Kriza rreth zgjedhjes së presidentit mbetet e hapur, pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa vendi tashmë ndodhet përballë një afati 34-ditor vendimtar. Ky afat, i përcaktuar për tejkalimin e ngërçit institucional, pritet të tregojë nëse institucionet do të arrijnë kompromis apo vendi do të rrëshqasë drejt një krize më të thellë politike.
Në anën tjetër, opozita po e intensifikon presionin për zgjedhje të jashtëzakonshme, duke argumentuar se zgjidhja aktuale nuk garanton legjitimitet të plotë. Me kalimin e ditëve, vëmendja mbetet tek zhvillimet që do të përcaktojnë jo vetëm fatin e procesit të zgjedhjes së presidentit, por edhe drejtimin e ardhshëm politik të vendit.
E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Si fillim, ai tha se vendimi i fundit i Kushtetueses për çështjen e presidentit ka bërë zgjidhje kreative, në lloj kompromisi mes drejtësis dhe politikës.
“Nëse e analizojmë Aktgjykimin, do të vërejmë se, Gjykata Kushtetuese ka bërë një zgjidhje kreative, respektivisht, kompromis mes drejtësisë dhe politikës. Kompromisi me drejtësinë konstatohet, kur Gjykata thotë se, neni 82 paragrafit 1 dhe nënparagrafi 3, dhe neni 86 paragrafi 2, mbeten të aplikueshme në të gjitha rastet e zgjdhjes së Presidentit, sikurse edhe më parë, kurse afati prej 60 ditëve duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. E sidomos kompromisi me drejtësinë vërehet, kur Gjykata thot se ky Aktgjykim me afatin dhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, vlenë vetëm për këtë rast, e jo edhe në të ardhmen.
Kurse kompromisi politik do të thotë se, së pari, Gjykata ka patur parasysh rrethanat aktuale të shkaktuara nga sabotimet dhe bllokadat që prodhuan kriza të vazhdueshme institucionale, të provokuara nga politikanët e papërgjegjshëm, së dyti, ka dashur t’a debllokojë ngërçin politik mes pozitës dhe opozitës, dhe së treti, t’i evitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme”, deklaroi ai.
Pavarësisht kësaj, Musliu konsideron se aktgjykimi i fundit nuk e ka zgjedhur plotësisht problemin e zgjedhjes së presidentit.
Sipas tij, duke i njohur intatet politike dhe luftën për pushtet, vështirë të besohet se opozita do pranojë kompromis me qeverinë për këtë temë.
Në këtë rast, përmendi edhe kritikat e partive opozitare dhe qasjen e tyre ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij.
“Tani, pyetja që me të drejtë shtrohet është se, a e ka zgjidhur definitivisht Aktgjykimi problemin e zgjedhjes së Presidentit!? Konsideroj se, jo.
Gjykata Kushtetuese, klasës politike i ka dhënë afat prej 34 ditëve për gjetjen e një kompromisi për një kandidat konsesual, në të kundërtën, vendi me automatizëm shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Dhe duke i ditur inatet politike, bajraktarizmin, luftën për pushtet, sferat e interesit dhe pasivitetin e opozitës për daljen apo zgjedhjen e krizës, konsideroj se do të jetë vështirë, përveç se nuk e gjejnë një kandidat apolitik të pranueshëm për të gjithë, me çka do të evitoheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kritikat e opozitës, se LVV -ja dhe kryeministri Kurti po e bllokojnë zgjedhjen e Presidentit, nuk qëndrojnë, madje bëhet fjalë për një propagandë për t’a manipuluar opinionin. Konsideroj se, pikërisht opozita është faktori dhe fajtori kryesor dhe i vetmi, për sabotimin e këtij procesi, sepse ajo nuk po tregon as interesimin minimal të bashkohen dhe të propozojnë një kandidat konsesual, që do të vinte nga opozita. Është interesant se PLA-ni, edhe pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me këmbëngulje vazhdon të deklarojë në opinion se zgjidhja më e mirë, janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, madje duke e provokuar LVV-në me deklarata, se ajo po i shmanget zgjedhjeve nga frika se do t’i humbin ato”.
Më tej, jurist inga Belgjika potencoi se këto bllokada institucionale po e dëmtojnë rëndë shtetin tonë, derisa kritikoi veçanërisht veprimet e opozitës.
Sipas tij, kjo situatë i konvenon vetëm politikave të Vuçiqit dhe është shqetësuese nëse nuk arrihet të zgjidhet ky ngërç politik.
“Bllokimi i funksionimit të shtetit përmes sabotimit të konstituimit të institucioneve, konsideroj se nuk është e rastësishme, madje, do të thoja se, kjo po bëhet në mënyrë të orkestruar nga opozita dhe e organizuar nga qarqe të caktuara, të infiltruara ndër vite në partitë politike opozitare. Këto veprime të opozitës, domosdoshmërisht duhet të lidhen me aktualitetin e aferave të spiunazhit, që kohëve të fundit, më në fund, po dalin në shesh, e që lidhen ngushtë me financime nga Serbia dhe Rusia. Në këto afera të spiunimit, janë përfshirë shtresa të ndryshme të shoqërisë, të ashtuquajtura media me gazetarë dhe analista mercenar, avokat, deputet, politikan, dhe jo vetëm.
Si rezultat i këtyre ngjarjeve dhe veprimeve të qëllimshme antishtetërore të opozitës, që i konvenojnë vetëm politikave të Vuçiqit, e kemi situatën aktuale politike dhe institucionale, që për një vit e gjysmë Kosovën e lanë pa institucione funksionale. Duke patur parasysh faktin se situata është shqetësuese, shpresoj se Shërbimet e Inteligjencës dhe Prokuroria Speciale, të aktivizohen dhe t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore”, vlerësoi Musliu.
Ndër të tjera, ai vlerësoi se, opozita po synon ta mbajë këtë bllokadë dhe t’i zvarrisë reformat në drejtësi.
Madje, sipas tij, veprimet e partive opozitare janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe disa Aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë ai, shtoi pyetje se me çfarë agjende dhe për kë punon opozita?
“Qëllimi i opozitës për sabotimin e zgjedhjes së presidentit është, së pari, që t’a vazhdojë agoninë e bllokadës institucinale, t’i defunksionalizojë organet më vitale shtetërore, rrënimin e ekonomisë, shkaktimin e problemeve sociale, dhe jo vetëm, së dyti, t’i zvarrisin dhe pengojnë reformat në drejtësi, sikurse Vettingun dhe Byronë, nga të cilat opozita frikësohet për shkak të përfshirjes në korrupsion dhe krim të organizuar.
Veprimet e opozitës janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe disa Aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, ku decidivisht thuhet se puna dhe veprimet e deputetëve duhet të jenë në drejtim të konstituimit dhe funksionalizimit të institucioneve shtetërore, kurse deputetët e opozitës nën dirigjimin e lidershipit të tyre, me paramendim, në mënyrë të organizuar, bëjnë të kundërtën, respektivisht bojkotojnë edhe konstituimin e institucioneve por edhe funksionalizimin e tyre.
Shtrohet pyetja, me çfarë agjende dhe për kë punon opozita!? Përgjigjen do të duhej t’a jepnin organet e drejtësisë!” – përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.