Veprimtari Agim Aliçkaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me tensione të brendshme në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ai ka thënë se rikthimi i Vjosa Osmani në parti ka thelluar mospajtimet mes Lumir Abdixhiku dhe figurave të rëndësishme si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Arben Gashi.
Aliçkaj ka cilësuar se pakënaqësia e tyre është e kuptueshme, pasi Osmani është rikthyer në pozita të larta pas një periudhe jashtë partisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me një situatë të ndërlikuar politike në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit. Mospajtimet ndërmjet kryetarit Lumir Abdixhiku dhe disa prej figurave më të rëndësishme të partisë ishin të dukshme edhe para rikthimit të ish-presidentes Vjosa Osmani në LDK. Me ardhjen e saj, këto tensione janë thelluar dhe rrezikojnë të shndërrohen në përçarje serioze.
Pakënaqësia e anëtarëve të vjetër të LDK-së, si Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Agim Veliu e të tjerë, është e kuptueshme. Ndërkohë që ata kanë vazhduar kontributin e tyre brenda partisë, znj. Osmani, që nga viti 2020, provoi rrugën e saj politike jashtë LDK-së. Vetëm pasi nuk arriti suksesin e pritur, ajo u rikthye bashkë me grupin e saj, duke zënë pozita të rëndësishme para figurave që kishin qëndruar besnike ndaj partisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kandidatët që kundërshtuan rikthimin e Osmanit janë vendosur në pozita më pak të favorshme, ndërsa përpjekja e Abdixhikut për ta paraqitur këtë si një “bashkim të madh” nuk është bindëse dhe shihet më shumë si një marrëveshje e interesit personal.
“Lista e kandidatëve për deputetë nuk duket se pasqyron realitetin dhe meritokracinë brenda partisë, por më shumë interesat personale të disa figurave jokonsekuente. Veçanërisht problematike shihet mënyra se si janë trajtuar kandidatët që kishin kundërshtuar rikthimin e znj. Osmani në LDK, duke u renditur në pozita më pak të favorshme.
Përpjekjet e z. Abdixhiku për ta paraqitur këtë zhvillim si një “bashkim të madh” dhe konsolidim të së djathtës në Kosovë nuk duken bindëse. Nga një këndvështrim i paanshëm, ky bashkëpunim perceptohet më shumë si një interes personal i dy politikanëve të përballur me sfida politike, sesa si një projekt serioz partiak apo shtetëror. Dështimet e tyre politike lidhen ngushtë me raportet që kanë pasur me kryeministrin Albin Kurti”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Aliçkaj ka thënë se Osmani ka mbivlerësuar rolin e saj në përfaqësimin ndërkombëtar dhe nuk arriti të ruajë raportet me Kurtin për të siguruar një mandat tjetër presidencial
“Në dy palë zgjedhjet e fundit, Albin Kurti dhe koalicioni fitues i LVV-së i ofruan LDK-së mundësi reale për bashkëqeverisje. Megjithatë, sipas kritikëve, Lumir Abdixhiku i refuzoi këto oferta, duke e shndërruar LDK-në nga një parti me pretendime shtetformuese në një forcë politike bllokuese, pa vizion të qartë për zhvillimin demokratik dhe forcimin e shtetit.
Nga ana tjetër, znj. Osmani duket se i mbivlerësoi aftësitë e saj për përfaqësim ndërkombëtar, duke harruar se një përfaqësim i fuqishëm kërkon një shtet të konsoliduar dhe institucione stabile. Meritat për këtë i takojnë kryesisht kryeministrit Kurti. Ajo nuk arriti t’i menaxhojë siç duhet mospajtimet me z. Kurti për të siguruar mbështetjen e nevojshme për një mandat tjetër presidencial. Në këtë moment, shteti i Kosovës mund të bëjë pa Vjosën, por vështirë se mund të bëjë pa Albinin”, ka shtuar ai.
Tutje, Aliçkaj ka kritikuar paraqitjet publike të Abdixhikut dhe Osmanit në tubimin e “bashkimit”, duke thënë se ato u panë si të dobëta dhe pa frymë unifikuese, sidomos pa pjesëmarrjen e disa figurave të LDK-së.
“Paraqitjet e fundit publike të z. Abdixhiku dhe znj. Osmani në tubimin e “bashkimit”, pa praninë e disa figurave kyçe të LDK-së, u perceptuan si të dobëta, përçarëse dhe joprofesionale. Në to munguan fryma unifikuese, vizioni shtetndërtues dhe filozofia tradicionale rugoviste që dikur e karakterizonte këtë parti.
Në vend që të prezantonin programe konkrete për zhvillimin ekonomik, forcimin institucional dhe të ardhmen e vendit, fokusi i tyre mbeti tek e kaluara dhe sulmet politike. Znj. Osmani nuk ka nevojë t’i bindë qytetarët se sa “i keq” ishte kryeministri Kurti, sepse ajo vetë ishte pjesë e qeverisjes dhe e vendimmarrjes për pesë vite me radhë. Përgjegjësia për sukseset dhe dështimet është e përbashkët”, ka theksuar ai.
Aliçkaj ka thënë se kritikat ndaj Kurtit nga opozita janë të motivuara politikisht dhe jo gjithmonë të bazuara në alternativa konkrete.
Sipas tij, zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë vendimtare për drejtimin e vendit, ndërsa LDK-ja po kalon tensione të brendshme që mund t’i kushtojnë në elektorat.
“Kritikat vend e pavend ndaj Kurtit prej kohësh janë bërë pjesë e diskursit të opozitës, e cila duket se udhëhiqet më shumë nga dëshira për pushtet sesa nga alternativa konkrete politike. Në të njëjtën kohë, edhe faktorë armiqësorë ndaj Kosovës kanë shfaqur publikisht qëndrime kundër tij. Despoti serb Vuçiç thotë se askush nuk mund të bashkëpunojë me Kurtin, ndërsa organizata e tij terroriste "Brigadat Veriore" e kërcënon me eliminim fizik.
Në fund, vlerësimin për secilin politikan do ta japë populli i Kosovës me votën e 7 qershorit. Këto zgjedhje, të shkaktuara nga opozita pa pikë nevoje, pritet të jenë vendimtare për drejtimin politik të vendit.
LDK-ja po kalon një periudhë trazirash të brendshme dhe përplasjesh politike që mund t’i kushtojnë me humbje të elektoratit tradicional. Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje synon të ruajë dhe zgjerojë mbështetjen qytetare, veçanërisht në një kohë kur debati politik është bërë më i polarizuar se kurrë.
Përballë sfidave të brendshme dhe presioneve të jashtme, qytetarët e Kosovës do të vendosin me votën e tyre për drejtimin që dëshirojnë për shtetin dhe institucionet e vendit. Një votë mbi 60% për Koalicionin LVV, Guxo, Alternativa, PSHDK është zgjidhja më e mirë për të ardhmen e Kosovës edhe këtë herë.
Nuk ka kthim mbrapa!”, ka përfunduar Aliçkaj.