Kur jemi në prag të zgjedhjeve politke, gjithmonë kemi dëgjuar akuza e kundër akuza nga rivalët politikë. Janë sjellë argumente e deklarata për kundërkandidatët, duke i bërë kështu pjesë të fushatës së tyre zgjedhore.
Por, është shumë shqetësuese gjuha e përdorur së fundi në fushata zgjedhore. Gjuha dhe fyrjet e rënda kanë tejkaluar ҫdo limit.
E fundit është gjuha e përdorur nga kryetari tashmë i zgjedhur i Komunës së Skenderajit, Sami Lushtaku, ndaj deputetes së Vetëvendosjes, Adriana Matoshi. Në deklaratat e tij dhe ‘luftën’ e tyre verbale, Lushtaku ka përdorur shprehjet me të rënda. ‘E dalë nga një shtëpi publike”, ‘Albin lidhi kudrat’, janë fjalët e përdorura nga një kryetar komune që kanë nxitur reagime të shumta.
Por a mund të dënohet kjo gjuhë e përdorur nga një zyrtar politik krahas një zyrtare tjetër, qytetare e Kosovës?
Lidhur me këto fyrje dhe deklarata të rënda, njohësit e ҫështjeve politike kanë kritikuar gjuhën e Lushtakut në këtë rast.
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë reagon ndaj Lushtakut: “Fjala publike mban peshë të madhe”
Edhe Ambasadorja e Vullnetit të Mirë, Elvana Shala ka reaguar përmes një prononcimi për ‘Bota sot’. Ambasadorja Shala, ka reaguar ndaj deklarimit të bërë nga z. Lushtaku në drejtim të deputetes Matoshi, duke e cilësuar atë si një veprim të papërgjegjshëm dhe të pajustifikueshëm për një zyrtar të lartë politik.
“Deklarata e z. Lushtaku është e pamatur, e papranueshme dhe nuk korrespondon me standardet e diskursit publik që duhet ta udhëheqë një përfaqësues politik”, thekson ajo.
Shala ka thënë se është e natyrshme që figurat publike të kenë vizione e qëndrime të ndryshme, por se kjo nuk duhet të shndërrohet në arsye për degradim të komunikimit politik.
“Secili prej nesh mund të ketë qëndrime të ndryshme politike, dhe kjo është pjesë e demokracisë. Por mënyra se si i shprehim ato qëndrime duhet të jetë e matur dhe e përgjegjshme”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka theksuar peshën e fjalës publike dhe ndikimin që ajo ka në shoqëri, duke shtuar se gabime të tilla nuk janë të pranueshme.
“Pesha e fjalës publike është jashtëzakonisht e madhe. Çdo fjalë e thënë në hapësirën publike është edhe imazhi ynë. Për këtë arsye, deklarime që bien ndesh me etikën dhe respektin publik janë jo vetëm të papranueshme, por edhe ofenduese”, është shprehur Shala.
Në vijim të reagimit, ajo ka thënë se jo vetëm z. Lushtaku dhe znj. Matoshi, por të gjithë aktorët publik duhet të tregojnë kujdes të shtuar në deklarimet e tyre.
“Liria e shprehjes nuk është licencë për të ofenduar, as nga burrat e as nga gratë në pozita publike”, duke shtuar se kjo e drejtë shpesh keqinterpretohet dhe keqpërdoret.
Ambasadorja Shala ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për atë që e ka quajtur degradim të diskursit publik.
“Si Ambasadore e Vullnetit të Mirë, e cila përçon zërin dhe të drejtat e popullit të Kosovës në çdo vend ku përfaqësoj, jam thellësisht e shqetësuar me mënyrën se si po keqpërdoret liria e shprehjes. Uroj që ky fenomen të marrë drejtimin e duhur dhe të zëvendësohet me komunikim të përgjegjshëm, etik dhe demokratik”, tha Shala për ‘Bota sot’.
Bexheti reagon: “Nënçmimi i grave s’është kulturë shqiptare”
Po ashtu, edhe analisti politik, Nexhat Bexheti, ka reaguar ndaj diskursit të fundit politik në vend, duke e cilësuar gjuhën fyese dhe nënçmuese si një dukuri alarmante që po e dëmton kulturën dhe debatin publik në Kosovë.
“Edhe vite më parë në eterin politik janë hedhur fyerje, nënçmime dhe etiketime ndaj oponentëve politikë” dhe kjo dukuri duhet të shqetësojë çdo qytetar sepse po degradon thellë kulturën tradicionale shqiptare”, vlerëson ai.
Sipas tij, fenomeni nuk ka mbetur vetëm te politikanët. Ai ka theksuar se “degradime dhe fjalor nënçmues po shfaqen edhe nga publicistë, analistë e figura të tjera publike”, dhe se mungesa e një ligji funksional për deliktet verbale po e ushqen këtë atmosferë.
“Ky fenomen gati se është zyrtarizuar, sepse ende mungon një ligj ndëshkues që e sanksionon përdorimin e deklarimeve të pa verifikuara dhe të dëmshme në publik. Kultura jonë nuk e pranon që një burrë të nënçmojë një grua, sidomos kur ajo është figurë publike, nënë apo bashkëshorte, në rastin konkret, zonja Adriana Matoshi përveç se është deputete, është edhe aktore që përpiqet ta ngrejë kulturën kosovare në skenë”, vlerëson Bexheti.
Ai e ka quajtur gjuhën e përdorur nga z. Sami Lushtaku “fjalor rrugaçësh”, i cili sipas tij dëmton jo vetëm imazhin e politikanit, por edhe dinjitetin e qytetarëve të Skenderajt që e kanë votuar.
“Me këtë fjalor, Samiu e degradon veten si politikan dhe e kompromenton votën e qytetarëve të Skenderajt legjendar,” ka deklaruar Bexheti.
“Nuk e di me çfarë fytyre do të dalë para qytetarëve, para drejtorëve të shkollave komunale, apo si do të flasë për emancipimin e popullsisë. Mendoj se ky veprim ka hapur një hendek të ri brenda komunitetit, sepse edhe vetë skenderasit janë të zhgënjyer me një fjalor kaq të ulët”, tha ai.
Bexheti ka komentuar edhe pjesën e deklarimit që lidhej me grate.
“Nëse kryetari viziton evente ku mund të ketë prostituta, kjo nuk do të thotë se gratë e tjera ngjajnë me prostituta. Nëse ai mbështetet te dukja apo mënyra e të ecurit, atëherë duhet të elaborojë publikisht çfarë ka pasur në mendje”, thotë analisti.
Ai ka kërkuar që kryetari të japë sqarime të plota ose të kërkojë falje publike, duke theksuar se ndryshe nuk bën, sepse shteti nuk ndërtohet me logjikën ‘shkel e shko’ apo ‘kaç e hudh’”.
“Edhe një herë e potencoj se sa më shpejt të futet në legjislacion ligji për deliktin verbal, aq më shpejt do të vendoset rendi në diskursin publik. Të gjithë ata që dalin në media apo në tubime elektorale duhet të mbajnë përgjegjësi për fjalët e tyre”, theksoi ai.