Vetëm një ditë para se qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e 7 qershorit, fushata elektorale po përmbyllet mes premtimeve të shumta, përplasjeve politike dhe përpjekjeve të partive për të bindur elektoratin e pavendosur. Gjatë javëve të fundit, liderët politikë kanë shpalosur programe që prekin pothuajse çdo sektor – nga rritja e pagave dhe pensioneve deri te investimet kapitale, arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik.
Megjithatë, përtej garës për vota, në opinionin publik kanë dominuar debatet mbi realizueshmërinë e këtyre zotimeve, duke pasur parasysh sfidat ekonomike dhe buxhetore me të cilat përballet Kosova. Sipas analistit politik Skënder Zogaj, fushata e këtij viti është karakterizuar nga tone të ashpra politike dhe premtime që në shumë raste janë të vështira për t’u zbatuar në praktikë.
Skënder Zogaj, analist politik thotë se fushata u zhvillua me tone të ashpra dhe premtime boshe.
Sipas tij, premtimet janë vështirë të realizueshme.
“Tashmë jemi imunizuar ndaj gjuhës së ashpër dhe “argumenteve” të urrejtjes kundër emrave të përveçëm dhe partive simotra, me qëllim të përfitimit të rastit për ta përvetësuar elektoratin. Kjo është e tëra që po ndodh edhe në këtë fushatë zgjedhore, e cila po zhvillohet me tone të ashpra dhe me premtime boshe, sepse gjendja ekonomike e Kosovës nuk është e mirë dhe shumë nga këto premtime janë të vështira për t’u realizuar”, deklaron Zogaj për “Bota sot”.
Sipas tij fushata u karakterizuar nga dy krahë të kundërt.
“Programet mund të hartohen dhe të duken bukur në letër, por ato nuk mund ta sjellin vetvetiu kthesën e dëshiruar. Këtë e dinë të gjithë liderët partiakë, por kjo mbetet mënyra e vetme e luftës së tyre për pushtet.
Fushata e sivjetme karakterizohet nga dy krahë të kundërt: Lëvizja Vetëvendosje dhe blloku opozitar. Ky i fundit, kësaj radhe, ka treguar më shumë kujdes për ta ruajtur frymën e mirëkuptimit në raport me pozitën, gjë që përbën një zhvillim të ri dhe mund të japë rezultate pozitive”, shton analisti.
Në fund sipas tij, partitë kane treguar nivel të mirë organizimi në tubimet e tyre.
“Të gjitha partitë kanë treguar nivel të mirë organizimi në tubimet e tyre dhe kjo është një shenjë e mirë për demokracinë kosovare”, përfundon Zogaj.