Aktakuza e Ibër-Lepencit, avokati zbardh prapaskenat: Pa FBI-në, rasti s’do zbardhej kurrë!

Politika

Aktakuza e Ibër-Lepencit, avokati zbardh prapaskenat: Pa FBI-në, rasti s’do zbardhej kurrë!

Nga: A.M. Më: 11 dhjetor 2025 Në ora: 19:19
Pamje nga vendi i ngjarjes

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor 2024.

Sipas njoftimit, J.V., D.V., dhe I.D akuzohen për veprat penale të “rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, “kryerjes së veprës terroriste”, “armëmbajtjes pa leje” dhe “spiunazhit”.

Aktakuza thotë se J.V. dhe D.V., së bashku me persona ende të panjohur, “pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv [rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene ‘TNT’] në brendësi të kanalit”.

Hetimi për këtë rast, sipas Prokurorisë, u krye në bashkëpunim me partnerët evropianë.

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli avokati Meshari Selimaj.

Fillimisht, ai tha se ky rast dëshmon faktin që bashkëpunimi me ndërkombëtarët është më se i rëndësishëm.

Madje, sipas tij, pa bashkëpunim me FBI, zbardhja e këtij rasti vështirë se do ndodhte.

Image
Meshari Selimaj

“Në radhë të parë, ky rast dëshmon se pa partneritetin ndërkombëtar është i vështirë edhe sundimi i ligjit, është i një rëndësie të veçantë që të bashkëpunojme ngusht me ta, duke qenë se pa mbështetjen e FBI-së nuk do të mund të bëhej asgjë për zbardhjen dhe ndriçimin e këtij rasti mjaft të ndërlikuar”, deklaroi ai.

Ndërsa, krahas kësaj, avokati tha se ky rast dëshmon qasjen armiqësore të Beogradit ndaj Kosovës.

“Dhe në radhë të dytë, ky rast rivërteton qasjen armiqësore të Serbisë që ka ndaj Republikës së Kosovës e cila për asnjë moment nuk ka ndryshuar drejtim në dobi të marrëdhënieve normale siç dy shtetet duhet t’i kenë, por në fakt duke e bërë të kundërtën dhe duke u implikuar vetë pushteti shtetëror dhe akterët e saj në veprime kundër shtetit tonë”, përmbylli Meshari Selimaj për “Bota sot”.

Lidhur me shpërthimin, autoritetet kishin arrestuar dhjetëra persona të dyshuar dhe kishin sekuestruar armë dhe eksplozivë.

Por, deri më tani dihej se për këtë rast ishin dërguar në paraburgim vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq, që janë dy nga tre të akuzuarit.

Pas shpërthimit në Varragë të Zubin Potokut, autoritetet në Kosovë e fajësuan Serbinë për rastin, por Beogradi i mohoi akuzat.

Kosova e konsideron shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit si akt terrorist.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat