Mosvotimi i nënkryetarëve lidhet me zgjedhjen e presidentit, Kurti fton opozitën – flasin njohësit

Politika

Mosvotimi i nënkryetarëve lidhet me zgjedhjen e presidentit, Kurti fton opozitën – flasin njohësit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 shtator 2026 Në ora: 18:03
Kuvendi i Kosovës

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar sot me zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të Kuvendit, ndërsa më pas deputetët kanë nisur procedurën për zgjedhjen e pesë nënkryetarëve.

Për këtë pozitë janë propozuar Ardian Gola nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga PDK-ja, Kujtim Shala nga LDK-ja, Sllavko Simiq nga Lista Serbe dhe Emilia Rexhepi nga komunitetet joserbe.

Megjithatë, deputetët kanë pasur mospajtime rreth mënyrës së votimit. PDK-ja dhe LDK-ja kanë akuzuar LVV-në për pengim të konstituimit të Kuvendit.

Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja po kërkojnë votat për nënkryetarët, ndërsa, sipas saj, kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidatin për president.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për zgjedhjen e nënkryetarëve.

Kurti tha se dakordimi mes partive është i rëndësishëm, pasi për zgjedhjen e nënkryetarëve nevojitet mbështetje edhe për kandidatët e propozuar nga partitë tjera. 

“Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së, që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për përzgjedhjen e nënkryetarëve meqenëse nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre”, tha ai.

Gacaferi: Shihet qartë që PDK, AAK dhe një pjesë e LDK-së janë të interesuar për ta dërguar vendin prapë në zgjedhje të jashtëzakonshm

Anëtari i Guxo-s, Luan Gacaferi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Albin Kurti prej kohësh po fton partitë opozitare në bisedime, por sipas tij, vetëm kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur pozitivisht.

Image
Anëtari i Guxo-s, Luan Gacaferi

Gacaferi ka akuzuar PDK-në, AAK-në dhe një pjesë të LDK-së se po synojnë zgjedhje të reja.

“Kurti ka kohë qe po i thirrë në bisedime, por siç dihet vetëm kryetari i LDK'së i është përgjigjur ftesës së Kurtit, ndërsa kryetari i PDK'së e ka refuzuar ftesën me arsyetime banale!

Shihet qartë që PDK, AAK dhe një pjesë e LDK-së janë të interesuar për ta dërguar vendin prapë në zgjedhje të jashtzakonshme dhe unë mendoj se çdo përpjekje e Kurtir është e kot, për t'a mos e dërguar vendin në zgjedhje!

Opozita e ka zgjedh si strategji ta dërgoi vendin në zgjedhje edhe 100 herë po pati nevojë sepse vet e kanë thënë, pra sipas tyre kjo është e vetmja formë qe ta lodhin popullin e kështu ndoshta e mundim Kurtin”, deklaron ai.

Ramabaja: Kryesia e Kuvendit si test i kompromisit politik

Image
Sadri Ramabaja

Kurse, opinionisti Sadri Ramabaja e ka cilësuar si sinjal pozitiv politik ftesën e Albin Kurtit drejtuar Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut për diskutime rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.

Sipas tij, kjo tregon se Kurti e ka kuptuar se bllokada institucionale nuk mund të tejkalohet vetëm me logjikën pozitë-opozitë, por kërkon bashkëpunim ndërmjet forcave kryesore politike.

“Ftesa e kryetrit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit drejtuar Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut për të diskutuar lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit duhet parë si një sinjal politik pozitiv, por jo ende si dëshmi e një kompromisi të paralajmëruar. 

Ajo tregon se Kurti, të paktën në këtë fazë, e ka kuptuar se bllokada institucionale nuk mund të kapërcehet vetëm përmes logjikës së shumicës dhe opozitës, por kërkon një minimum bashkëpunimi ndërmjet tri forcave kryesore politike.

Megjithatë, këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Zgjedhja e nënkryetarëve nuk është çështje që lihet thjesht në vullnetin politik të liderëve. Neni 12 i Rregullores së Punës përcakton qartë se nënkryetarët zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve dhe se tri subjektet më të mëdha parlamentare kanë të drejtë të propozojnë nga një kandidat. Pra, vetë Rregullorja e ka konceptuar Kryesinë e Kuvendit si një mekanizëm të përfaqësimit politik plural, jo si një strukturë që mund të kontrollohet nga një subjekt i vetëm”, tha ai.

Ramabaja ka thënë se kompromisi mes partive për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit është i domosdoshëm, por duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Ai ka vlerësuar se pas dështimit të votimit, dialogu politik mbetet rruga e vetme për tejkalimin e bllokadës.

“Prandaj, hapësira për kompromis ekziston dhe, në fakt, është e domosdoshme. Por kompromisi duhet të jetë brenda Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Nuk bëhet fjalë që LVV-ja t'i bëjë ndonjë “favor” PDK-së apo LDK-së, apo anasjelltas. Bëhet fjalë për funksionimin normal të një institucioni kushtetues. Vetë Kuvendi e përshkruan Kryesinë si organ të përbërë nga kryetari dhe pesë nënkryetarë që përfaqësojnë tri grupet më të mëdha parlamentare dhe komunitetet joshumicë.

Në këtë kuptim, ftesa e Kurtit mund të lexohet si një lëvizje për ta zhvendosur debatin nga konfrontimi procedural drejt një zgjidhjeje politike. 

Pas mosvotimit të kandidatëve për nënkryetarë, hapësira për kompromis është më e ngushtë, por nuk është zhdukur. Përkundrazi, pikërisht dështimi i votimit e bën të domosdoshëm dialogun. PDK-ja dhe LDK-ja duhet të kenë parasysh se e drejta për të propozuar nuk është e njëjtë me të drejtën për ta bllokuar pafundësisht funksionimin e Kuvendit. Ta mund dhe do të ishte në frymën e racionalitetit politik, të rishikojnë propozimet e tyre. 

Në të njëjtën kohë, LVV-ja duhet të kuptojë se sigurimi i shumicës numerike nuk e zëvendëson nevojën për respektimin e parimit të përfaqësimit plural që qëndron në themel të përbërjes së Kryesisë”, u shpreh ai.

“Përgjegjësia politike, nëse kompromisi nuk arrihet, nuk mund t'i atribuohet automatikisht vetëm një pale. Ajo duhet të përcaktohet mbi bazën e sjelljes konkrete të secilit aktor. Nëse z. Kurti ofron një kompromis real, të mbështetur në Rregullore, ndërsa opozita refuzon çdo zgjidhje vetëm për ta mbajtur Kuvendin të bllokuar, atëherë një pjesë e rëndësishme e përgjegjësisë bie mbi opozitën. Por, nëse LVV-ja kërkon që opozita vetëm ta votojë një zgjidhje të imponuar prej saj, pa respektuar të drejtat procedurale të subjekteve të tjera, atëherë përgjegjësia nuk mund të transferohet te opozita.

Kjo është arsyeja pse përgjegjësia politike duhet të matet me një kriter shumë të thjeshtë: kush po e përdor institucionin për ta zgjidhur krizën dhe kush po e përdor krizën për ta bllokuar institucionin?”

Ramabaja ka paralajmëruar se një bllokadë e zgjatur parlamentare dëmton funksionimin e shtetit dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Ai ka bërë thirrje që PDK-ja dhe LDK-ja ta pranojnë ftesën për dialog dhe të kërkojnë një zgjidhje në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

“Në fund, pasojat e një bllokade të zgjatur janë shumë më të mëdha sesa vetë çështja e nënkryetarëve. Një Kuvend që nuk arrin ta përfundojë normalisht përbërjen e organeve të veta dobëson legjitimitetin funksional të shtetit, pengon punën legjislative dhe mbikëqyrëse dhe krijon perceptimin e një sistemi politik të paaftë për të prodhuar kompromis. Kjo dëmton jo vetëm partitë, por edhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Prandaj, nëse z. Kurti ka bërë realisht një hap drejt kompromisit, përgjigjja politike e PDK-së dhe LDK-së duhet të jetë po aq institucionale: jo refuzim automatik, por ulje në tryezë dhe kërkim i një zgjidhjeje të mbështetur në Rregullore. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të hyjë në një fazë ku bllokada parlamentare shndërrohet në normalitet politik.

Në një demokraci parlamentare, kompromisi nuk nënkupton që njëra palë të dorëzohet. Nënkupton që palët pranojnë se institucioni është më i madh se interesi i tyre i momentit. Dhe pikërisht kjo është prova që sot qëndron përballë LVV-së, PDK-së dhe LDK-së” – përfundoi ai për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat