27 vjet pas Prekazit: Kujtesë kombëtare apo betejë politike?

Politika

27 vjet pas Prekazit: Kujtesë kombëtare apo betejë politike?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 mars 2026 Në ora: 10:06
Prekaz

Kosova përkujton çdo 5, 6 dhe 7 mars Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së saj moderne, e cila shënoi kthesë vendimtare në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë.

Më 5 mars 1998, forcat policore dhe ushtarake serbe rrethuan shtëpinë e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, në fshatin Prekaz të Drenicës. Pas një përballjeje që zgjati tri ditë, më 7 mars, mbetën të vrarë Adem Jashari dhe 58 anëtarë të familjes së tij, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Ngjarja tronditi opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar, duke rritur ndjeshëm përkrahjen për UÇK-në dhe duke përshkallëzuar konfliktin që më pas u shndërrua në luftën e viteve 1998–1999 në Kosovë.

Sot, në Kompleksin Memorial në Prekaz, ku prehen dëshmorët e familjes Jashari, mbahen homazhe dhe aktivitete përkujtimore nga krerë institucionalë, përfaqësues politikë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare.

Epopeja e UÇK-së konsiderohet simbol i sakrificës dhe rezistencës për liri, ndërsa figura e Adem Jasharit mbetet një nga figurat më emblematike të historisë së Kosovës. Shënimi i kësaj ngjarjeje përfshin mbledhje solemne, homazhe, ekspozita, aktivitete sportive dhe programe artistike në mbarë vendin.

Rëndësia e Epopesë së UÇK-së

Analisti Xhavit Drenori thotë se Epopeja e UÇK-së dhe rënia heroike e Adem Jasharit dhe familjes së tij përbën një nga momentet më heroike të historisë.

Sipas tij, flijimi i familjes Jashari u kthye në simbol qëndrese, unitet dhe vendosmëri për liri.

“Epopeja e UÇK-së dhe rënia heroike e kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit dhe familjes së tij, në mars, në Prekaz përbën një nga momentet më heroike të historisë sonë moderne. Ky akt sakrifice u bë pikë kthese e mobilizimit të përgjithshëm për liri dhe i dha dimension të ri luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e shndërruar atë në një kauzë mbarëpopullore. Flijimi i familjes Jashari u kthye në simbol qëndrese, unitet dhe vendosmëri për liri, në këtë kuptim vlera historike është e jashtëzakonshme dhe e padiskutueshme”, shprehet Drenori.

Image
Xhavit Drenori

Ai thotë se kjo ngjarje herë pas here edhe u përdor për qëllime politike, por sakrifica e Jasharajve është themel i kujtesës dhe identitetit kombëtar.

“Sa i përket vlerësimit në aspektin institucional dhe simbolik ndërtohet lart, por herë pas here kjo ngjarje përdoret edhe për qëllime politike, megjithatë mbi çdo debat mbetet fakti se sakrifica e Jasharajve është themel i kujtesës dhe identitetit tonë kombëtar”, deklaron analisti.

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka sjellë edhe përplasje në mes të institucioneve të Kosovës dhe organizatës së veteranëve OVL-UÇK, kjo e fundit nuk pajtohet me mënyrën sesi u ftua nga Ministria e Mbrojtjes për organizimin e aktiviteteve për nder të kësaj ngjarjeje, madje ka organizuar aktivitetet e saj veçmas.

Politizimi i Epopesë së UÇK-së

Analisti Skënder Zogaj e konsideron këtë ngjarje ndër aktet më madhore të atdhetarizmit shqiptar.

Sipas tij, çlirimi, liria dhe pavarësia e Kosovës në Epopeja e Prekazit kanë emblemën më të pastër të traditës.

“Epopeja e Kullës së Jasharajve është një nga aktet më madhore të atdhetarizmit shqiptar dhe një ndër shembujt më të pastër të sakrificës për liri në historinë evropiane e më gjerë. Kjo është arsyeja pse kjo epope konkrete dhe plotësisht reale është emërtuar legjendare, sepse ka përmasat e një legjende.

Çlirimi, liria dhe pavarësia e Kosovës në Epopeja e Prekazit kanë emblemën më të pastër të traditës sonë luftarake, ku vetëflijimi është akt trimërie që dëshmon guximin e pakompromis për të vdekur për kombin dhe atdheun.

E gjithë kjo tregon se Epopeja e Jasharajve përfaqëson vlerën më të madhe të historisë sonë të re”, deklaron Zogaj.

Image
Skënder Zogaj

Ai konsideron se nga populli vlerësohet shumë sakrifica sublime e Jasharajve, por jo nga shteti dhe partitë politike, që sipas tij, e kanë përdorur për qëllime politike.

“ A vlerësohet aq sa e meriton sakrifica sublime e Jasharajve? Unë them: po dhe jo.

Po, nga mbarë populli shqiptar.

Jo, nga shteti dhe partitë politike të Kosovës, të cilat, në vazhdimësi, e kanë përdorur për qëllime politike. Pasardhësit e Jasharajve kanë treguar pjekuri të lartë kombëtare, duke qëndruar jashtë politizimeve dhe interesave të grupeve të shumta të interesit, të cilat – siç jemi të gjithë dëshmitarë – e kanë penguar në masë të madhe prosperitetin shoqëror dhe shtetëror të Kosovës. Jasharajt, kudo që janë ngarkuar me përgjegjësi, e kanë arsyetuar besimin që u është dhënë dhe janë dëshmuar me dinjitet në çdo angazhim”, thekson analisti.

Ai uron që Kosova të përparojë edhe më tepër dhe sakrifica e Jasharajve të marrë vlerësimin meritor.

“Uroj që Kosova të përparojë sa më shumë dhe që sakrifica e Jasharajve të marrë gjithmonë vlerësimin dhe vendin që meriton në ndërgjegjen tonë kombëtare dhe në ndërtimin e shtetit tonë”, përfundon Zogaj.

Në përmbyllje, Epopeja e UÇK-së mbetet jo vetëm një moment historik, por edhe një pikë referimi për debatin mbi mënyrën se si ndërtohet kujtesa kolektive dhe si ruhet uniteti kombëtar përtej dallimeve politike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat