Gjatë ditës së djeshme komisonarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e ka shtyrë vizitën e saj të planifikuar në Kosovë, kanë konfirmuar zyrtarët e Komisionit Evropian, dhe si arsye janë përmendur zhvillimet e fundit politike në vend.
“Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti, komisionarja Kos i tha atij se do ta shtynte udhëtimin e saj të planifikuar në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike”, ka bërë të ditur zyra për media e Komisionit.
Sipas saj, Kos synon të udhëtojë në Prishtinë “në momentin e parë të mundshëm”.
Vizita e zyrtares evropiane ishte bërë e ditur javën e kaluar. Jo zyrtarisht dihej se ajo do ta vizitonte Kosovën më 12 mars, dhe kjo do të ishte vizita e saj e parë në Kosovë në cilësinë e Komisionares së Zgjerimit.
Kosova është vendi i vetëm që Kos nuk e ka vizituar ende – e që është në zonën e fushëveprimit të saj - edhe pse e drejton Departamentin e Zgjerimit në Komisionin Evropian që nga dhjetori i vitit 2024.
E në lidhje me ngjarjet e fundit në Kosovë dhe anulimin e vizitës së Kos, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Dr. Mirsad Voca, ligjërues në Universitetin e Hamburgut dhe doktor i shkencave në gjeopolitikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Ai thotë se anulimi i vizitës së Marta Kos është një mesazh politik nga Bashkimi Evropian se po e vëzhgon situatën në Kosovë dhe pret stabilitet institucional.
Gjithashtu thekson se problemet ose bllokimet mes institucioneve të Kosovës mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet dhe ritmin e integrimit me BE-në.
“Anulimi i vizitës së komisioneres për zgjerim të Komisionit evropian, Marta Kos, në Kosovë është para së gjithash nje sinjal politik dhe diplomatik që Brukseli po e ndjek me vëmendje situatën institucionale në vend. Në diplomacinë evropiane, anulime të tilla zakonisht nuk janë thjesht çështje protokolli, por mënyrë për të dërguar një mesazh se stabiliteti institucional dhe funksionimi normal i institucioneve janë thelbësore për partneritetin me Bashkimin Evropian. Ky mesazh u drejtohet të gjitha institucioneve të vendit, përfshirë qeverinë, kuvendin dhe presidencën e Vjosa Osmani, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në një moment politik të ndjeshëm.
Nga perspektiva e Bashkimit Evropian, stabiliteti institucional është një nga elementet kyçe të procesit të integrimit. Situatat e bllokimit politik apo tensionet ndërinstitucionale krijojnë perceptimin e një sistemi politik të dobët, gjë që mund të ndikojë në ritmin e angazhimit politik dhe diplomatik me Brukselin. Në këtë kuptim, anulimi i vizitës është më shumë një sinjal për nevojën e maturisë politike dhe për rikthimin e shpejtë në funksionimin normal të institucioneve”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, Voca shton që procesi i integrimit evropian të Kosovës nuk është në rrezik të menjëhershëm, por që suksesi i tij varet nga stabiliteti politik, respektimi i kushtetutës dhe bashkëpunimi institucional.
Ai thekson se Brukseli pret maturi dhe përgjegjësi nga aktorët politikë të Kosovës për të ruajtur besueshmërinë ndërkombëtare dhe për të avancuar integrimin evropian.
“Megjithatë, kjo nuk do të thotë se procesi i integrimit evropian i Kosovës është në rrezik të menjëhershëm. Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian janë strukturore dhe afatgjata dhe varen kryesisht nga kapaciteti i institucioneve për të garantuar stabilitet politik, respektim të procedurave kushtetuese dhe bashkëpunim institucional. Nëse situata politike stabilizohet dhe institucionet arrijnë të gjejnë zgjidhje brenda kornizës kushtetuese, ndikimi i këtyre zhvillimeve në procesin e integrimit mund të mbetet i kufizuar.
Mesazhi që vjen nga Brukseli është relativisht i qartë që d.m.th. se Bashkimi Evropian pret nga aktorët politikë në Kosovë maturi, përgjegjësi institucionale dhe aftësi për të menaxhuar dallimet politike brenda rregullave demokratike. Kjo është edhe mënyra e vetme për të ruajtur besueshmërinë ndërkombëtare të vendit dhe për të avancuar në rrugën e integrimit evropian”, përfundoi Voca për “Bota sot”.