, kjo qasje ka qenë në një masë të caktuar pasojë e faktit që vetë vendet e rajonit nuk kanë treguar gjithmonë vullnet të qëndrueshëm politik dhe angazhim të plotë në procesin e integrimit. Në këtë kontekst, rasti i Shqipërisë mund të konsiderohet si një shembull domethënës që dëshmon se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është plotësisht i arritshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse këto vende zbatojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe të sinqertë reformat e kërkuara, duke përfituar njëkohësisht nga mbështetja e duhur e institucioneve të BE-së” – tha ai.

Maloku theksoi se, pavarësisht marrëveshjeve të shumta mes Shqipërisë dhe Kosovës, zbatimi i tyre mbetet sfidë.

Sipas tij, mungesa e dinamizmit në bashkëpunim vërehet edhe pse qeveritë e të dy vendeve kanë orientim të ngjashëm politik.

“Në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, ndonëse ekziston një sërë marrëveshjesh të nënshkruara dhe dokumentesh bashkëpunimi që synojnë forcimin e lidhjeve dypalëshe, sfida kryesore mbetet zbatimi praktik i tyre dhe thellimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi. Kjo mungesë dinamizmi është vërejtur edhe pse në krye të qeverive të të dy vendeve kanë qenë forca politike me orientim dhe ideologji të përafërt”, nënvizoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat