Një vit pas shpërthimit në kanalin Ibër–Lepenc, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër tre personave të lidhur me strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë një kolonel të rekrutuar.
Ata ngarkohen me veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur pas një hetimi të gjerë të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, si dhe me partnerë evropianë.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, të pandehurit J.V. dhe D.V., së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, pas një marrëveshjeje paraprake, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT në brendësi të kanalit “Ibër–Lepenc”.
Ekspozivi, i aktivizuar përmes një çante të lidhur me litar në një shtyllë betoni, ka shkaktuar:
dëmtime të rënda në strukturën e kanalit,
ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm,
rrezikim të prodhimit të energjisë elektrike,
dëm financiar ndaj ndërmarrjes “Ibër–Lepenc” në vlerë 376,774.70 euro.
Për këto veprime, ata ngarkohen me veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin e instalimeve publike” në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste”. Të tre të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa J.V. përballet edhe me akuzën e rëndë të spiunazhit.
Prokuroria pretendon se J.V., deri në momentin e arrestimit, ka vepruar si i rekrutuar nga Shërbimi Informativ Ushtarak i Serbisë, në gradën kolonel. Ai dyshohet se ka mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorte për aktivitet të kundërligjshëm brenda territorit të Kosovës.
Pas ngritjes së aktakuzës, Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar duke deklaruar se hetimet e sigurisë dhe bashkëpunimi me FBI-në kanë siguruar prova që lidhin të akuzuarit me vendin e ngjarjes. Ai theksoi se personat e akuzuar janë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë.
Kurti përsëriti se sulmi ishte i planifikuar dhe i urdhëruar nga Serbia, duke i lidhur të pandehurit me Milan Radoiçiqin dhe me struktura shtetërore serbe. Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve të Beogradit për të mohuar përgjegjësinë dhe për të dezinformuar opinionin, procesi gjyqësor do të konfirmojë të dhënat e institucioneve të Kosovës.
Por, një reagim të ngjashëm nuk ka pasur nga kandidatët për kryeministër nga radhët e PDK-së, LDK-së, AAK-së apo Nisma-s.
Opinionisti Lirim Gashi, thotë se kandidatët që sot heshtin, nuk e bëjnë nga mençuria, por nga llogaritja elektoriale.
Sipas tij, ata nuk duan t’i zemërojnë as terroristët dhe sabotatorët serbë dhe as sponsorët e tyre shqiptarë që i shërbejnë interesave serbe.
“Heshtja e tyre është një dëshmi e qartë se janë zvarranikë pa asnjë shtyllë kurrizore, dhe se shpirti i tyre politik përbëhet nga boshllëku, frika dhe servilizmi i rafinuar. Kur ndodh një sabotim që godet zemrën e sigurisë kombëtare, udhëheqësi i vërtetë del përpara popullit, flet hapur dhe e mbron shtetin. Udhëheqësi fals e fut kokën në rërë si struci dhe pret të dëgjojë se nga do të fryjë era e sondazheve. Kandidatët që sot heshtin, nuk e bëjnë këtë nga mençuria — por nga llogaritja elektorale. Nga ajo matematikë e ftohtë që ata e kanë kthyer në një fe të re. Ata nuk duan t’i zemërojnë as terroristët dhe sabotatorët serbë dhe as sponsorët e tyre shqiptarë që i shërbejnë interesave serbe. Ata janë mësuar të flasin vetëm kur u jepet leja — jo kur e kërkon vendi”.
“Kjo heshtje nuk është vetëm mungesë guximi, por mbi të gjitha mungesë karakteri. Në të vërtetë, ata me qellim e luajnë rolin shurdhë-memecëve. Sepse pas sulmit terrorist serb ndaj digës së Gazivodës, ata – përmes Lirim Mehmetajt dhe Berat Buzhalës – u përpoqën me çdo kusht ta shpallnin fajtor, Albin Kurtin, për një krim që nuk kishte asnjë lidhje me të. Prandaj çfarëdolloj prononcimi që ata do ta bënin, nuk do t'i shpëtonte kurrsesi nga turpi. Përkundrazi, do t'i detyronte ta pranonin se Albini jo vetëm që nuk ishte fajtor, por edhe se kishte të drejtë në gjithçka që paralajmëroi. Dhe meqenëse pranimi i së vërtetës do ta griste si letër të kalbur perden e moralit të tyre të rremë dhe do t’ua shkulte me dhunë maskat e turpit, ata heshtin si prostitutat e shtëpive publike të Hannover-it. Sepse e vërteta nuk ia fal mëkatin të dobëtit — ajo e ndjek deri në qoshet më të errëta të karakterit të tij dhe ia nxjerr në pah publikisht të gjitha të metat. Pra, ata nuk guxojnë ta pranojnë të vërtetën, sepse edhe para vetë votuesve të tyre, do të dukeshin ashtu siç janë në thelb: Kunguj bosh pa shpirt politik, hijena të mendimit të pakuptimtë dhe frikacakë që shkrihen përballë së vërtetës si nata përballë lindjes së papërkulshme të diellit”, deklaron Gashi për “Bota sot”.
Sipas tij, këta kandidatë nuk janë të denjë as për të drejtuar një komitet lagjeje, e jo më qeverinë e Republikës së Kosovës.
Kur shteti sulmohet në infrastrukturën e tij kritike, thotë Gashi, atëherë heshtja e një kandidati është pranim i dobësisë së tij që nuk është as i besueshëm dhe as i aftë për këtë detyrë.
“Jo nuk mund të konsiderohet serioz një kandidat që nuk mban qëndrim ndaj sulmeve mbi infrastrukturën kritike të shtetit, të cilat synojnë destabilizimin e vendit. Absolutisht jo. Këta kandidatë nuk janë të denjë as për të drejtuar një komitet lagjeje, e jo më qeverinë e Republikës së Kosovës. Kur shteti sulmohet në infrastrukturën e tij kritike, heshtja e një kandidati është pranim i dobësisë së vet — dhe dëshmi se ai nuk është as i besueshëm dhe as i aftë për këtë detyrë. Udhëheqësi i vërtetë e njeh rrezikun në kohë reale. Udhëheqësi fals lexon vetëm reagimet në Facebook. Ai që nuk ka qëndrim për sigurinë e shtetit, nuk ka qëndrim as për drejtësinë, as për ekonominë, as për institucionet. Sepse të gjitha këto mbështeten mbi sigurinë. Pa të, gjithçka tjetër është fasadë. Në politikë ka një rregull të hekurt: kush hesht përballë rrezikut, do të heshtë edhe përballë përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Këta kandidatë e kanë dëshmuar që sot këtë gjë”, shprehet opinionisti.
Sipas Gashit, ata që heshtin sot, nesër do të heshtin kur Serbia të ushtrojë presion.
Ai shton se heshtja e tyre është paralajmërim i qeverisjes së tyre të ardhshme, një qeverisje pa themel, pa vizion, pa shtyllë kurrizore dhe pa dinjitet.
“Mosreagimi i tyre nxjerr në pah një të vërtetë të hidhur: ata nuk kanë kurrfarë vizioni. Ajo që ata e quajnë “vizion” është asgjë më shumë se një pllakë e vjetër gramafoni, me formula dinake të mësuara përmendësh të cilat ata i recitojnë nëpër studio televizive, si papagajt, dhe në këtë mënyrë ia gërditin popullit edhe më shumë poezitë e pakuptimta të marketingut të tyre politik. Sovraniteti nuk ndërtohet me posterë të bërë në Photoshop. Siguria nuk garantohet me heshtje. Në momentin e një sabotimi, udhëheqësi i vërtetë del i pari, sepse e di se heshtja është ftesa e parë për sulmin pasues. Kandidatët që sot sillen sikur nuk kanë dëgjuar asgjë, tregojnë se në mendjen e tyre Kosova nuk është shtet për t’u mbrojtur, por thjesht një territor për pazare politike. Ata që heshtin sot, nesër do të heshtin kur Serbia të ushtrojë presion, kur grupet kriminale të afrohen drejt institucioneve dhe kur aleatët tanë të kërkojnë përgjigje të qarta. Heshtja e tyre është paralajmërimi i qeverisjes së tyre të ardhshme: një qeverisje pa themel, pa vizion, pa shtyllë kurrizore dhe pa dinjitet”, përfundon Gashi.