Shqipëria, përparim në rrugën drejt BE-së/ Si do të mund ta ndihmonte Kosovën? Flasin njohësit

Politika

Shqipëria, përparim në rrugën drejt BE-së/ Si do të mund ta ndihmonte Kosovën? Flasin njohësit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 5 nëntor 2025 Në ora: 18:06
Foto ilustrim

Sipas vlerësimit paraprak të Komisionit Evropian, Shqipëria ka shënuar përparim të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së.

Komisionerja për zgjerim, Marta Kos, dhe shefja e politikës së jashtme, Kaja Kallas, theksuan se Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina kanë bërë hapa konkretë në procesin e integrimit.

Kos vlerësoi “përparimin e pashembullt” të Shqipërisë dhe angazhimin e saj të fortë politik, ndërsa për Ukrainën kërkoi vijim të reformave kundër korrupsionit. Raporti i plotë pritet të publikohet sot në Bruksel.

“Mund të them se këta katër kandidatë i kanë përputhur ambiciet e tyre me veprime konkrete”, tha Kos.

Për Shqipërinë, Kos u shpreh se ka bërë “përparim të pashembullt gjatë vitit të kaluar”, duke vënë në dukje “angazhimin e fortë politik dhe aspiratat e qarta evropiane të shoqërisë shqiptare”.

Pas kësaj, reagoi edhe kryeministri Edi Rama.

“Po, e bëmë dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për t’u ulur më në fund si të barabartë rreth tryezës së BE-së. Le të vazhdojmë, të ecim përpara, së bashku”.

Ngjela: Kryesore është fakti se Shqipëria është aleati kryesore i SHBA-së në Ballkan

Në lidhje me këtë çështje, avokati Spartak Ngjela thekson se reformat tashmë janë bërë dhe se më e rëndësishmja është që Shqipëria është aleati kryesor i SHBA-së në Ballkan.

“Nuk janë kryesore reformat, ato janë bërë. Por kryesore është fakti se Shqipëria është aleati kryesore i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan. Mbaheni mend këtë”, tha ai në një përgjigje të shkurt për “Bota sot”.

Image
Spartak Ngjela

Krasniqi: Shembulli i Shqipërisë dhe i Malit të Zi tregon se duhet vullnet politik, stabilitet institucional dhe zbatimi real i reformave

Profesori Kolë Krasniqi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se Raporti i Komisionit Evropian vlerëson pozitivisht Shqipërinë falë reformës në drejtësi dhe procesit të vetingut, luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, reformave në administratën publike dhe harmonizimit të ligjeve me standardet e BE-së, duke shtuar se këto kanë forcuar sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike.

“Sipas vlerësimit të fundit të Komisionit Evropian, përparimi i Shqipërisë është rezultat i një sërë reformash që kanë ndikuar ne forcimin e sundimit të ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së. Ndër reformat më të rëndësishme mund të përmenden:

-              Reforma në drejtësi, veçanërisht procesi i “vetingut” të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që ka synuar pastrimin e sistemit gjyqësor nga korrupsioni dhe ndikimet politike. Ky proces është konsideruar si një ndër faktorët kyç që ka rritur besueshmërinë e Shqipërisë në raport me institucionet evropiane.

-              Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ketu padyshim se Shqipëria ka arritur suksese te konsiderueshme dhe ka përmirësuar edhe bashkëpunimin me agjencitë ndërkombëtare dhe ka zbatuar një sërë masash për forcimin e institucioneve të hetimit dhe konfiskimit të pasurive të paligjshme.

-              Reformat në administratën publike dhe përmirësimi i qeverisjes, që kanë përfshirë digjitalizimin e shërbimeve publike dhe rritjen e transparencës në proceset administrative .

-              Harmonizimi i legjislacionit kombëtar me atë të BE-së, sidomos në sferën e ekonomisë, mjedisit, energjisë dhe të drejtat e njeriut.

Këtu duhet theksuar se reformat institucionale dhe sundimi i ligjit janë faktorët përcaktues që kanë ndikuar ne pozicionimin pozitiv të Shqipërisë në raportin e fundit të Komisionit Evropian”, përmend profesori.

Image
Kolë Krasniqi

Profesori vlerëson se përparimi i Shqipërisë tregon se integrimi në BE është i arritshëm për vendet e Ballkanit kur zbatohen me përkushtim reformat e kërkuara.

Ai thotë se shembulli i Shqipërisë dhe Malit të Zi dëshmon se vullneti politik dhe stabiliteti institucional sjellin progres real dhe japin një mesazh inkurajues për rajonin.

 “Padyshim se përparimi i Shqipërisë ne procesin e integrimit ne BE dëshmon se zgjerimi i BE-së, përkatësisht integrimi evropian i rajonit tonë është një proces i arritshëm qe bazohet në meritë, ne rastet kur vendet kandidate zbatojnë me përkushtim reformat strukturore të kërkuara nga BE.

Shembulli i Shqipërisë, si edhe i Malit të Zi, tregon se vullneti politik, stabiliteti institucional dhe zbatimi real i reformave mund të përkthehen në progres të matshëm drejt anëtarësimit.

Në të njëjtën kohë, ky përparim dërgon një mesazh inkurajues për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, se kriteret e Kopenhagës dhe reformat e kërkuara nuk janë një qëllim në vetvete, por instrumente për ndërtimin e institucioneve funksionale demokratike dhe ekonomive të qëndrueshme”, deklaron tutje ai.

Kurse, sa i përket bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës, Krasniqi shprehet se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të përshpejtojë integrimin evropian të Kosovës përmes shkëmbimit të përvojave institucionale, harmonizimit të politikave ekonomike, koordinimit diplomatik dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta në infrastrukturë, arsim e energji.

Sipas tij, bashkëpunimi është një strategji praktike për avancimin e Kosovës drejt BE-së me mbështetjen e Shqipërisë.

 “Bashkëpunimi i gjithanshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës mund të ketë efekt pozitiv në procesin e integrimit evropian të të dy vendeve, sidomos në rastin e Kosovës, e cila ndodhet në një fazë më të hershme të këtij procesi. Disa fusha ku bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës mund të ndihmoj Kosoven ne përshpejtimin e integrimit se saj ne BE janë:

-              Shkëmbimi i përvojave institucionale, sidomos në procesin e përafrimit te legjislacionit te Kosovës me standardet e BE-së dhe në përgatitjen e dokumenteve tjerë strategjik te vendit.

-              Harmonizimi i politikave ekonomike dhe tregtare, në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

-              Koordinimi diplomatik në raport me institucionet e BE-së, për të promovuar një qasje të përbashkët shqiptare sidomos ndaj integrimit evropian, por edhe ndaj krizave dhe kërcënimeve rajonale (Serbia) dhe atyre ndërkombëtare.

-              Zhvillimi i projekteve të përbashkëta ndërkufitare, sidomos në fushat e infrastrukturës, arsimit dhe energjisë, që janë prioritet edhe për politikat e zgjerimit të BE-së.

Në këtë mënyrë, bashkëpunimi ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës nuk është vetëm një shprehje simbolike e unitetit kombëtar, por edhe një strategji praktike për përshpejtimin e rrugës evropiane të Kosovës përmes mbështetjes teknike, politike dhe diplomatike nga një vend vëlla dhe kandidat me përvojë si Shqipëria” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat