Zgjedhja e presidentit, Mahalla apelon për marrëveshje politike

Politika

Zgjedhja e presidentit, Mahalla apelon për marrëveshje politike

Nga: A.M. Më: 21 prill 2026 Në ora: 21:03
Presidenca e Republikës së Kosovës

Veprimtari i çështjes kombëtare, prof. Fahri Mahalla, ka bërë thirrje për marrëveshje dhe koordinim sa më të shpejtë mes pozitës dhe opozitës.

Ai solli si shembull Slloveninë dhe ish-presidentin Milan Kuçan, si dhe presidentin historik Dr. Ibrahim Rugovën, duke vlerësuar qasjen e tyre të matur dhe bashkëpunuese në politikë.

Sipas tij, edhe Rugova kishte përfshirë opozitën në qeverisje dhe merrte vendime të kujdesshme në funksion të interesit të Kosovës.

 “Marrëveshje dhe koordinim sa më parë mes pozitës dhe opozitës për ta shpëtuar Kosovën. Ju që jeni në pushtet dhe ju që jeni në opozitë duhet të këshilloheni me politikanët që kanë përvojë në politikë. Afrojini të diturit me përvojë politike. Ata që e kuptojnë politikën dhe diplomacinë janë lënë jashtë organizimit politik. Jo vetëm që nuk po merren këshilla nga ata, por shpesh po etiketohen dhe po kërcënohen.

Politikanët me përvojë, kur po shkruajnë, nuk po lexohen; kur po japin këshilla, nuk po dëgjohen. Politikanët e sotëm, shumë prej tyre të rinj dhe pa përvojë, mendojnë se i dinë të gjitha. Politikanët aktualë, por edhe disa nga ata para tyre, sikur ta kishin përcjellë politikën rugoviane, do ta kishin kuptuar më mirë politikën dhe diplomacinë. Për fat të keq, shumë prej tyre nuk mësuan asgjë nga ajo politikë.           

Ata që kanë sy dhe vesh duhet ta kuptojnë se bota është në prag të një lufte të tretë botërore. Politikanët tanë, si të pozitës ashtu edhe të opozitës, po luftojnë për karrige dhe nuk po arrijnë të merren vesh për zgjedhjen e Presidentes apo Presidentit. Kjo është e turpshme. Politikanët tanë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, po luftojnë për poste dhe karrige.

Duhet ta marrim si shembull shtetin e Sllovenisë. Sllovenët e mbajtën në krye të shtetit Milan Kuçanin si president deri sa doli në pension. Ata e dinin vlerën e tij. Vetëm të diturit mund ta zhvillojnë shtetin dhe ekonominë e tij.

Si shembull duhet ta marrim edhe Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova. LDK i fitoi shumicën e votave pas luftës dhe ai kishte mundësi ta formonte qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me parti të tjera. Por Rugova e afroi edhe opozitën në qeveri, sepse tha se kështu funksionon demokracia. Rugova dhe stafi i tij me përvojë politike i mbanin afër politikanët me përvojë dhe këshilloheshin me ta.

Rugova nuk bënte veprime të parakohshme. Ai ecte në hap me kohën, duke u bazuar në rrethanat politike rajonale, evropiane dhe botërore. Ai merrte vendime të matura, gjithmonë kur ishte në interes të Kosovës, sidomos veproi me mençuri kur Kosova ishte nën okupimin serb”, ka potencuar ai.

Image
Fahri Mahalla

Tutje, Mahalla ka vazhduar me kritika të ashpra ndaj klasës politike në Kosovë dhe Shqipëri, duke thënë se shumica e politikanëve pas Rugovës kanë shfaqur mungesë identiteti kombëtar dhe kanë përdorur shtetin për interesa personale.

“Gjeneratat e politikanëve pas Ibrahim Rugovës, shumica prej tyre, sipas veprimeve të tyre, kanë dëshmuar mungesë identiteti kombëtar, duke e shfrytëzuar shtetin për interesa personale. Kjo kategori politikanësh bën luftë për pushtet për ta shpëtuar veten nga drejtësia.

Hiq më të mirë nuk janë as politikanët e shtetit shqiptar. Kjo kategori politikanësh po e zbraz Kosovën dhe Shqipërinë. Të rinjtë dhe të rejat po largohen nga Kosova dhe Shqipëria, dhe kjo është e tmerrshme.

Këta politikanë nuk po mendojnë si ta zhvillojnë ekonominë e shtetit, si të krijojnë sa më shumë vende pune dhe të sigurojnë paga që përballojnë shpenzimet, për ta mbajtur rininë në Kosovë dhe Shqipëri”, është shprehur ai.

Gjithashtu, ai ka kritikuar ngërçin institucional, duke përmendur moszgjedhjen e presidentit dhe zvarritjen e proceseve politike, të cilat sipas tij tregojnë papërgjegjësi dhe mungesë vizioni.

“Një argument që dëshmon se çfarë politikanësh kemi është fakti se nuk arrijnë ta zgjedhin Presidenten apo Presidentin e shtetit. Po e zvarrisin pafundësisht këtë proces, dhe aq më keq nëse shkohet në zgjedhje të reja.

Këta politikanë sikur nuk kanë sy e vesh për të parë dhe dëgjuar se bota po përballet me rreziqe të mëdha. Shtetet e botës po punojnë për të siguruar mbijetesën, ushqimin për popullatën dhe mbrojtjen nga rreziqet.

Politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë këtë nuk po e marrin seriozisht. Mendja e tyre është e përqendruar vetëm si ta zgjasin jetën e tyre në pushtet dhe si ta shfrytëzojnë shtetin për interesa personale dhe familjare.

Kjo kategori politikanësh duhet të japë përgjegjësi para drejtësisë, brenda dhe jashtë shtetit, kudo që të shkojnë. Ata janë të përgatitur ta shpëtojnë veten, duke ikur jashtë vendit aty ku e kanë dërguar pasurinë e tyre.

Njerëzit e mençur mësojnë nga gabimet e të tjerëve dhe nuk i përsërisin ato. Politikanët e dy shteteve tona po i përsërisin të njëjtat gabime ndër breza”, ka shtuar ai.

Në fund, Mahalla ka theksuar se politikanët e pozitës dhe opozitës do të mbajnë përgjegjësi për këto dështime.

“Ka vite që e kam theksuar në një shkrim në gazetën “Bota sot”, duke paralajmëruar se duhet të përgatitemi për më të keqen. Mbrojtja civile duhet ta përgatisë popullatën. Çdo burrë e djalë, grua e vajzë duhet të përgatitet për një detyrë dhe ta dijë vendin e vet në rast nevoje.

Duhet ta dijë se çfarë ka për të bërë nëse ndodh lufta. Sektori i mbrojtjes civile duhej t’i bënte përgatitjet shumë më herët, jo në ditët e fundit. Nëse ky sektor vonohet, nuk mund t’i ik përgjegjësisë, nuk ka falje, kjo është e pafalshme. Ju politikanët e pozitës dhe të opozitës, do të mbani përgjegjësi” ka përfnduar Mahalla.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat