Seanca e 9 shtatorit, Bytyçi zbërthen prapaskenat dhe ‘godet’ opozitën: Synimi është rrëzimi i Kurtit dhe...!

Politika

Seanca e 9 shtatorit, Bytyçi zbërthen prapaskenat dhe ‘godet’ opozitën: Synimi është rrëzimi i Kurtit dhe...!

Nga: A.M. Më: 8 shtator 2026 Në ora: 08:01
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e zgjedhur pritet të mblidhen më 9 shtator për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në një përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit institucional dhe për të krijuar mundësinë e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të qershorit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka njoftuar se seanca e mbetur në gjysmë do të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00, ndërsa pritet që deputetët të procedojnë me zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së re të Kuvendit.

Por, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë pas konstituimit të Kuvendit. A do të ketë gatishmëri për zgjedhjen e presidentit dhe më pas formimin e qeverisë, apo mosmarrëveshjet politike do ta çojnë vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor?

Në lidhje me zhvillimet që priten më 9 shtator, për “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.

Sipas tij, thirrja e seancës së 9 shtatorit paraqet një zhvillim të rëndësishëm pas një periudhe të gjatë përplasjesh politike, sidomos duke pasur parasysh se opozita për javë të tëra ka kërkuar pikërisht mbledhjen dhe funksionalizimin e Kuvendit.

Image
Enver Bytyçi.

“Drejtuesi i seancës parlamentare në Kosovë, Avni Dehari, ka njoftuar deputetët e Kuvendit që më datën 9 shtator, në orën 11:00, të mblidhen në seancë për konstituimin e institucioneve të Kosovës. Ishim mësuar prej kaq kohësh që në sallën e parlamentit të shihnim vetëm deputetët e Partisë Demokratike dhe ata të AAK-së, të cilët protestonin dhe sulmonin kryeministrin Kurti pse nuk po mblidhet parlamenti. E për këtë shkak thoshin se kryeministri i do të gjitha pushtetet për vete. Ndonjë edhe ka lëshuar deklaratën idiote se Albin Kurti është e keqja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës që prej pasluftës. Por nejse. Tani jemi përpara një mbledhjeje të thirrur të parlamentit të Kosovës. Deputetët kanë bërë betimin dhe të gjithë janë me mandate të ligjshme. Vetëm se do të shohim kush do të qëndrojë në atë sallë kur të zgjidhet presidenti! A do të jenë aty këta deputetë të opozitës që për disa javë shkuan te salla e Kuvendit dhe thirrën ‘Hajde zgjidhni institucionet’?! Të shohim, por kam përshtypjen se kur Kurti të vijë në parlament, ata ikin prej asaj salle. Sepse nuk kanë asnjë lloj meraku nëse Kosova ka ose jo institucione legjitime. Ata duan vetëm rrëmujë, me qëllim që ta largojnë zotin Kurti nga drejtimi i qeverisë dhe të ulet përqindja e votave që merr përmes zgjedhjeve. Synimi është që VV të ulet nën 40 për qind dhe vetëm në këtë rast tri partitë opozitare bëhen bashkë e mund ta krijojnë qeverinë”, deklaroi Bytyçi.

Profesori shkon edhe më tej në vlerësimin e tij, duke thënë se strategjia e opozitës, sipas tij, është e orientuar drejt delegjitimimit politik të Kurtit dhe jo domosdoshmërisht drejt zgjidhjes së ngërçit institucional.

“Pra duan që me metoda bolshevike e staliniste, ose me metoda naziste ta delegjitimojnë qeverisjen e Albin Kurtit. Personalisht jam krejt i qetë edhe nëse opozita e rrëzon zotin Kurti nga pushteti me metoda dhe mjete jodemokratike. Sepse e di se Albin Kurti në opozitë ka qenë dhe do të jetë tmerri i atyre që duan të vijnë në pushtet me axhendën serbe të ofruar përmes Richard Grenell. O Zot, çfarë ferri do të përjetojnë ata nga opozitarizmi i zotit Kurti! Prandaj dhe i quaj pak si naivë që ndjekin këtë strategji”, u shpreh ai.

Sa i përket vetë seancës së 9 shtatorit, Bytyçi vlerëson se hapi i parë do të jetë zgjedhja e kryesisë së Kuvendit, ndërsa më pas do të vendoset nëse vendi do të ecë drejt zgjedhjes së presidentit apo do të futet në një tjetër cikël zgjedhor.

“Çfarë do të ndodhë të mërkurën, më datë 9 shtator?! Thjesht do të zgjidhet kryetari ose kryetarja e re e parlamentit si dhe kryesia e këtij parlamenti. Kjo ndodh lehtësisht, madje brenda ditës e pak orësh. Po pastaj? Pastaj nuk do të ketë më tej punime në seancë plenare, derisa të ketë konsensus për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Kurti dhe Vetëvendosje e aleatët e saj nuk do të pranojnë të votohet qeveria pa u zgjedhur presidenti. Sepse nuk ka kuptim që sot votohet një qeveri e re dhe nesër, akoma pa u mbledhur në kabinet, kjo qeveri shndërrohet në qeveri të përkohshme për shkak se duhen shpallur zgjedhje të parakohshme. Moszgjedhja e presidentit e çon Kosovën në zgjedhje. Nëse Kosova shkon në zgjedhje, sepse politika nuk dëshiron ta zgjedhë kreun e shtetit, atëherë çfarë nevoje ka të votohet kabineti qeveritar i ri?! Prandaj radha e punës është normale: të zgjidhet kryesia e Kuvendit, pastaj presidenti ose presidentja dhe në fund qeveria. Ndërkohë komisionet parlamentare është krejt e thjeshtë të krijohen”, deklaroi Bytyçi.

Megjithatë, sipas tij, opozita mund të insistojë që pas zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit të vazhdohet menjëherë me formimin e qeverisë së re, jo si zgjidhje të krizës, por si një mënyrë për t’i bërë presion Kurtit.

“Por opozita do të këmbëngulë që pas kryesisë së parlamentit të vazhdohet me formimin e qeverisë së re. Do ta bëjë këtë, si gjithnjë, për sfidë. Për të thënë se ‘Ne i imponohemi Albinit’! Për të krijuar një lloj imazhi të rremë se kjo opozitë është faktor dhe mund të imponohet. Ta shohim nëse do të mund të imponohet”, u shpreh profesori.

Bytyçi e konsideron të domosdoshme zgjedhjen e kryesisë së re të Kuvendit, veçanërisht për shkak të skenarit të mundshëm të zgjedhjeve të reja dhe nevojës për funksionimin e institucioneve gjatë kësaj periudhe.

“Vlerësoj se zgjedhja e kryesisë është e domosdoshme. Nëse shkohet në zgjedhje, kryetarja e tanishme e parlamentit tejkalon afatin kushtetues të qëndrimit në detyrën e presidentit. Prandaj duhet të zgjidhet kryetari ose kryetarja e re, e cila mund të jetë sërish Albulena Haxhiu, dhe ky kryetar i ri të vazhdojë ushtrimin e detyrës së presidentit të Republikës derisa të përfundojnë zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

Ndërkohë, një prej pikave më të ndjeshme mbetet qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së lidhur me zgjedhjen e presidentit. Bytyçi thotë se nuk beson se do të ketë lehtë kompromis, por sheh edhe një skenar ku ata mund të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë kundër kandidatit.

“Nuk besoj se opozita dhe gjashtë grennellistët e LDK-së do të binden që të lëshojnë e bëjnë kompromis për zgjedhjen e presidentit. Nuk e di. Këta gjashtët e Lidhjes Demokratike nuk kanë thënë se qëndrojnë në sallë në votimin e fundit të kandidatit për president. Mund edhe të qëndrojnë e të votojnë kundër. Ky akt do të ishte kompromis i pranuar, sepse nëse votojnë kundër i qëndrojnë pozicionit që kanë dhe njëkohësisht mundësojnë që Kosova ta ketë presidentin e vet. Mund të ndodhë edhe kjo. Dhe uroj që kjo të jetë formula më e besueshme”, deklaroi Bytyçi.

Në fund, profesori ndalet edhe te situata brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kohëve të fundit janë shfaqur mospajtime të forta lidhur me qëndrimet për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.

“Megjithatë, duket se në Lidhjen Demokratike ka një çarje të madhe. Nëse do të vinte kjo çarje objektivisht për shkak të parimeve të ndryshme ose të kundërta të palëve, do të ishte gjithçka në rregull. Por u pa se në këtë konflikt ka ndërhyrë dhe ka ndikuar ambasadori Grenell. Kjo e ndërlikon situatën”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat