Rizgjedhja e Abdixhikut në krye të LDK-së, “e keqja më e vogël” për partinë

Politika

Rizgjedhja e Abdixhikut në krye të LDK-së, “e keqja më e vogël” për partinë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 2 gusht 2026 Në ora: 19:01
Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të udhëheqë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pasi delegatët e Kuvendit të Jashtëzakonshëm i dhanë mbështetjen për një mandat të ri në krye të partisë. Votimi i së enjtes i dha fund përpjekjes për shkarkimin e tij, me 170 delegatë që u shprehën kundër largimit të Abdixhikut dhe 152 pro.

Rikonfirmimi i tij e bën Abdixhikun kryetarin e katërt në historinë e LDK-së që vazhdon drejtimin e partisë, në një periudhë të shoqëruar me debate të brendshme dhe përplasje rreth lidershipit dhe orientimit politik të saj.

Pas vendimit të Kuvendit, Abdixhiku u deklarua për herë të parë para mediave, ku falënderoi delegatët për besimin e dhënë dhe vlerësoi procesin si një dëshmi të demokracisë së brendshme në LDK.

Ai tha se përmes këtij votimi, delegatët nuk përcaktuan vetëm vazhdimin e udhëheqjes së tij, por edhe drejtimin programor të partisë për periudhën e ardhshme.

“Hera e dytë këtë vit, LDK dëshmoi demokraci maksimale. Delegatët e Kuvendit të LDK-së, në mënyrë demokratike, dhanë drejtim jo vetëm për lidershipin, por edhe për orientimin programor. Jam i lumtur për rezultatin dhe jam falënderues që konfirmuan rezultatin e janarit”, deklaroi Abdixhiku para mediave.

Ndërkaq, analistët politikë vlerësojnë se rizgjedhja e Abdixhikut i jep LDK-së mundësi për vazhdimësi, por sfida kryesore mbetet reforma e brendshme, forcimi i unitetit dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme.

Sipas tyre, vazhdimi i mandatit të Abdixhikut shmang një krizë të re politike brenda partisë, por tani ai përballet me detyrën për të riorganizuar strukturat dhe për të menaxhuar dallimet e brendshme.

Mehmeti: Rizgjedhja e Abdixhikut është “e keqja më e vogël” për LDK-në, tani duhet ta reformojë partinë

Lidhur me këtë, analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”, ka vlerësuar se rizgjedhja e Abdixhiku në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte një moment i rëndësishëm për të ardhmen e kësaj partie.

“Rizgjedhja e Lumirit është e keqja më e vogël momentale për LDK-në. Nëse ai nuk do të ishte konfirmuar në krye të partisë, do të kishim një histori krejt tjetër për LDK-në. Vendi do të shkonte automatikisht në zgjedhje dhe për këtë do të fajësohej LDK-ja”, ka deklaruar Mehmeti.

Gjithashtu, ai ka thënë se një skenar i tillë do të ndikonte negativisht në rezultatin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së, duke paralajmëruar se brenda partisë ekzistojnë figura që nuk i shërbejnë interesit të saj.

“Gjithçka varet se sa Lumiri do të jetë i gatshëm ta menaxhojë dhe ta spastrojë partinë nga disa njerëz të cilët më shumë po i shërbejnë PDK-së sesa vetë LDK-së”, është shprehur ai.   

Image
Faton Mehmeti

Tutje, Mehmeti ka shtuar se një marrëveshje politike që do të shmangte zgjedhjet e reja dhe do të siguronte një mandat të plotë qeverisës do t’i jepte Abdixhikut kohë për të ndërmarrë reforma brenda LDK-së.

“Nëse nuk do të ketë zgjedhje dhe do të zgjidhet çështja e presidentit, duke krijuar një mandat katërvjeçar, atëherë Lumiri do ta ketë më të lehtë që ta riorganizojë partinë dhe ta zgjerojë atë për kohëra të reja”, ka thënë Faton Mehmeti. 

Rizgjedhja e Abdixhikut në krye të LDK-së, Gashi: Partia kaloi një “test demokracie”, sfida e vërtetë mbetet uniteti dhe zgjedhjet e ardhshme 

Ndërsa, analisti politik, Eduart Gashi për “Bota sot” ka vlerësuar se rizgjedhja e Abdixhikut tregon mbështetjen e shumicës së strukturave të partisë për drejtimin e tij politik.

“Rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është një zhvillim i rëndësishëm politik që mund të analizohet nga disa këndvështrime:

Rizgjedhja e Abdixhikut sinjalizon se shumica e strukturave të brendshme të partisë mbështesin linjën e tij politike dhe përpjekjet për reformimin e LDK-së pas rezultateve të zgjedhjeve të kaluara. Kjo i jep atij një mandat të ri për të vazhduar me strategjinë e tij të opozitëbërjes dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme elektorale”, ka thënë ai.

Image
Eduard Gashi

Sipas Gashit, një nga çështjet më të diskutuara pas këtij procesi është mundësia e thellimit të përçarjeve brenda LDK-së, e cila, sipas tij, varet nga mënyra se si do të menaxhohen dallimet e brendshme.

“Sa i përket mundësisë së thellimit të përçarjeve, kjo varet nga disa faktorë kyç:

Në çdo parti me traditë të gjatë si LDK-ja, ekzistojnë rryma dhe figura me pikëpamje të ndryshme. Mënyra se si kryesia e re përfshin ose akomodon krahët e tjerë do të përcaktojë nivelin e unitetit.

Nëse rruga e ndjekur nga lidershipi i ri shihet si e suksesshme dhe gjithëpërfshirëse, mundësia për pakënaqësi zvogëlohet. Përkundazi, nëse disa figura ndjehen të mënjanuara, mund të ketë fërkime apo distancime individuale.

Mbetja e Abdixhikut në krye nënkupton se LDK-ja synon vazhdimësi në procesin e modernizimit të saj, por sprova e vërtetë e unitetit dhe fuqisë politike do të jetë performanca e partisë në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe lokale”, ka shtuar Gashi.

Ai ka theksuar se vetë iniciativa për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm dhe mënyra e zhvillimit të tij treguan pjekuri politike.

“Për më tepër, ky proces tregoi se LDK-ja e kaloi me sukses të plotë një "test demokracie", duke dëshmuar se si funksionon me të vërtetë demokracia e brendshme partiake:

Thirrja e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm me iniciativën e anëtarësisë, si dhe pjesëmarrja e qetë dhe e organizuar, tregojnë pjekuri politike.

Ekzistenca e blloqeve ose rrymave të ndryshme brenda një partie është pikërisht ajo nga e cila jeton demokracia. E rëndësishme është që, pas procesit të votimit, rezultati pranohet dhe respektohet nga 

Demokracia nuk do të thotë bllokim i vazhdueshëm apo të qenit thjesht "kundër". Përkundrazi, ajo nënkupton gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme (një situatë ëin-ëin për të gjithë) — veçanërisht për vendin, për të ardhmen e tij dhe për të ndërtuar një të nesërme më të mirë në dobi të popullit dhe të gjeneratave që vijnë”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat