Pas certifikimit të zgjedhjeve, VV drejt formimit të institucioneve – çfarë pritet të ndodhë?

Politika

Pas certifikimit të zgjedhjeve, VV drejt formimit të institucioneve – çfarë pritet të ndodhë?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 10 janar 2026 Në ora: 15:58
Albin Kurti

 

Tashmë ka përfunduar numërimi i të gjitha votave për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit dhe, pas shqyrtimit të ankesave, pritet certifikimi i rezultatit përfundimtar.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese me shumicë absolute në Kuvend, duke siguruar 57 mandate deputetësh, çka i jep asaj avantazh të qartë për formimin e institucioneve të reja.

Pas përvojës së bllokadave të vitit të kaluar, vëmendja tashmë është përqendruar te procesi i konstituimit të Kuvendit, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, si dhe formimi i qeverisë së re.

Në këtë kontekst, në qendër të diskutimeve mbetet edhe çështja e nënkryetarit nga radhët e Listës Serbe, për të cilën pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, si dhe roli i votave të pakicave në konsolidimin e shumicës parlamentare.

Bytyçi: Koalicioni fitues i ka numrat, bllokadat nuk përsëriten

Profesori Enver Bytyçi vlerëson se Kosova e ka mbyllur procesin zgjedhor dhe se qytetarët kanë dhënë një mesazh të qartë politik.

“Kosova e mbylli procesin e numërimit të votave dhe përfundimisht qytetarët e saj morën vesh rezultatin përfundimtar. Vetëvendosja dhe koalicioni i saj fituan 57 deputetë, ose dhjetë deputetë më shumë sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar. Ndërsa Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike pësuan humbjen më të madhe. Kësisoj votuesit thanë se krijimi i institucioneve duhet të udhëhiqet me vetëbesim dhe pa pengesa nga ana e Vetëvendosjes, Listës GUXO, Alternativës dhe demokristianëve", thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Ai shprehet kritik ndaj opozitës dhe analistëve që, sipas tij, kanë mbështetur bllokimin institucional.

“Analistët pro serbë të Kosovës janë xhindosur më keq se Vuçiq! Shajnë e mallkojnë votuesit për këtë dështim që pësuan ata dhe partitë opozitare, të cilat bllokuan shtetin.”

Sipas Bytyçit, bllokimi institucional është akt i dënueshëm politikisht dhe juridikisht, ndërsa ndëshkimi vjen nga vullneti i qytetarëve.

“Bllokimi i shtetit nga vetë shqiptarët rezulton vepër politike e juridike e dënueshme. Por fatkeqësisht dënimin nuk e jep gjykata, atë e jep Zoti, vullneti i popullit!", shton Bytyçi për "Bota sot".

Ai thekson se tashmë Kosova ndodhet përpara një momenti të ri: krijimit të shpejtë të institucioneve.

“Koalicioni i Vetëvendosjes i ka numrat për ta kryer këtë detyrë, sepse tashmë nuk ka shans të bllokojë as Fatmiri, as Dudja, as Lumiri, Ramushi e PDK", nënvizon Bytyçi.

Bytyçi sugjeron që qeveria të formohet me deputetët e mazhorancës dhe të pakicave jo serbe, ndërsa për çështjen e nënkryetarit serb të Kuvendit, ai ka një qëndrim të qartë.

“Mazhoranca ta marrë zotin Rashid në qeveri dhe nënkryetarin e Kuvendit ta zgjedhin vetë serbët. Nuk i prish punë Kosovës se kush prej deputetëve serbë ulet në krah të Albulena Haxhiut!”.

Ai kritikon Gjykatën Kushtetuese për vonesat, duke paralajmëruar se përsëritja e skenarit të kaluar do ta dëmtonte rëndë besueshmërinë e saj.

Sa i përket drejtimit të Kuvendit, Bytyçi mbështet hapur Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

“Jo për inat të opozitës, as për egon e Kurtit, por sepse Kosova ka shumë nevojë për reformë të thellë të gjyqësorit", shpjegon Bytyçi.

Në fund, ai thekson se skenari i bllokadave të vitit të kaluar nuk mund të përsëritet dhe se institucionet duhet të formohen shpejt.

“Kryesia duhet krijuar menjëherë pas certifikimit dhe më pas qeveria brenda pak ditëve. Janë mundësitë që deri në fund të janarit të ketë kaluar edhe ligji për buxhetin e shtetit.”

Burjani: Qeveri me pakicat dhe rreziku i përsëritjes së problemeve

Image
Blerim Burjani

Ndryshe nga Bytyçi, njohësi i proceseve zgjedhore Blerim Burjani shpreh më shumë skepticizëm për mënyrën se si mund të formohet qeveria.

“Qeverinë e bën me pakicat serbe, mund të jetë qeveri e përkohshme legjitime, si një Kuvend i përkohshëm deri në zgjedhje në fund të këtij viti.”

Sipas tij, opozita e mban në dorë zgjedhjen e presidentit, ndërsa Vetëvendosja, sipas Burjanit, ka një qasje problematike ndaj përbërjes së qeverisë.

“VV në këtë mandat me përplot njerëz të papunë dhe në cilësinë e deputetit. Politika është biznes në Kosovë. Kurtit i konvenon qeveri me njerëz anonim dhe me deputetë edhe më anonim për popullin, jo profesional", shpjegon Burjani.

Burjani paralajmëron gjithashtu se Vetëvendosja nuk duhet ta përsërisë skenarin e fundit me Listën Serbe.

“VV nuk duhet të përsërisë si herën e fundit me Listën Serbe për të zgjedhur dikë, edhe pse gjasat janë prapë për probleme të ngjashme", përfundon Blerim Burjani për "Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat