Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se do të ftojë udhëheqësit e partive politike në një takim për të diskutuar caktimin e datës për zgjedhjet e reja.
Gjatë një konference për shtyp, Osmani tha se konsultimi me partitë politike është një detyrim kushtetues që duhet të zhvillohet para shpalljes së datës së zgjedhjeve.
Ajo theksoi se zgjedhjet e reja duhet të shpallen menjëherë pas shpërbërjes së Kuvendit, por se paraprakisht kërkohet një konsultim formal me përfaqësuesit e partive politike.
Në lidhje me këtë situatë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Nijazi Halili.
Profesori thotë se konsultimi i Presidentes me liderët e partive para caktimit të datës së zgjedhjeve duhet parë si në aspektin juridik ashtu edhe politik.
Sipas tij, kjo është në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe synon transparencë, legjitimitet më të gjerë politik dhe shmangie të kontestimeve për procesin zgjedhor.
“Vendimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të thirrur në konsultim liderët e partive politike para shpalljes së datës së zgjedhjeve të reja duhet parë në dy dimensione kryesore në dimensionin juridik dhe politik.
Nga aspekti juridik, ky veprim është në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovo, e cila parashikon që Presidentja të ketë rol garantues në funksionimin demokratik të institucioneve dhe në organizimin e procesit zgjedhor.
Konsultimi me partitë politike, edhe pse nuk e ndryshon kompetencën ekskluzive të Presidentes për caktimin e datës së zgjedhjeve, përbën një praktikë institucionale që synon transparencë, legjitimitet më të gjerë politik dhe shmangie të kontestimeve eventuale rreth procesit zgjedhor”, u shpreh ai.
Halili tutje vlerëson se, në aspektin politik, konsultimet e Presidentes me partitë mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe në krijimin e një konsensusi minimal për procesin zgjedhor, duke forcuar besimin në institucione.
Megjithatë, ai thekson se efekti real varet nga gatishmëria e partive për dialog dhe respektim të procesit, pasi nëse konsultimet mbeten vetëm formale ndikimi i tyre do të jetë i kufizuar.
“Në aspektin politik, ky hap ka rëndësi për stabilitetin institucional, sidomos në situata kur vendi hyn në një fazë tranzicioni politik pas shpërbërjes së Kuvendit. Konsultimet mund të shërbejnë si mekanizëm për uljen e tensioneve ndërmjet partive politike dhe për krijimin e një minimumi konsensusi rreth rregullave të lojës demokratike. Një proces zgjedhor i dakorduar dhe i menaxhuar mirë rrit besimin e aktorëve politikë dhe të qytetarëve në institucionet shtetërore.
Megjithatë, ndikimi real në stabilitetin politik do të varet nga klima politike ndërmjet partive dhe nga gatishmëria e tyre për të respektuar procesin institucional. Nëse konsultimet mbeten vetëm formale dhe shoqërohen me polarizim politik, atëherë efekti stabilizues mund të jetë i kufizuar. Në të kundërtën, nëse ato përdoren si hap për dialog politik, mund të kontribuojnë në një tranzicion më të qetë dhe në konsolidimin e praktikave demokratike në vend”, përfundoi profesori Halili për “Bota sot”.