Kosova dhe Rugova: Testament udhërefyes për paqen dhe demokracinë

Politika

Kosova dhe Rugova: Testament udhërefyes për paqen dhe demokracinë

Nga: A.SH Më: 2 dhjetor 2025 Në ora: 20:01
Ibrahim Rugova

Sot shënohet 81-vjetori i lindjes së Ibrahim Rugovës, liderit historik të Kosovës dhe figurës qendrore të lëvizjes për paqe dhe pavarësi.

Rugova njihet për qasjen e tij paqësore dhe për angazhimin e palodhur për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.

Kujtimi i tij vazhdon të frymëzojë brezat e rinj dhe të forcojë vlerat e demokracisë dhe dialogut në vend.

Ish-deputeti Naser Rugova, për “Bota sot”, kujton se në 81-vjetorin e lindjes, Presidenti Rugova ishte ideatori dhe babai themeltar i shtetit të Kosovës.

Ai thotë se roli i tij për lirinë dhe pavarësinë e vendit është i pakrahasueshëm, ndërsa trashëgimia e tij politike vlerësohet lartë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Në 81-vjetorin e lindjes, Presidenti Rugova kujtohet si ideatori, misionari dhe babai themeltar i shtetit të Kosovës. Roli i tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është i pakrahasueshëm, i pazëvendësueshëm dhe trashëgimia e tij politike vlerësohet lartë si në rrafshin kombëtar edhe në atë ndërkombëtar.

Postulatet e tij politike: Kosova shtet i pavarur dhe sovran e hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, e integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA, mbeten testament udhërefyes për popullin dhe shtetin e Kosovës.

Politika dhe vizioni i tij për zgjidhje paqësore, modeli politik që promovoi Presidenti Rugova mbeten unikë në politikën dhe diplomacinë botërore se si urtësia, durimi, paqja dhe vendosmëria përmbysin diktatura dhe regjime gjenocidiale”- përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat